NGA GËZIM TUSHI
Nuk është keq, por nuk është edhe aq mirë zgjerimi, lulëzim i dukshëm i idesë liberale, dimensioni in extremis që kanë marrë në shoqërinë shqiptare fenomenet e egoizmit, individualizmit, narcisizmit, vetëmjaftueshmërisë, të cilat janë konvertuar në shfaqjen e bujshme të mungesës së nevojës dhe rëndësisë së shoqërisë dhe lidhjeve të njeriut me të tjerët. Madje, kanë dalë hapur dhe publikojnë pa ndroje idetë asociale e eksentrike shumë njerëz, që shfaqen si partizanë ekstremë të tezës antisociale, që këtë ide të kthyer në sjellje sociale e çojnë deri tek ideja absurde. Është bërë “limfë qarkulluese” ideja se sot gjithçka ka të bëjë, duhet lidhur dhe vënë në dispozicion të atij modeli shoqëror dhe sjellje individuale që shërben jo aq për shoqërinë, strukturat sociale, por thjesht dhe vetëm për lirinë dhe mirëqenien e njeriut modern. Në kohën tonë është krijuar ideja e njeriut super individualist, i cili mendon se gjithçka duhet të rrotullohet rreth vetes, duke sfiduar strukturat e organizimit të jetës sociale, rregullat morale dhe strukturat sociale që ekzistojnë në shoqëri. Ato për një “takëm” njerëzish arrivistë e anarkistë, janë shkaqet që sipas tyre ndalin suksesin individual të njeriut. Një shfaqje e sëmundjes së “donkishotizmit” apo të antikonformizmit banal, pa objekt të qartë, që nuk e lejon njeriun të orientohet drejt. Qoftë përballë vetvetes, apo edhe nevojës për të kuptuar më drejt raportet e kohës moderne, ndryshimin dhe reflektimin e saj edhe në shoqërinë tonë.
Padyshim, sociologjikisht ka qenë e menduar dhe e pritur që tranzicioni politik dhe post-tranzicioni social do të ndikonin në procesin e shfaqjes së kalimit disi pa rregulla nga kafazi supersocial i shoqërisë totalitariste në përhapjen e akseleruar tek njerëzit e revoltuar të kulturës së “anarkisë demokratike”. Kjo situatë është një “temë më vete” që ka të bëjë me normat e sjelljes dhe mënyrat e komportimit të individit në shoqërinë post-totalitariste. Sociologët modernë e kanë shtruar tezën e analizës dhe studimit të fenomeneve që kanë të bëjnë me kalimin nga “brezi jo historik” i totalitarizmit, në “brezin historik të demokracisë”, me të cilin janë të lidhura ontologjikisht këto dukuri të reja sociale. Në këtë kontekst nuk mungojnë që të ngrenë zërin eksentrik edhe ekstremë të parapëlqimit të anarkisë sociale, të cilët idenë e tyre asociale e çojnë deri në ekstrem, duke profetizuar se është më mirë që në emër të lirisë së pakufizuar të individit ta “shkatërrojmë shoqërinë”. Në të vërtetë është spekuluar shumë me idenë e ringjalljes së ideologjisë liberale, që filloi në botë të bëhej dominante në kohën e fushatës së njohur në vitet 80-të të shekullit që kaloi. Ide e që e arriti kulmin e vet në mendimin e shfaqur nga ish-kryeministrja britanike Margaret Thacer, e cila në emër të ideologjisë liberale, krejt pa ambalazhe ka shfaqur bujshëm idenë dhe thelbin e doktrinës sipas të cilës “Nuk ka më shoqëri, ka vetëm individë”.
