Për kapiten Rahmiun, një nga personazhet kryesore të filmit “Duel i heshtur”, që tentoi të arratisej, sot, mbesat e tij, e kryesisht Nexhmija, ajo për të cilën deri vonë në qytetin e Shkodrës flitej se ishte e bija, tregojnë historinë që kanë dëgjuar nga dëshmitarë, miq e familjarë të tyre. Histori kjo që përmbys variantin e ‘partisë’ dhe titullin e pavlerë të Spiro Kotes si “Hero i Popullit”. Martesën e të atit me gruan e të vëllait dhe fotot e murosura të axhës në parmakun e dritares.
“Dy persona, kapter Rahmiu dhe Islami rrëmbejnë një anije ushtarake për të emigruar në Itali. Ata luftojnë me marinarin Skënder Guri, i cili përleshet me ta dhe arrin ta kthejë anijen përsëri në Shqipëri”. Ky është subjekti i përmbledhur i filmit “Duel i heshtur”. Ose më mirë e thënë, ky është subjekti që ‘partia’ ka dashur të ngulisë fort në mendjen e shikueseve. E cili regjisor a skenarist do të guxonte të kundërshtonte?! Por pavarësisht kësaj, sot, që kushdo është i lirë të thotë fjalën e tij, subjekti i këtij filmi përmbyset krejt. Rrëfenjat e dëshmitarëve të ngjarjes e përmbysin, edhe pse edhe dëshmitarët nuk paraqesin të gjithë të njëjtin version. Motrat me të cilat kemi folur, Nexhmije Mati dhe Agime Broci, ishin vajzat e vëllait të Enver Kruçit, personazhi që në filmin “Duel i heshtur” ishte kapter Rrahmiu. Më e madhja prej tyre dyshohej deri vonë që ishte vajza e Enverit, e që i kishte mbetur të vëllait të tij, Xhevdet Kruçit, gjithashtu marinar, si i vëllai. Deri në vitet e gjimnazit, Nexhmija nuk mund veçse të qante, sepse nuk kish përgjigje për shokët e shkollës që ia përplasnin në fytyrë këtë histori të tjetërsuar të lindjes së saj, por së pari nuk i lejoheshin pyetje brenda familjes. I ati, Xhevdeti, e kishte varrosur atë histori bashkë me të vëllain. Motrat shkodrane Kruçi nuk kishin parë as edhe një fotografi të xhaxhait (axhës) deri pak muaj përpara vdekjes së të atit, kur ai vendosi t’i nxjerrë nga harresa e 65 viteve. Sot, fotografitë e “kapter Rahmiut” botohen për herë të parë, siç për herë të parë i panë edhe vajzat e Xhevdet Kruçit pas kaq shumë vitesh. Ato nuk janë në gjendje që të dallojnë xhaxhain e tyre në fotografinë e grupit të marinarëve, sepse i ati, edhe në ditët e fundit të jetës së tij, nuk ua ka treguar. E ëma ka qenë po aq hermetike sa ai. Të gjithë jetën, përveçse e kanë kaluar me dhimbjen e ngjarjes, u është dashur të rrinë të heshtur edhe përpara ‘vëzhguesve’.
Nexhmije, cili është varianti juaj i tri vrasjeve që kanë ndodhur më 5 qershor të vitit 1947, prej nga është marrë edhe subjekti i filmit “Duel i heshtur”?
Më duhet të them së pari se ai film nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, me atë ngjarje që na është treguar ne. Axha ynë, Enver Kruçi, që në film është kapter Rahmiu, e që ka qenë marinar, atë ditë nuk ka qenë në shërbim, megjithatë e kanë thirrur sepse në det kishte mbetur një anije me një kapiten. Lidhjen me detin ne e kishim të hershme, ishte e trashëguar në familje. Gjyshi, xhaja, babai e përpara tyre ishin marrë që herët me daljet në det. Kishim edhe velë tonën, sepse ishim ulqinakë. Pra, Enveri njihej për mjeshtërinë e drejtimit të motovelës. Bashkë me të është nisur edhe Spiro Kote dhe dy marinarë të tjerë.
Dokumenti i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Durrësit thotë se marinarët kanë tentuar arratisjen drejt Italisë, apo jo?
