Nga kongreset tek ekologjia, historia e posterit shqiptar

Feb 22, 2012 | 12:11

Disa nga pllakatet e paraqituara në ekspozitën "Nga pllakati tek posteri", në Galerinë FAP. Pllakatet e përzgjedhura janë realizuar nga studentët e Insitutit të Lartë të Arteve, nga vitet ‘60 deri në vitin ‘90. Janë punë diplome ose detyra kursi.

U hap në FAP ekspozita “Nga pllakati tek posteri”

Përbri realizimeve moderne ekspozohen punë të studentëve të Arteve në vitet ’60-’90.

Tani gjithnjë e më rrallë të hyn në punë vizorja e lapsi i plumbit. Vijat e drejta e germat e rrumbullakosura i bën kompjuteri për merak. Tek-nologjia ka ndryshuar botën. Nuk mund të mos ndryshonte edhe artin. Ekspozita “Nga pllakati tek posteri”, e hapur këto ditë në galerinë FAP (Fakulteti i Arteve Pamore) në mënyrë modeste, por shumë domethënëse, ofron ndryshimin radikal që ka ndodhur në historinë e trajtimit të pllakatit (term ky i huazuar nga vendet e Lindjes), apo posterit në vendin tonë, duke filluar qysh në vitet ’60. Ndryshimi është mjaft i dukshëm në të gjitha elementët, qoftë ai teknik, konceptual e përmbajtjesor. Hapja e një ekspozite të tillë ka qenë një ide e hershme e kuratorëve Petraq Papa dhe Ngadhnjim Mehmeti. “Ekspozita synon të paraqesë ecurinë e posterit ndër vite nga studentet e “Institutit të Lartë të Arteve”, sot Universiteti i Arteve, si dhe prirjet e zhvillimeve të sotme të “posterit koncept”, përfaqësuar nga një numër i konsiderueshëm posterash të mundësuar nga organizata “PLAKART” e Maqedonisë”, thotë kuratori Papa, teksa shton se fillimisht ishte menduar ndërtimi i një ekspozite me postera bashkëkohorë, por më pas lindi ideja që pjesës së re t’i shtohej edhe ajo historike. Sipas kuratorit, pllakatet e pjesës “historike” janë nxjerrë nga fondi i Universitetit të Arteve dhe janë realizuar si detyra kursi apo punë diplome nga studentët e ILA-s gjatë viteve ’64, ’70 deri para viteve ’90.
Përmbajtja
Ajo çka të bie menjëherë në sy tek kjo pjesë e pllakateve, është ideologjizimi. Shumica e tyre janë realizuar në raste përvjetorësh, kongresesh apo ditësh të shënuara, si 30-vjetori i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë (11 shkurt 1945-1975), Kongresi IX i BGSH-së, Kongresi IX i PPSH-së, 5 Maji etj. Të  gjitha shquhen për frymën revolucionare. Në qendër të pllakatit janë burra e gra trimëresha, me kazma, lopata e pushkë, me përparësen e punës e shallin e aksionit e pas tyre parulla të tipit: “Të shkojmë në Kongresin IX të PPSH-së me detyra të  realizuara”, “Mbrojmë fitoret, mbrojmë socializmin”, “Gjendja sot i ngjan një vullkani në erupsion, një zjarr që përvëlon, zjarr që do të djegë pikërisht klasat shfrytëzuese e shtypëse” etj., ndërkohë që nuk mungon askund PPSH-ja, apo “Parti-Enver”. Madje, këto të fundit nuk mungonin as në aktivitetet me karakter artistik, siç ishte Festivali i 17-të për Fatosa e Pionierë, Shkodër 1979, apo Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, nëntor 1979, që përkonte dhe me 35-vjetorin e çlirimit të vendit. Po nuk mungojnë edhe pllakatet e tipit: “Të kultivojmë ullirin”, “Më shumë peshk popullit”, “Sa më shumë naftë atdheut” etj. Ndër të tjera janë zgjedhur edhe dy postera filmash: “Një udhëtim i vështirë” dhe “Ata ishin katër”. Por pavarësisht parullave e shprehjeve kallëpe, edhe tek këta pararendës të posterave modernë nuk mungon ana konceptuale, atmosfera, aq më tepër që gjithçka është realizuar me dorë. Edhe sot duken qartë vijat me laps për të mbajtur drejtimin, apo korrektimi i gabimeve. Posterat modernë janë lehtësuar nga ana ideologjike. Ata trajtojnë kryesisht tema sociale, si toleranca, varfëria, ekologjia, AIDS etj. Në një kohë që gjithçka është realizuar përmes teknikave më të fundit kompjuterike. Këto të fundit u  mundësuan nga “Plakart”, të cilat prej 2007-s organizojnë konkursin ndërkombëtar të posterit për studentë. Ekspozita e këtij konkursi zhvillon çdo vit një tur nga Shkupi në Varshavë, Pragë, Paris, Stamboll e këtë radhë edhe në Tiranë.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura