Nga rritja e pagave nuk përfitojnë vetëm kryetarët

Aug 22, 2012 | 12:57

“Rritja e pagave të punonjësve në organet vendore nuk u bë për të rritur rrogat e kryetarëve të bashkive dhe komunave”. Përmes një deklarate për mediat, pas vendimit të qeverisë ka reaguar Shoqata e Bashkive. Sipas saj, shtesat në paga u bënë për të përzgjedhur dhe mbajtur një administratë vendore, të aftë të përballojë detyrat që i ngarkon legjislacioni, por edhe t’i shërbejë sa më mirë, sa më lirë dhe të jetë sa më pranë qytetarëve dhe në mënyrë efektive. “Shoqata e Bashkive është e bindur që rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi do të përbëjë një shtysë për një zhvillim ekonomik vendor të qëndrueshëm, si dhe do të shërbejë si një katalizator për të krijuar një administratë vendore moderne”, thuhet në deklaratën për mediat. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka shprehur falënderime për të gjithë kryetarët e bashkive, për kontributin që kanë dhënë për të arritur daljen e këtij vendimi. “Në mënyrë të veçantë, kryetarin e ri të Shoqatës, Lulzim Basha, i cili pasi dëgjoi, bashkëbisedoi dhe u konsultua me kryetarë bashkie, kryetarë këshillash, si dhe punonjës të administratës vendore, diti të artikulojë me mjeshtëri kërkesat e tyre dhe “të bindë” qeverinë shqiptare për domosdoshmërinë e këtij vendimi”, thuhet në deklaratë. Sipas Shoqatës së Bashkive, njëkohësisht ky vendim përkon edhe me angazhimin e qeverisjes së kryebashkiakut Basha, për të rritur më tej performancën e administratës publike vendore, duke pasur si lajtmotiv “Qytetari i pari”.

© Panorama.al

Te lidhura