Që nga e hëna e kësaj jave që presim, “Vila 24” në televizionin “News 24” vjen me një imazh të ri. Çdo mëngjes, shikuesit besnikë të këtij formati televiziv do të qëndrojnë nën shoqërinë e Oriela Nebijajt, një vajzë e re, energjike dhe shumë e zonja në prezantimin e këtij emisioni specifik. Çdo gjë thuajse nis nga e para dhe Ori, siç e njohin të gjithë, premton një tjetër dinamikë në “Vilën 24”, të cilën mezi pret ta shpalosë. “Kam përfunduar studimet e larta për Drejtësi dhe më pas kam pasur eksperienca të ndryshme në Juridik, Menaxhim dhe PR/Marketing. Ndërkohë televizioni ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime, pasi është një pasion që buron që nga vegjëlia e kështu do të jetë gjithnjë. Kam prezantuar emisione rinore, sportive, sociale dhe gjithashtu formate për fëmijë. Më pëlqen gjithçka që lidhet me sportin dhe muzikën. Asnjëherë në një angazhim profesional, por gjithmonë kam gjetur kohën të merrem me të dyja”,- na rrëfen ajo, ndërkohë që shton se nisja e punës në stafin e “News 24” ka bërë që të heqë dorë nga shumë gjëra, megjithëse siç thotë dhe vetë ajo, ia ka vlejtur. Me një siguri të madhe në vetvete dhe bindje të plotë, ajo thotë se: “Jam ende e re, ndaj vazhdoj të kem luksin për të besuar se ëndrrat do të bëhen realitet… Ambicie kam shumë për sa i përket karrierës televizive dhe profesionit si juriste e menaxhere aktualisht. Nuk ngurroj të jap maksimumin dhe të mësoj çdo ditë eksperienca të reja. Deri më tani ndërthurja e artit me profesionin më kanë dhënë rafinimin e duhur për të qenë e sukseshme”. Bashkë me Orin, në këndin e kuzhinës në “Vilën 24” do të jetë dhe zonja Vjollca. Sa serioze aq edhe elokuente, sa e shkathët aq edhe e gatshme për të realizuar atë që shumëkush ndoshta s’do ta arrinte dot. Në vitet e shkuara arsimtare, sot zonja Vjollca i është përkushtuar artit të gatimit, ndërsa vetë Ori për zonjën Vjollca shprehet: “Ah, zonja Vjollca është fantastike. Përveçse një kuzhiniere e përsosur, është mikeshë, mama dhe moderatore shumë e mirë. Ndër të tjera ajo ka premtuar se do t’ia dalë të më mësojë dhe mua të gatuaj mirë”. E pra, çdo mëngjes në orën 8 e 30 deri 11:30, qëndroni nën shoqërinë e Oriela Nebijajt dhe zonjës Vjollca, drejtpërsëdrejti në “News24”.











