Neurokirurgjia, do shtohen 3 rezonanca për pacientët

Aug 17, 2011 | 10:47

Një rrjet i ri aparaturash të fjalës së fundit në spitalin e neurokirurgjisë ka mbyllur gamën e investimeve në këtë pavijon. Neurokirurgët e QSUT-së tani i kryejnë ndërhyrjet e tyre në salla të reja operacioni. Shërbimi ka tashmë një fytyre të re. Investimi prej 7.1 milionë eurosh është dhënë në formën e një kredie të butë nga qeveria austriake. Gjatë inspektimit të kryer dje nga ministri i Shëndetësisë në këtë shërbim, u bë me dije se do të vijnë edhe aparatura të tjera. “Pajisje të tilla mundësojnë që truri të eksplorohet deri në thellësinë e tij dhe në këtë mënyrë stafi që funksionon në Neurokirurgji të realizojë ndërhyrje, të cilat kanë qenë të paimagjinuara më parë”, tha Vasili. Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, theksoi se nga ky grant do të blihen dhe tri rezonanca. “Ky projekt përfundon me arritjen e akseleratorit, që është pajisje që futet dhe do të trajtojë tumoret me metodën më të mirë”, tha Petrela. Nëpërmjet këtij investimi, për herë të parë pacientëve që i drejtohen Shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT u mundësohet trajtimi i sëmundjeve tumorale me precizion të lartë dhe efekte anësore minimale, duke përdorur akseleratorët linearë. Shërbimi i Neurokirurgjisë, sipas Petrelës, tashmë nuk ka asnjë diferencë me simotrat e tij në vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. “Mund të themi që neurokirurgjia operon tashmë me teknologjinë më të avancuar, çka do të thotë cilësi më e mirë shërbimi për pacientët”, tha Petrela.

© Panorama.al

Te lidhura