Nga Brukseli në Amerikë, agjentura komuniste që ndoqi 40 vite familjen e arratisur në vitin 1958! Sakip Skepi: Tmerret që provuan motrat në Shqipëri

Aug 30, 2023 | 14:35
SHPËRNDAJE

sakip skepiAFRIM IMAJ

Sakip Skepi është një nga personalitetet e shquara të diasporës shqiptare me kontribute të spikatura në mbrojtje të çështjes kombëtare. I biri i një nacionalisti me emër nga zona e Dibrës dhe pinjoll i një familje atdhetare, ka mbërritur në Belgjikë në vitin 1966 pas një historie të bujshme arratie me 25 familjarë të tjerë nga Shqipëria e izoluar në majin e vitit 1958.

Vijon nga numri i kaluar

Ka pasur shumë ndodhi e të papritura në jetën e Sakip Skepit, por ajo e arratisë me prindërit dhe të afërmit, për të lënë pas të keqen, represionin dhe kalvarin pafund të vuajtjeve e mjerimit, ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Kjo padyshim për moshën e vogël që kishte asokohe, por jo vetëm për të. Ai kapërcim i përgjakshëm i kufirit, ku thoshin se nuk e kapërcenin as zogjtë e pyllit dhe jeta tjetër përtej kufirit shtetëror, ka shënjuar një nga kreshpat e paimagjinueshme në fantazinë e djaloshit që la në vendlindje vitet e para të fëminisë. Gjithçka më tej në “Tokën e premtuar” dhe në lirinë e vërtetë ka rrjedhur “kreshendo”, fal përkushtimit dhe vizionit të njeriut që dashuron lirinë dhe kontribuon për të dita ditës, me brengën e jashtëzakonshme për plagët e pashërueshme që kishin mbetur larg në vendlindjen e dashur. Emri i mirë dhe karriera e suksesshme në sipërmarrjet e guximshme, patën si themel investimin e pandërprerë dhe shpërfilljen e vetëkënaqësisë. Njëherazi me “Yllin polar” që Sakip Skepi e veçon me një ndjenjë përulje e krenarie. E “Ylli polar” për të ishte Ismail Skepi, i ati, një burrë mendjendritur e nacionalist i shquar jo vetëm i zonës së Dibrës. Mbështetja e këshilla e përditshme e tij, siç shprehet Sakipi, i ka “falur” çelësin e çdo suksesi, i ka ndriçuar rrugëtimin për tu bërë dikush e për të mbetur kurdoherë shqiptar 24 karatësh. Ikja e tij i ka prerë krahët, po e ka motivuar të jetë më kërkues nga vetja e më i lidhur me vendin e të parëve. “Pa atë guximin aventuresk të babës për të kapërcyer Korabin atë natë maji të viti ‘58, shton Sakipi, jetët tona do të rridhnin krejt ndryshe”. Në numrin e sotëm ai tregon për gazetën “Panorama” njëherazi me historinë e familjes në emigrim me dy motrat ne Shqipëri dhe jehonën që ka bërë në radhët e tyre lajmi për rrëzimin e Enver Hoxhës në Tiranë…

Zoti Sakip, a gjetët shumë shqiptarë kur shkuat në Bruksel dhe sa njihej gjendja në Shqipëri aty?