Axha nuk kishte asnjë nevojë për t’u arratisur. Ju thashë që ata kishin jetuar mirë dhe mund ta kishte bërë këtë tentativë me velën e tyre, nuk kish pse të përziheshin edhe njerëz të tjerë. Për më tepër që nuk kish se si ta linte nënën vetëm. Ajo ka qenë gjithnjë e bindur kur kemi bërë vite më vonë këtë bisedë. “Aq fort sa kemi qenë të lidhur, thoshte, nuk e bënte kurrë pa më thënë mua, ose do më merrte me vete”.
Si nënën? A ka qenë gruaja e xhaxhait?
Axha ka ndenjur për tri vite i martuar me gruan, që më pas u bë nëna jonë. Ata nuk patën fëmijë e babai, për të mos e lënë të dilte nga familja, e meqë ishte beqar, u martua me të.
Kjo është arsyeja që ju konsideronin vajzën e Enver Kruçit?
Po, edhe pse datat nuk përkojnë. Ai ka vdekur në vitin 1947, ndërsa unë kam lindur më 1950-n.
Ç’ju kanë treguar për vdekjen e tij, si ka ndodhur?
Agimja: Këtë gjë e kemi marrë vesh shumë vonë, sepse emri i axhës në shtëpi as që përmendej. Siç ju thamë, ai ka drejtuar motovelën. Spiro Kote, që ka dashur për vete të arratiset, kur e ka parë që ka qenë e pamundur, ka vrarë dy marinarët e tjerë, ndërsa Enverin e ka lënë të gjallë derisa kanë mbërritur në mol. Arsyeja pse e ka bërë këtë, ishte sepse Spiro Kote nuk dinte t’i jepte motovelës. Ulqinakët e tjerë janë mbledhur përreth molit dhe kanë parë me sytë e tyre që motovela ka bërë disa rrethrotullime përreth molit e më pas Enver Kruçi është qëlluar në breg, për të mos ngelur asnjë dëshmitar nga ngjarja. Kështu Spiro Kote dilte i larë e mund të akuzonte si të donte marinarët për tentativë arratisjeje.
Çfarë ndodhi me babain tuaj pas kësaj historie? Prekeshin të gjithë pas një ngjarjeje të tillë…
Babain e morën në qeli, ku e kanë lënë të lidhur në çimento për 45 ditë pa ngrënë e pa pirë.
Mandej, pas lirimit, babai u martua me gruan e të vëllait?
Po, dhe vit pas viti lindëm ne, katër motra.
Kur e morët vesh ju që mamaja juaj kishte qenë më parë gruaja e axhës?
Nexhmija-Ne e kemi marrë vesh shumë vonë. Asnjëri prej të dyve nuk e përmendte. Në kohën e gjimnazit kujtoj që më pat thënë dikush se unë isha vajza e Enverit. Madje edhe i fejuari im, kur kishte pyetur rreth meje, siç më pat thënë më vonë, i kishin thënë që isha vajza e Enverit. Jam kthyer duke qarë në shtëpi dhe pyes nënën se ç’ishte e gjithë kjo histori. Pse nuk më tregonin të vërtetën se kë kisha babë?! Ata përpiqeshin të bënin shpjegime të largëta, pra duke më dhënë përgjigje të sigurt që isha vajza e Xhevdetit, por duke sjellë vërdallë historinë e Enverit.
Pra, ju duhet të keni qenë më e persekutuar se motrat e tjera…
Të gjitha ishim. Mbetëm pa shkollë, punuam që në moshë fare të vogël. Edhe në ato punë që ishim, na trajtonin keq.
Duhet t’ju kenë trajtuar edhe më keq kur doli filmi…
Agimja: Kujtoj që kur kam shkuar në punë atë ditë, kokulur, sepse prisja reagim, gjithë shoqet pyesnin a e pe filmin mbrëmë. Në fabrikën e këpucëve ku punoja, përgjegjësja uli çelësin e makinerive që të ishte heshtje e plotë dhe pyeste me zë të lartë “A e patë filmin mbrëmë?”. Unë as nuk mund të përgjigjesha.
Po vite më vonë, kur kishte kaluar rreziku se bisedat për xhaxhain mund të kërcënonin familjen, a bisedohej në shtëpi për martesën e parë të nënës me të? A ju tregonte ajo diçka rreth tij?
Na tregonte se ka qenë njeri shumë i dashur e i butë. I apasionuar pas fizarmonikës, se i bënte qejfin gjithnjë, ndryshe nga baba që ka qenë më i vrazhdë. Nëna ka mbajtur gjithë jetën shami në kokë dhe thoshte që, sapo axha kthehej në shtëpi, i thoshte ‘hiqe tani atë shami, pse e mban?’.