Kjo është epoka kur në Europë, por jo tek ne u shfaq “kriza e njeriut” në raportet me veten dhe shoqërinë, e konvertuar herë si optimizëm naiv individual dhe herë si pesimizëm i përgjithësuar social. Këto dallgë sociale e dalldisje shpirtërore tek ne në atë kohë akoma nuk erdhën, por pas rënies së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së komunizmit, efektet sociale filluan të duken dhe tashmë janë bërë fenomene sociale tipike. Nuk duhet ndonjë “panoptikon” i hollë sociologjik për të evidentuar dhe diagnostikuar shumë dukuri që lidhen me shfaqjen e njerëzve asocialë (të dhunshëm, kriminalë, antihumanë, cinikë, egoistë) të cilët të frymëzuar subjektivisht vetëm nga njëra anë e lirisë, shfaqin sjellje anormale dhe pasione të pakontrolluara, me devijanca me rrezikshmëri sociale, mungesë pjekurie dhe sjellje irracionale, fluturime pindarike e pritmëri jo realiste. Të gjitha këto të shoqëruara me një gjendje sociale të përgjithshme depresive, me të cilën shoqëria shqiptare po përballet hapur dhe në mënyrën më të ashpër të mundshme. Është koha që të angazhohemi konkretisht për përmirësimin e situatës dhe shëndoshjen e marrëdhënieve midis individit dhe shoqërisë, jo me gjykime universale, por me analiza të kontekstualizuara të realitetit tonë. Sepse epoka moderne në shoqërinë tonë si kurrë më parë është bërë shumë e paqartë për një masë të madhe të njerëzve, që janë shpirtërisht të çoroditur nga dimensionet e përziera dhe raportet e ngatërruara midis individit dhe shoqërisë. Një patologji sociale tashmë tejet e agravuar në realitetin e jetës sonë. Nuk është rastësi që tashmë janë të qarta, evidente dhe të pushtetshme mbi njeriun ndikimi i disa krizave që kanë kapur njeriun dhe shoqërinë. Ato po shfaqen në mënyrë evidente dhe e kanë rrethuar njeriun në “darën” e disa krizave ma natyrë kulturore, shpirtërore dhe sociale, që gjithnjë e më shumë kanë ndikim të fortë në ndryshimet e thella që po pëson “stili i jetës”, mënyra e të jetuarit e njerëzve” tanë.
Kjo është arsyeja pse njeriu i kohës sonë ka tendencë të largohet nga shoqëria, të dobësojë lidhjet sociale, të mbyllet në guaskën e interesave të ngushta, qëllimeve materiale imediate të jetës empirike, pa menduar shumë për të “tjerët”, ca më pak për shoqërinë si organizim social tërësor. Sot përballemi si kurrë më parë dhe madje me shumë ashpërsi me sjellje e qëndrime asociale të njerëzve që me veprimet e tyre ndikojnë që liria në shumë raste të kuptohet keq, që ajo të kalojë në arbitraritet. Nuk mund të mos jemi të shqetësuar për faktet që rrethojnë jetën tonë sociale, për sjelljet asociale të njerëzve. Por me sa duket edhe koha që jetojmë, stili i jetës moderne që po ndërtojmë, kanë padyshim ndikimin e tyre në faktin që tipologjia e jetës po bëhet gjithnjë e më shumë e “përshtatshme” për të krijuar kushte për “afirmimin e njeriut rebel”, që mendon se në kushtet e jetës moderne është duke u ravijëzuar me konture të plota ideja, se mënyra e jetës liberale ka në themel idenë ultraliberale që për njeriun e lirë “gjithçka lejohet” dhe “asgjë nuk pengohet” nga rregullat e përbashkëta sociale të shoqërisë. Unë besoj se janë të mjaftueshme “sinjalet” e dukshme e të padukshme të përditshmërisë tonë, të cilat kërkojnë përgjigje adekuate dhe në kohën e duhur.
Sepse praktikisht tani në familje, shkollë, jetën komunitare dhe në jetën e përgjithshme sociale po përballemi me shumë dukuri, të cilat gradualisht po na bindin se kjo “liri e pakufizuar”, e konceptuar në trajtën e mungesës së plotë të rregullave dhe shpërthimit të një lloj anarkie sociale totale, ka filluar të bëhet “skllavëri e vetvetes” për njerëzit. Në këtë “liri” të pakufizuar nga ana morale dhe humane, duket sikur ai që humbet është “dimensioni social” si thelb ontologjik, i qëndrueshëm dhe i vetëdisiplinuar i njeriut konkret. Nuk është rastësi që evidentohet gjerësisht një shthurje e rregullave të përbashkëta morale, shoqëruar me konceptim semplist, anarkist të lirisë, duke sjellë në jetën e përditshme praninë e pakontrolluar të shumë njerëzve që shfaqen me stil jete “agresiv”, me tendenca evidente të “shmangies sociale”, që përpiqen të jetojnë duke e konceptuar jetën dhe sjelljen personale pa asnjë kufi apo dimension social. Sociologët janë të mendimit se “liria e pakufizuar” (në kuptimin asocial dhe anarkist të termit) po i heq njeriut “lirinë e shpirtit” duke e bërë atë skllav të rëndomtë të robëruar vetëm nga “kërkesat e trupit” privat dhe “dëshirat biologjike” të tij.