Kur shkuam ne në Bruksel kishte shumë pak shqiptarë dhe ata ishin shumë të shpërndarë. Kishte sakaq dhe Parti politike shqiptare që ishin formuar jashtë Shqipërisë, siç ishte Legaliteti, “Blloku Independent” i Ernest Koloqit, Balli Kombëtar, Partia Agrare e Ndreut e ndonjë tjetër në formë shoqate. Me porosinë e tim eti ne qëndruam si familje larg tyre. Me sa rezultoi më vonë ishte kjo një zgjedhje e mençur. Sa për pyetjen sa njihej gjendja e Shqipërisë aty, mund t’u them se kur shkuam ne, por dhe më vonë, në Bruksel nuk gjeje njeri të kishte dijeni për atë çfarë ndodhte këtej. Fare rrallë gjeje dikë nga vendasit që të kishte një informacion të saktë për Shqipërinë. Kam përjetuar një ndodhi të çuditshme kur u sëmura me tuberkuloz e mjekohesha në një spital. Njëra nga doktoreshat një ditë më pyeti nga isha dhe kur unë iu përgjigja, ajo e habitur më tha se çfarë kërkonim në Belgjikë kur ishim nga një vend i mrekullueshëm. Avash, i them. Ti po fletë si komunistët tanë në pushtet. Jo me thotë, flasë seriozisht. Aty për aty ia ktheva: Nuk është kështu siç thoni ju dhe fillova ti tregoj me radhë aspektet e jetës plotë tmerre në Shqipërinë e izoluar. Dëgjo, ma ktheu, do pyes e do informohem për këtë që thoni dhe do të flasim prapë. Javës tjetër kur u kthye më tha se kisha të drejtë. Me sa mësova më vonë ajo ishte bashkëshortja e kryetarit të Partisë Komuniste Belge. Përgjithësisht, Shqipëria njihej pak ose aspak në Belgjikën e atyre viteve…

Po me atë çfarë ndodhte në Shqipëri në atë periudhë si njiheshit në Bruksel?

Kjo ishte pika më e dobët që e vuanim shpirtërisht. Aty nuk bëhej fjalë të vinin lajme të sakta. Edhe radio Tirana që transmetonte një emision për shqiptarët jashtë atdheut, më shumë bënte propagandë se sa jepte lajme të vërteta. Mundoheshim të mësonim ndonjë gjë nga aq sa kujtoheshin për Shqipërinë mediat prestigjioze…

Në çfarë rrethanash e mësuat aty lajmin për rrëzimin e monumentit të Enverit në Tiranë?

Të tilla lajme i transmetonin mediat vendase, por edhe të tjerat, se nuk ishin të zakonshme. Më herët ato kishin dhënë lajmin për vdekjen e Enverit në 11 prill të vitit 1985. E mbaj mend si tani atë moment. Asokohe punoja në një zyrë financash dhe aty kishim një kompjuter që lidhej me bursën dhe me agjencitë e lajmeve si AFP apo Belga agjenci. Një moment ngrita kokën lart dhe poshtë rubrikës lajme nga Shqipëria lexova: Udhëheqësi Hoxha në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Nuk zgjati shumë dhe lajmi u përditësua: Ditatori Hoxha ndërroi jetë. U gëzova pa masë dhe nxitova të telefonoj babain: Urime se vdiq Enveri!, i thashë . Nga ana tjetër e telefonit me një zë të ngjirur dëgjoj shfrimin e tij: Shpëtoi më në fund populli! Zgjati ajo kohë sa zgjati me Ramiz Alinë, por ne e dinim se nuk ishte e njëjta reprezalje dhe nuk do të shkonte shumë. Fatmirësisht ra muri i Berlinit dhe do binte dhe murtaja e komunizmit në Shqipëri sikundër ra. Kur morëm vesh rrëzimin e monumentit të Enverit bëmë festë në Bruksel. Më kujtohet reagimi i gëzuar i tim eti atë ditë që tha: Rroftë rinia shqiptare që e përmbysi atë sistem duke e zvarrit monumentin e diktatorit nëpër rrugët e Tiranës…

Kjo do të thoshte se tashmë ju mund të riktheheshit në Shqipëri…

Përveç të tjerash ky ishte përfitimi i parë i ne emigrantëve që e kishim lënë Shqipërinë herët. Ca më tepër për familjen tonë që kishim lënë këtu dy motrat. Përtej këtyre, nga ky moment ne do shpëtonim një herë e mirë dhe nga përndjekja që na bënte sigurimi i shtetit me lloj-lloj spiunësh e agjentësh të paguar e vullnetarë…

E vuanit shumë përndjekjen e shërbimit të fshehtë në atë periudhë?