Po babai nuk ju ka folur kurrë?
Ai ishte tip i mbyllur, kujtojmë që ndonjëherë, vetëm qante nën zë pa u shprehur. Ne fotot e axhës i kemi parë vetëm pak muaj përpara vdekjes së tij, aq hermetik ishte.
Ku i kishte fshehur këto foto, që nuk mundi t’i shohë askush në shtëpi?
I kishte murosur në parvazin e një dritareje në shtëpi, edhe pse vazhdimisht thoshte “edhe muret kanë vesh”.

DOKUMENTI
Drejtoria e Punëve të Brendshme Durrës
Dega e Ndjekjes së Krimeve
Durrës, 5 qershor 1947Lënda: Marinar Spiro Kote vret kapter Vlash Bushin dhe dy të tjerë për tradhti arratisjeje.
Ministrisë së Punëve të Brendshme (degës për zhdukjen e krimeve)
Tiranë
Ju parashtrojmë se më datën një të këtij muaji, ora 16:00:
1. Kapter Vlash Bushi i Vasilit dhe i Katerinës, datëlindja 5 korrik 1912, lindur dhe banues në Durrës.
2. Marinar Xhemal Kërrniqi, biri i Mustafait dhe i Bedries, datëlindja 13 shkurt 1920, lindur në Shkodër dhe banues në Durrës.
3. Marinar Enver Kruçi i datëlindjes 24 qershor 1924, lindur dhe banues në Shkodër, që të tre me shërbim në kapitanerinë e Portit Durrës, duke mashtruar rojën e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, marinar Spiro Koten me pretekste të ndryshme, janë nisur për t’u arratisur drejt Italisë. Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të mezo kanalit, i njoftojnë marinarit roje qëllimin e tradhtisë dhe ikjen për në Itali.Enver Kruçi
Kur Enveri pa se Vlashi ra përpara tij i vrarë, u ngrit. Unë duke mos ditur se Enveri kishte revolver, pasi nuk dija të drejtoja motovedetën, vendosa ta detyroja këtë me automatik në dorë që të kthente motovedetën dhe ta drejtoja për në Durrës, por kur pashë se ai nxori menjëherë revolverin e tij, i dhashë në kokë disa të shtëna automatiku dhe e lashë të vrarë në vend. Për mua puna më e zorshme ishte të ktheja dhe të drejtoja motovedetën, sepse nuk kam drejtuar kurrë deri sot, megjithatë me guxim e ktheva me atë shpejtësi që kishte, me gjithë dallgët dhe lëkundjet që më bënte, mora drejtimin për në Durrës. Ora ka qenë 18:00. Në këtë kohë dëgjoj të rënkuarat e Xhemalit dhe pashë se nuk kishte vdekur, por po mundohej të ngrihej. Duke rezistuar më tha: “Ah ta dinim kështu, do të të kishim mbytur”. Atëherë i dhashë një të goditur me tytën e automatikut, pasi ishte i plagosur keq. Pasi lashë këtë, kontrollova dhe dy të tjerët, për të cilët u sigurova se kishin vdekur. Tradhtarët gjatë udhëtimit më thoshin se në Itali do të shkonin mirë, do t’u jepte para Bazi i Canës, do të shkonin në Angli dhe në Amerikë, se këta të qeverisë në Shqipëri e kishin humbur davanë, se anglezi ka flori e çokollata etj.
Në Durrës erdha rreth orës 20:00 me vështirësi. Aty më erdhi menjëherë Anastas Qendro, kapteri i marinës, të cilit i thashë menjëherë se ç’kishte ndodhur. Shtoj se para se të nisesha nga Durrësi, Vlashi ishte shumë i emocionuar. Hynte e dilte në motovedetë, se ndoshta priste edhe shokë të tjerë. Unë si marinar kreva detyrën time kundër tradhtarëve. Mbi ngjarjen e sipërme kjo zyrë dhe ajo e qendrës ka marrë dijeni vetëm pasi janë përfunduar
hetimet prej Prokurorisë publike dhe seksionit të Sigurimit.Drejtori i Punëve të Brendshme
Kapiten i dytë
Lefter Lakrori
ANI JAUPAJ











