Nesta, lamtumirë Milan: Ky, sezoni im i fundit

May 11, 2012 | 13:04

Konfirmimi i parë zyrtar erdhi, Alesandro Nesta, 36-vjeçar, hedh i pari firmën në kapitullin melankolik të librit të largimeve të Milanit në këtë fundsezoni. Një nga luftëtarët më të mëdhenj të 10 viteve të fundit të trupës së “Djallit”, një nga mbrojtësit më të mëdhenj që historia e Milanit, por edhe ajo e futbollit botëror ka njohur, nuk do të zbresë më në fushat e arenës europiane nga viti i ardhshëm. Dje, jo me lot në sy, por si gjithmonë me stilin e tij elegant, Nesta ka falënderuar ata që e kanë mbështetur në karrierën e tij dhe ka përshëndetur të gjithë, edhe pse ka ende një ndeshje për të luajtur në “San Siro”, pse jo si kapiten, si një lider i padiskutueshëm i një klubi madhështor. “Ky ishte sezoni im i fundit me Milanin, – tha mbrojtësi roman. – Bëra pak llogaritë e ritmit të kampionatit italian, të Ligës së Kampioneve dhe të Kupës së Italisë dhe përfundimi është që nuk më lejohet të luaj gjithmonë. Nuk kam durim të qëndroj në pankinë, sepse nëse nuk ndihem i rëndësishëm, atëherë është më mirë të qëndroj në shtëpi. E mora këtë vendim që në muajin shkurt, me qetësi të plotë”, ka pohuar mbrojtësi.

Ikin edhe Sedorf me Inzagin
Ndryshe nga Nesta, lamtumira të hidhura pritet të jenë për Sedorfin dhe Inzagin. Mesfushori duket i pikëlluari më i madh, sepse polemikat që pati me trajnerin Masimiliano Alegri nuk do t’i lejojnë atij të zbresë në ndeshjen e fundit kundër Novarës. Ndërkohë, edhe Filipo Inzagi duket se ka nxituar për të fituar sado pak forcë fizike, për të zbritur edhe ai në fushë kundër Novarës, por është e sigurt se edhe ai do largohet nga Milani.

Milan refuzon Lampard: Rrogë e lartë
Dje, mediat angleze kanë zbuluar një prapaskenë tepër interesante për sa i përket mesfushorit anglez të Çelsit, Frenk Lampard. Sipas së përditshmes “Daily Mail”, menaxheri i mesfushorit anglez i ka telefonuar ditë më parë administratorit të Milanit, Adriano Galiani. Menaxheri i anglezit i ka matur pulsin drejtuesit të Milanit, por, me sa duket, ky i fundit ka refuzuar ta marrë në gjirin e klubit kuqezi mesfushorin anglez. “Lampard është një futbollist i madh, të cilin kam vite që e kam kërkuar të vinte te Milani. Por, për fat të keq, ai ka një pagë prej 5.5 milionë eurosh në vit, të cilën ne nuk mund t’ia paguajmë”, tha Galiani.

© Panorama.al

Te lidhura