Patjetër që e vuanim, se kishim të bënim me dikë që nuk na shfaqej ballazi, por na ndiqte si hije kudo. Më shumë e ndjenim si një hije që nuk na shqitej, po nuk e dallonim si materie. Kura kam marrë dosjet e sigurimit para disa vitesh nga Autoriteti i dosjeve, dosjen time dhe të tim eti, jam befasuar e habitur. Nuk kishte ditë që shërbimi i fshehtë mos të kishte të dokumentuar dinamikën tonë, lëvizjet, çfarë komunikonim me të tjerët, takimet me miq e shokë e deri te bisedat familjare. Kur ua tregoj këtë miqve në Bruksel u duket e pamundur. Megjithatë ka qenë një realitet sa i poshtër aq dhe tinëzar. Rrjeti i agjenturës na ka ndjekur nga Belgjika deri në Uashington. Një tabor me spiunë, zyrtarë e “dashamirës” ka zbardhur në letër gjithçka për familjen tonë. Nuk e di për çfarë, por aty hidhen lloj-lloj hipotezash sikur nuk bëhej fjalë për emigrant, por për përbindësha që do shqyenin pushtetin e Enver Hoxhës. Dhe kur pra, kur në kufijtë e Shqipërisë ishin aq të blinduar saqë me zor mund të kalonte zogu. E kaluar kjo tashmë, sado e dhimbshme…

Po me motrat që ishin në Shqipëri, çfarë kishte ndodhur?

Një tmerr pa fund kishte rrjedhur jeta e tyre. Nuk mundja ta besoja kur më tregonin në takimin pas 45 vitesh. Ato të gjorat, fëmijët dhe familjet e tyre, kishin hequr në kurriz gjithë shpagimin e pushtetit komunist për atë arratinë tonë nga Korabi në vitin e largët 1958. Në Shqipëri e dinin mirë çfarë do të thoshte familje e të arratisurit.

Dokumenti: Duan të desantojnë si grupi i Xhevdet Mustafës

Islam Skepi organizatori i arratisë së bujshme të vitit 58 nga mali i Korabit, ka qenë i skeduar nga organet e sigurimit të shtetit fill pas përfundimit të luftës si “njeri i rrezikshëm” , “me tendenca arratisje”. Çuditërisht ndërprerja e përpunimit A-A, siç cilësohej në gjuhën teknike, i është bërë një ditë para largimit, në fillim të majit 58 me argumentin se “ka ndryshuar sjellje” dhe “po ndërton një shtëpi të re çka largon çdo dyshim për arrati”. Fashikulli për mbylljen e dosjes mban firmën e kryetarit të degës së Peshkopisë Banush Goxho.

Po dosja është hapur fill të nesërmen sa është marrë vesh lajmi se Islam Skepi me familjen është arratisur në Jugosllavi. E që nga ajo ditë e deri sa ndërroi jetë sigurimi i shtetit e ka ndjekur hap pas hapi me vëzhgime e gjurmime nga më të ndryshmet. Në dosjen e Islam Skepit, njëherazi dhe të djalit të tij Sakip Skepi, që me mbërritjen në Bruksel u bë po kaq i rrezikshëm për regjimin sa dhe i ati, ka të dhëna e përshkrime gati për çdo ditë. Nga Belgjika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një rrjet i gjerë agjenturor ka ndjekur pandërprerë për 40 vite me radhë të gjitha lëvizjet e tyre dhe të familjeve të tjera të arratisura në majin e vitit 58.

