Neurokirurgjia shqiptare në vëmendjen e revistës amerikane

Aug 10, 2024 | 8:12
SHPËRNDAJE

NGA MENTOR PETRELA  mentor petrela

Ekipi i neurokirurgëve dhe neuroradiologëve shqiptarë ka botuar në “Journal of Neurosurgery”, gusht 2024, serinë e trajtimit të aneurizmave gjigante të trurit, te revista kryesore amerikane e botërore e neurokirurgjisë. Ne këtë eksperiencë, që më parë ishte paraqitur në forumet europiane e botërore, kur u ekspozua në Barrow Institute, qendër ekselence në SHBA për neurokirurgji, drejtuesit Michael Lawton, këtë korridor të përdorur në kirurgjinë e aneurizmave gjigante të trurit, e quajti shumë interesante dhe rekomandoi botimin në revistën prestigjioze. Aneurizmat janë flluska në muret e arterieve, që vijnë si pasojë e mungesës së një shtrese në murin e arteries ose i çarjes së këtij muri. Kur ato lokalizohen në tru, janë mjaft të rrezikshme, pasi shkaktojnë vdekshmëri të lartë, ku statistikat kanë treguar se 50% e pacientëve nuk arrijnë dot në kohë në spital. Frekuenca vjetore e çarjes është 10/100.000 banorë.

Zakonisht manifestohen me hemorragji në tru dhe hasën më tepër në moshat mbi 40 vjeç, kur faktorë si Hipertensioni Arterial janë kontribuuesit kryesorë në çarjen e murit të arteries dhe për pasojë, të aneurizmës. Aneurizmat mund të zbulohen rastësisht kur kryhet Skaneri CT dhe rezonanca MRI e trurit për shkaqe të tjera sëmundjesh neurologjike e neurokirurgjikale ose kur pacientët i kryejnë ekzaminimet e mësipërme me dëshirën e tyre. Në një përqindje të vogël aneurizmat janë familjare, ose lidhen me sëmundje gjenetike të defekteve të murit të arterieve, që së fundmi mund të përcaktohen nëpërmjet investigimit gjenetik. Në pjesën më të madhe aneurizmat e trurit kanë dimensionin e një kokrre misri kur ato shpërthejnë duke shkaktuar hemorragji vdekjeprurëse, ose me pasoja të rënda për cilësinë e jetës. Në 2- 3% aneurizmat janë gjigante në madhësi, që marrin formën e pamjen e një qershie të madhe ose arre, kur muret kalcifikohen e mundet që ajo të vetëtrombozohet.

Operacioni parë në Shqipëri për aneurizmat e trurit është kryer nga Profesor Xhelal Kurti në vitin 1972, me hapje të kokës. Me aplikimin e mikrokirurgjisë pas viteve ‘80, u krijua një eksperiencë e gjerë e shërbimit të neurokirurgjisë, në tekniken e mbylljes me clipping, një lloj kapëseje metalike, që vendoset në qafen e fluskës kur del nga arteria. Pas viteve ‘90 fillon dhe zhvillohet teknika e mbylljes së aneurizmave të trurit pa hapje të kokës nëpërmjet kateterit arterial, që futet brenda aneurizmës dhe brenda saj lëshohen tela sa fije floku materialesh që provokojnë trombozën, pasi mbushin nga brenda aneurizmën. Më pas janë përdorur stentet si unazat e zemrës për të forcuar murin e dëmtuar të arteries nga aneurizma. Kjo teknikë mininvazive pa hapje të kokës përdoret aktualisht në 80% të trajtimit të aneurizmave të trurit. Në sajë të kontributit e asistencës në disa vite e në vazhdim të ekipit të Spitalit Lariboisiere në Paris me Profesor Emanuel Houdart, kjo teknikë realizohet në Shqipëri që nga 2008, nga neuroradiologë intervencionues shqiptarë.

Botimi unik i eksperiencës shqiptare në aneurizmat gjigante është një kontribut, i cili shërben në njohjen e një teknike të veçante të përdorur “korridori kontralateral” për mbylljen e aneurizmave gjigante që në rastin e një eksperti që e zotëron nëpërmjet ushtrimit në laborator, mund ta realizojë teknikën duke ia propozuar pacientit si opsion. Pas botimi shqiptar në këtë revistë me peer reviewers më të lartë në botë, behet i rekomandueshëm për komunitetin e neurokirurgëve dhe neuroradiologëve intervencionues, sidomos në SHBA, Kanada, që të informojnë pacientët për këtë opsion në trajtimin e aneurizmave gjigante të trurit. Ekipi i neurokirurgjisë i QSUT me botimin e fundit, i pesti në “Journal of Neurosurgery”, sipas altmetric të saj radhitet në rajon me Greqinë, Kroacinë e Slloveninë, duke lënë mbrapa Rumaninë, Bullgarinë e Serbinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura