Trajneri Stanislav Levi dhe shumica e lojtarëve të Skënderbeut janë në ankth për të ardhmen e tyre te skuadra kampione. Korçarët do të jenë praktikisht të zbrazur më 31 korrik, pasi skadon jo vetëm kontrata e Levit, por thuajse e 80% të ekipit. Edhe pse vëmendja e të gjithëve tashmë është përqendruar te ndeshja e kthimit me Debrecenin, duket i pamohueshëm fakti se shumica e lojtarëve po mendon seriozisht për të ardhmen. Ndeshja e kthimit në Hungari mund të ndikojë shumë. Nëse Skënderbeu arrin të kalojë turin, atëherë gjasat më të mëdha janë që shumica e grupit të ruhet. Ky është një premtim i presidentit Agim Zeqo, i cili në fakt ende nuk ka mbyllur në parim marrëveshjen me trajnerin. Nuk ka asgjë të sigurt nëse Levi do të rinovojë kontratën. I pyetur pak ditë më parë, trajneri i dribloi çështjes së rinovimit, duke theksuar se është i fokusuar vetëm te ndeshja me hungarezët. Mirëpo, zëra pranë skuadrës konfirmojnë për “Panorama Sport” se kontratat po kthehen dalëngadalë në një çështje madhore. Kreu i klubit u ka bërë të ditur lojtarëve se do të flasë personalisht me ta vetëm pasi të mbyllet angazhimi në Ligën e Kampioneve. Disa nga “senatorët”, duke filluar nga Shehi, Muzaka, Xhafaj etj., kanë bërë një marrëveshje xhentelmenësh me presidentin Zeqo, teksa kanë pranuar të luajnë edhe në Europë, pavarësisht se kontratat e tyre kanë përfunduar më 31 maj. Ndërkohë, serbi Gvozdenoviç dhe kroatët Biksup e Bratiç, mbyllin marrëveshjen më 31 korrik. Nëse Skënderbeu kualifikohet për në turin e tretë, si për koincidencë, ndeshjen e parë të këtij raundi do ta luajë pikërisht në datën kur shumicës së grupit i përfundon kontrata. Gvozdenoviç, Biksup e Bratiç pritet të jenë të parët që do të rinegociojnë për zgjatjen apo jo të kontratës. Megjithatë, mendohet se fillimisht klubi do të mbyllë punët me stafin teknik. Rinovimi i Levit mund t’u hapë rrugën më pas kontratave të “senatorëve”, por mund të ndodhë edhe e kundërta. Momentalisht të sigurt edhe për sezonin e ri janë Plaku, Kërçiku, Arapi dhe Bici, të cilët kanë edhe një vit kontratë me klubin kampion.
JORGIS MEMO