Veçanërisht pas zbarkimit të bandës së Xhevdet Mustafës në fillim të viteve 80 në Shqipëri, i gjithë fokusi i shërbimit të fshehtë përqendrohet në pandehmat e organizimit të një bande tjetër nga “reaksioni antishqiptar në Belgjikë” ku protagonist kryesor shfaqet sipas tyre Islam Skepi me të birin që përpiqen të shkollojnë ushtarakisht grupe të rinjsh të arratisur për t’i depërtuar në Shqipëri. Kanë qenë apo jo të vërteta të tilla të dhëna, kjo nuk u zbardh asnjëherë. Ajo që dihet është fakti që Islam Skepi me familjen u arratis për një jetë më të mirë dhe nuk u përfshi në asnjë angazhim politik, sikundër ishte dhe ai opozitar në diasporë, por kontribuoi energjikisht për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

DOKUMENTET INFORMACION TIRANË MË 31.12.1979

Në një rast kur flitej për kthimin e të arratisurve në Shqipëri, ku merrnin pjesë shumë nga djemtë e të arratisurve, midis tyre D.D, A.H dhe djali i Ismail Skepit dhe diku më tej ishte ulur M.I. E.S, T.N e të tjerë, ndër të rinjtë u shpreh mendimi se për kthim përveç të tjerash bëhen pengesa dhe vet të arratisurit nga radhët e të cilëve bashkëpunojnë me ambasadën shqiptare në Paris. Që të tre personat e mësipërm D.D, A.H dhe djali i Islam Skepit hodhën idenë e krijimit të një organizate terroriste të përbërë nga një rrjet i ngushtë personash që të merren posaçërisht me vrasjen e njerëzve që bashkëpunojnë me ambasadën shqiptare në Paris, si dhe ata që janë pro Shqipërisë. U hodh ideja se kjo organizatë nuk duhet të zgjerohet më shumë se katër pesë veta dhe duhet të jetë shumë sekrete. Materiali u nxor nga dokumenti i bashkëpunëtorit “Jupiteri”.

NJOFTIM MË 27.1.1978

Shoku H.K me telin nr. 15 datë 27.1.1978 njofton: Në muajin shtator tetor kanë qenë dhe janë larguar Islam Skepi te G.D që është milic në Gostivar, H. Xh nga Australia ka ardhur në katundin Ç G nga Parisi ka qenë te njerëzit e gruas në katundin Lisec të Tetovës. Ky ka thënë se në vendet e ndryshme perëndimore përgatiten grupe diversioniste për tu dërguar në Shqipëri. V.S nga Amerika ka qenë në fshatin Strajan Gostivar, i arratisur edhe ky. U nxor për Islam Skepin dhe fashikullin e veprimeve diversive nga punonjësi operativ I. Xhafa. Shënim. Ismail Skepi ka me vete edhe të shoqen Hile Skepi nr. 1020.

INFORMATË

Sa herë që L.Z ka arritur në Bruksel nga aeroporti ka udhëtuar me makinën e drejtuar nga Sakip Islam Skep, prandaj Jugosllavët nuk i japin vizë për të hyrë në Jugosllavi ku ka dëshirë të kalojë pushimet, Islam Skepi ka blerë shtëpi të re, punon në pastiçerinë “Vitomera” dhe jeton bashkë me djalin. Ky i fundit punon në firmën “Invation” dhe nga “Panari” e “Bibloteka” më 13.9.1980.

INFORMATË

Me vdekjen e Mehemt Shehut në radhët e të arratisurve kanë filluar të bëhen komente nga më të ndryshmet. Ka që thonë se Mehmet Shehun e kanë vrarë. Në Shqipëri thuhet se ka një komplot pro kinez ose rus. Mehmeti ka qenë pro kinez dhe nuk ka dashur që Shqipëria të shkëputej prej saj. Në një bisedë që ka pasur H.C me Islam Skepin ky i fundit i ka thënë: Thonë se Mehmet Shehu vrau veten, po kjo nuk është e vërtetë. Atë e kanë vrarë. Udhëheqësi kryesor është arrestuar. Ka një komplot, po nuk ka të dhëna të sakta.