Padyshim jetojmë në një shoqëri moderne dhe është e natyrshme të pranohet si i vërtetë fakti, që njeriu përgjithësisht është nën pushtetin e ndjenjave kontradiktore të vetes, të organizimit të mënyrës së jetës sociale dhe stilit të jetës personale. Por nga mënyra si zhvillohen në shoqërinë tonë, nga paqartësitë dhe keqkuptimet që kanë sjellë në mënyrën e jetës së shtresave të ndryshme sociale, duket se kjo ka bërë që shumë njerëz jo vetëm të humbasin lirinë e tyre, por dhe të jenë në të njëjtën kohë “qenie të dyzuara” në dimensionalitetin e vet konkret. Është një nga shqetësimet e mëdha të kohës moderne dhe që duhet vlerësuar me seriozitet si komponent më rëndësi, fakti që gjithnjë e më shumë po shtohen grupet sociale dhe njerëzit, te të cilët ka një ambiguitet të dukshëm për relacionet që njeriu duhet detyrimisht të ndërtojë me veten dhe shoqërinë. Koha është eruptive, në ndryshim të shpejtë. Ritmi i jetës dhe intensiteti i raporteve të njeriut me veten dhe shoqërinë, është në përmasa që duhet vlerësuar më shumë se një dukuri sociale e thjeshtë e kalimtare e jetës së përditshme. Ndryshimi është i thellë, radikal dhe me pasoja sociale që duhen llogaritur për vlerën e kostos që ato kanë. Për një gjë duhet të jemi të sigurt, koha kërkon reflektime të reja por pa tentuar që të bëhemi utopikë apo të ëndërrojmë ndërtimin e marrëdhënieve sui generis të njeriut me shoqërinë, përtej standardeve, imperativave të modernitetit. Përkundrazi, ajo që duhet dhe kërkohet sot është nevoja të mendojmë, të përgatitemi për përballuar këtë proces që po ndryshon pandërprerë dhe me sa duket nuk ka më të ndalur.
Sepse është koha, “tingulli” i saj që e detyrojnë njeriun të ndryshojë stilin e jetës, t’u përshtatet imperativeve asociale të kohës. Koha moderne e ka përmbysur radikalisht mënyrën, stilin e jetës tipike për shoqërinë tradicionale. Duam apo nuk duam, jetojmë në kohë të reja. Mënyra moderne e të jetuarit po e shndërron njeriun që të bëhet “qenie e individualizuar”, “qenie unikale” që përpiqet të jetojë me sukses duke qenë pjesë e një “shtrese pa intermexo” sociale, pa kohë për prehje, pa mundësinë për të zënë vend të qëndrueshëm. Filozofi spanjoll Josep Ramoneda thotë se “Duhet të kemi diçka që të na mbrojë nga rreziku i rrëshqitjeve gjeologjike të shpirtit që mund të shkaktojnë tërmete brenda nesh” Josep Ramoneda “Fundi i pasionit politik” f. 50. Në të vërtetë nuk e di sa kam të vërtetë në konstatimin tim sociologjik, por nga analiza që mund të bëjmë të duket se në shoqërinë tonë ka ndodhur një evolucion i thellë, më saktë një metamorfozë e dukshme e kalimit nga “njeriu masë” i shoqërisë tradicionale tek “individi i izoluar” i shoqërisë moderne”. Tani nuk është shumë e vështirë që të sjellësh fakte nga jeta reale në mënyrë që këtë problem ta shtrosh për diskutim social dhe teorik. Shoqëria shqiptare, por jo vetëm ajo, ka tashmë brenda vetes një realitet konceptual dhe empirik që bën të mundur për të gjithë, që të mund të flitet për dukuritë që tashmë në perceptimin individual mund të jenë të ndryshme nga normat sociale, që mund të jenë të vlerësuara me optika të ndryshme dhe që mund të duken herë normale dhe herë të tjera “enorme”. Është bërë një dukuri intensive fakti që në shoqërinë tonë (jo vetëm shqiptare, por edhe përtej saj) veprimet publike dhe ato me natyrë familjare po marrin gjithnjë e më shumë nja karakter personal, të individualizuar. Secili ka mundësi të ketë mënyrën e vet, standardet e komportimit social të ndryshëm nga të tjerët.
