Nga Muzaka te Hyka: I befasojmë “gjelat”

Aug 30, 2011 | 13:07
Kombëtarja gjatë një seance stërvitore

Muzaka, Hyka dhe Veliu. Ndryshimi është se dy të parët grumbullohen rregullisht në Kombëtare, ndërsa për mbrojtësin vlonjat ende nuk ka ardhur debutimi zyrtar në një ndeshje eliminatore me fane-llën kuqezi.Në prag të sfidës me Francën, lojtarët dhanë përshtypjet e tyre dhe gjithashtu folën për veten. Konferencat për shtyp nga rezidenca e Kombëtares, hotel “Dyrrah” në Durrës, nisën me këtë treshe. Fakti që përballë do të kenë Francën e yjeve, është një motivim ekstra për kuqezinjtë. Kjo konfirmohet edhe nga Muzaka e Hyka, ndërkohë që Veliu pret shansin e aktivizimit, për të bërë kështu hapin e madh.
Muzaka – Për mesfushorin Gjergji Muzaka gjithçka është e mundur. “Luajmë ndaj një kundërshtari, që sigurisht është favorit i grupit. Duke parë edhe kualitetet që ata kanë në përbërje, për ne do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë, pika jonë e fortë është se luajmë në fushën tonë. Në shtëpi kemi një armë shumë të fortë, që është publiku. Kjo na karikon më tepër, ndërkohë që me ekipe të këtij niveli, jo vetëm motivohemi më shumë, por dimë ta ruajmë përqendrimin gjatë gjithë 90-minutëshit. Mendoj se Franca, duke kaluar minutat pa zhbllokuar rezultatin, do të bëhet nervoze dhe këtu mund të përfitojmë. Skuadra të tilla mund të tolerojnë në dy-tri momente dhe ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë. Në futboll mund të fitosh një ndeshje, edhe nëse të paraqitet vetëm një rast përpara portës, ashtu siç mund të ndodhë që të kesh shumë mundësi të humbësh. Besoj se do të kemi mundësitë tona, për të arritur te goli. Mendoj se presioni do të jetë më shumë mbi Francën dhe ne kemi të drejtën të besojmë për çdo lloj rezultati kundër tyre”, është shprehur Muzaka.
Hyka – Jahmir Hyka preferon më shumë një fitore ndaj Luksemburgut, sesa një barazim në ndeshjen e radhës kundër Francës. “Më e mira do të ishte që të merrnim katër pikë në këto dy ndeshje, por sigurisht duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Franca është një skuadër me shumë kualitete. Lojtarët e saj aktivizohen në klubet më të njohura të Europës dhe për ne do të jetë shumë e vështirë. Ëndrra jonë është që të arrijmë një rezultat pozitiv, teksa fitorja do të ishte një mrekulli. Megjithatë, do të tentojmë të bëjmë më të mirën. Me mbështetjen e tifozëve, mund të arrijmë diçka pozitive. Personalisht goli me Malin e Zi më ka ngritur moralin dhe, nëse trajneri Kuzhe e shikon të arsyeshme që unë të aktivizohem si titullar, jam i bindur që do t’ia shpërblej”, u shpreh fillimisht Hyka. Mesfushori foli më pas për ekipin e tij, Luzernën dhe “sikletin” mes dy vëllezërve Murat dhe Hakan Jakin, i pari trajner, ndërsa i dyti kapiten i skuadrës. “Te Luzerna ndihem shumë mirë. Kam arritur një formë të kënaqshme dhe gjithashtu kam shënuar. Ndoshta mund ta cilësoj si lëvizjen më të mirë të karrierës, por duhet vazhdimësi. Faktikisht, trajneri Jakin është vënë pak në siklet, pasi e shikon që po kaloj një formë të mirë. Megjithatë, është thjesht koincidencë që kam luajtur në ndeshjet e fundit në rolin e vëllait të tij. Thjesht trajneri ka menduar që mund ta bëj më mirë fantazistin”, tregon lojtari 23-vjeçar.
Veliu – Ka provuar të luajë kundër Mesit në miqësoren Argjentinë-Shqipëri dhe tashmë nuk i bëjnë shumë përshtypje yjet e tjerë. “Së pari, është kënaqësi të luash përballë emrave të mëdhenj si Mesi apo Benzema. Janë lojtarë me kualitet të madh dhe sigurisht të motivojnë shumë. Personalisht jam i lumtur që u grumbullova në Kombëtare dhe sigurisht kënaqësia më e madhe do të ishte nëse unë aktivizohem në ndeshjen ndaj Francës”, deklaron mbrojtësi i talentuar vlonjat, Franc Veliu. I pyetur se cili nga lojtarët e “gjelave” e frymëzon, ai shtoi: “Pëlqej Abidalin. Është një lojtar i jashtëzakonshëm në rolin e tij. Do të ishte një shans i artë për mua, nëse do të luaja”. Në fund, Veliu sqaroi arsyet se pse nuk u largua nga Flamurtari. “Nuk jam larguar jashtë Shqipërisë, sepse ta them sinqerisht, nuk kam pasur diçka konkrete që të më bindte plotësisht. Ka pasur interesim nga Rizespori dhe Sherif Tiraspoli, por gjërat nuk shkuan ashtu siç unë dëshiroja”.

2 ndeshje
kemi luajtur në historikun tonë ndaj Francës, që të dyja për kualifikimet e Euro 1992. Në ndeshjen e parë në Tiranë jemi mundur 1-0 dhe në të kthimit u mundëm 5-0 në Paris.

Biletat, ja si mund te blihen

Ka nisur dje shitja e biletave online për ndeshjen Shqipëri-Francë. Sipas informacioneve në FSHF, interesimi është shumë i madh, ndërkohë që pritet që shitja të bëhet në një kohë rekord. Ditën e enjte do nisë edhe shitja e biletave në terren, ndërsa online të interesuarit mund t’i gjejnë në faqen www.blinibileta.com. FSHF ka lajmëruar se bileta do të ketë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kamzë, Shkodër, Durrës, Vlorë, si dhe në dy qytetet e Kosovës, Prishtinë dhe Prizren. Çmimet e biletave për këtë ndeshje janë: Tribuna A – 10 mijë lekë, 7 mijë dhe 5 mijë lekë (të rinj). Tribuna D2 – 3 mijë lekë (të rinj), tribuna D1/D3 – 2 mijë lekë (të rinj) dhe tribuna C/E – 500 lekë (të rinj).

 

Nga Durrësi,
JORGIS MEMO

© Panorama.al

Te lidhura