
TIRANË-Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen nga posti që mban si numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Spahiu ka pranuar se per 4 vite eshte gjendur perballe presionit te pushtetit dhe ka njoftuar se sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese si “i vetmi arbitër që të zgjidhë konfliktin mes dy pushteteve dhe për t’i thënë stop veprimtarive antikushtetuese”. Për t’i hapur rrugë një vendimi të paanshëm, ai beri me dije se largohet nga detyra, duke garantuar se nuk kthehet edhe sikur vendimi të jetë në favor të tij.
“Marr vendimin të largohem nga detyra se kjo nuk është një luftë personale. Garantoj që edhe sikur Gjykata Kushtetuese të pranojë kërkesën time nuk kthehem më në këtë detyrë. Karriget ashtu si dhe jeta janë të përkohshme, kauzat janë të përjetshme”- ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se gjatë gjithë kohës që ka qenë në krye të detyrës ka qenë nën një presion dhe agresion të vazhdueshëm të pushtetit.
“Që korrik 2008 nisi udhën një konflikt pushtetesh, kur ish ministri i Drejtësisë kërkoi mandatin tim, do të kalonin 3.5 vite përpjekje, debate për të zgjidhur konfliktin e mosndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin. Për tre vite kishim një Kuvend që paralizoi reformën në drejtësi. Reforma u paralizua për shkak të krizës politike në kuvend, sikur të mos mjaftonte kjo që mbajti peng gjithë shtetin dhe refuzimin e statusit, Kuvendi do të miratonte një sërë aktesh që cenonin integritetin territorial dhe identitetin tonë kombëtar”- tha Spahiu.
Sipas tij, një vit më parë së bashku me kolegët e KLD konstatuan këtë cenim të identitetit kombëtar nga një ligj që ishte kaluar nga ky kuvend dhe “këtu paqja mori fund dhe tërbimi do adresohej për një vit rresht”.
“U them punë të mbarë atyre që më mbështetën përballë një presion agresiv për 4 vite të këtij pushteti, ndërsa atyre që më presin jashtë i them udhë të mbarë në këtë rrugë të gjatë që kemi”- përfundoi ai.
© Panorama.al