Ka një lidhje të fortë midis “boshllëkut shoqëror” të modernitetit post-materialist dhe sjelljeve të njeriut pa dimension. Në këto kushte është kërkesë e vështirë të synosh që të ndërtosh “norma të përgjithshme” sociale apo të normativizosh sjelljen e njeriut, ta përshtatësh atë me kërkesat e shoqërisë. Në kohën moderne njeriu është i izoluar dhe më shumë se jeton në shoqëri shfaqet si “pjesë në turmë”, që nuk ka bindje që mund të jenë të përbashkëta dhe të mund t’i ndajë në çdo rast me të tjerët. Prandaj po shtohen situatat që e bëjnë të vështirë komunikimin, marrëveshjet sociale pikërisht nga që njerëzit shfaqen gjithnjë e më shumë të izoluar nga të tjerët. Në marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë ka më shumë “slogane komunikative” që përvetësohen nga njerëzit përmes mjeteve e komunikimit. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm se njeriu me të cilin bashkëjetojmë është me dimension të reduktuar nga ana sociale. Po shtohet “njeriu i ngushtë” që ka vetëm interesa material, që është i lidhur me të tjerët vetëm për çështje interesash, konsumi, seksi dhe parash. Këtë analizë e ka bërë shkëlqyeshëm në kohën e vet sociologu dhe psikologu i shquar Eric Fromm. Por edhe më parë sociologu tjetër, i njohur botërisht Emile Durkheim, i cili duke analizuar shoqërinë dhe prirjet dominante të njeriut modern, mendoi se po vjen situata sociale, në të cilën njeriu ka marrëdhënie me të tjerët vetëm për “interesa të ngushta” pragmatiste. Ndërkaq, shumë sociologë të kohës sonë kanë theksuar dallimin esencial midis shoqërisë së bashkësisë me shoqërinë moderne “në të cilën janë zhdukur të gjithë marrëdhëniet e çiltra njerëzore”. (Eric Fromm, “Anatomia e destruktivitetit njerëzor” vëll. 1, faqe 185) Pavarësisht defekteve të jetës moderne në shoqërinë tonë, besoj se është koha që jo vetëm në mendimin sociologjik, por edhe në institucionet e edukimit dhe medias të flitet më shpesh për nevojën e ndërtimit të një bote me “përmasa njerëzore”, në të cilën njerëzit të kenë midis tyre marrëdhënie të shëndetshme e të humanizuara interpersonale.
Njeriu nuk ka nevojë vetëm të ushqehet, të strehohet, të fitojë para, të konsumojë. Natyrisht është e vështirë në shoqërinë tonë të kërkosh përputhshmëri të interesave sociale me ato individuale, apo të shpresosh që interesat e shoqërisë të jenë në çdo rast të përshtatshme me ato të individit. Në shoqërinë shqiptare është duke ndodhur një proces i vrullshëm i fshirjes së traditave, i humbjes së disa vlerave të përbashkëta. Kjo natyrisht po determinon dobësimin e lidhje e sinqerta personale të individit me të tjerët dhe shoqërinë. Por, mua më duket se ka pasur të drejtë Fromm-i, i cili edhe pse analizon antinomitë e pakthyeshme të modernitetit, shkruan me optimizëm megjithatë se megjithatë, njeriu ka nevojë për një sistem shoqëror brenda të cilit të zërë vendin e vet, të ketë bashkë me të tjerët marrëdhënie relativisht të përcaktuara dhe të mbrojtura nga vlera dhe pikëpamje përgjithësisht të pranuara…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al