DHËNË NGA BR “SHPRESA” TELEFONATË 23.55.1985

Sipas N.R del se pas vdekjes së Enver Hoxhës amerikanët kanë thirrur pesë zbulues nga Anglia të cilët janë përdorur nga misioni anglez në Shqipëri në vitet e luftës. Ndërkohë, këta thirrën disa të arratisur për të analizuar gjendjen në Shqipëri dhe veprimet konkrete që duhen të kryhen për ndryshimin e regjimit shqiptar. Ndërkohë, ka të dhëna se në Amerikë janë thirrur dhe disa zyrtarë nga Jugosllavia, kuadro të organeve të punëve të brendshme që ndjekin drejtimin e Shqipërisë. Islam Skepi me një rreth të ngushtë emigrantësh është duke grupuar një grup të rinjsh të ardhur në Bruksel e perëndim nga Kosova dhe Shqipëria për veprime kundër Shqipërisë. Islam Skepi në krye të grupit reaksionar të diasporës i ndihmuar dhe nga Amerika do ndikojë për përmbysjen e regjimit në Shqipëri duke futur fillimisht grupe të arratisurish, të cilët do të ndihmohen dhe nga njerëz besnik. Së shpejti, pritet të shkojë në Greqi një grup i arratisurish dhe aty do të bëjë një mbledhje lidhur me veprimet diversive kundër vendit tonë.

Sigurimi: Islam Skepi është trim, guximtar dhe i shpejtë

Islam Skepi, nacionalisti i njohur që organizoi arratinë e 25 personave në maj të vitit 58, krahas armiqësisë me pushtetin popullor, vlerësohej nga organet e sigurimit si trim, guximtar dhe I shpejt. Kjo ishte dhe shprehja e fundit me të cilën mbyllej biografia e tij në relacionin e firmosur nga Banush Goxhaj, kryetar i degës së Brendshme të Dibrës. Pasi përshkruhen gjenalitetet ku theksohet se Islam Skepi, I biri i Bajramit dhe Fatimes, i datëlindjes 1916 në katundin Blliçe të rrethit të Peshkopisë, i martuar me fëmijë, i dënuar më parë me 5 vjet burg për të kaluar te keqe, me kombësi e shtetësi shqiptare me gjendje shoqërore fshatar i mesëm, vihet në dukje se qëndrimi i tij në kohën e Zogut ka qenë indiferent, por si njeri që ka pasur mik Hali Alinë ka qenë i përkrahur dhe nga regjimi. Me ardhjen e okupatorit Italian në vendin tonë, Islami, nënvizohet në dokument, si mik që e kishte Halil Alinë është inkuadruar në radhët e milicisë. Ka qenë një armik i vërtetë i lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare, se Halil Alisë i kishte dhënë motrën e vet. Mbas çlirimit të Shqipërisë aty nga viti 1946 atij i kërkohej një pushkë dhe për këtë e arrestojnë dhe e dënojnë me pesë vjet burg, si njeri me të kaluar të keqe dhe për qëndrimin armiqësor që mbante me pushtetin popullor. Mbasi bëri dy vjet burg u lirua dhe erdhi pranë familjes së tij. Këtu si njeri armik filloi veprimtarinë e tij armiqësore për kundër pushtetit popullor. Për këtë u vu në përpunim nga ana jonë për një farë kohe, por nga moskontrolli i mirë i tij, u hoq nga përpunimi e vëzhgimi operativ. Kështu më 12 maj 1958 mundi që të organizojë një grup elementësh armiqësor dhe të arratiset në Jugosllavi. Ky ka qenë organizatori kryesor që mori me vete familjen e tij dhe të Hali Alisë. Islami në përgjithësi ka pas përdorur shumë mirë armë gjermane, italiane dhe jugosllave. Nga populli njihet njeri trim, guximtar dhe i shpejtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura