TIRANE- Zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli njoftoi sot se lista prej 56 artikujsh të importit të mbetjeve jeshile që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi është përgjysmuar në 25 artikuj.
Ajo tha se, kryeministri Berisha firmosi dje vendimin “Për disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi”
Vendimin për ta reduktuar numrin nga 56 në 25 ka ardhur pas konsultimeve të gjëra me shoqërinë civile, që sipas Mëhillit, Kryeministri është i vendosur të dëgjojë zërin e tyre.
Ajo bëri thirrje që këto organizatat të fushës së mjedisit të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre të pandërprerë në mbrojtjen e mjedisit, duke u bërë jëkohësisht thirrje që të shmangin rënien në anti-globalizëm, sipas saj, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit.
“Pas konsultimesh me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend.”- thuhet në deklaratë.
Kjo industri, sipas Mëhillit, në kapacitetet e saj të mëdha përpunuese ka jetike lëndën e parë, dhe sasitë e saj në vend janë të pamjaftueshme.
Duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij është parësor për qeverinë shqiptare pasi për konceptin e saj, mjedisi është jeta, qeveria është e vendosur të ruajë një dialog konstant me shoqërinë civile, përfundoi ajo.
© Panorama.al











