
Janë 20 thika që kanë masakruar vajzën time, po aq thika do të doja t’i ngulja edhe unë vrasësit. Kam frikë të mbyll sytë, sepse më shfaqet ime bijë që më kërkon ndihmë, ndërsa i çahet trupi thikë pas thike dhe ulërin. E unë nuk e ndihmoj dot…
Miranda Opingari në fakt nuk po ndihmon dot as veten këto ditë. Me ilaçe antidepresion arriti të qetësojë paksa dhimbjen për bashkëshortin që e varrosi para 6 javësh, ndërsa për vajzën, Anisën, që trupi iu gjet i hedhur dhe i përçudnuar me thika në Shëngjin pak ditë më parë, nuk ka mjekim që “e merr përsipër”. Tashmë ka ngelur e vetme me djalin e vogël 10-vjeçar në katin e pestë të një apartamenti në Fier dhe ndryshe nga ç’e do zakoni, dyert për mort i ka të mbyllura…
Pse i mbani dyert mbyllur?
Kemi frikë.
Nga kush keni frikë?
Nuk e dimë. Ta dinim se nga kush të ruhemi, do të ishte më mirë.
Atëherë duket sikur nuk keni shkak…

Pse, pati një shkak kur vranë Anisën time? Më thoni çfarë shkaku në botë justifikon goditjen me 20 thika mbi nënën e dy fëmijëve, mbi trupin e sime bije… Kush e ka bërë këtë krim kaq kafshëror, ku ta di unë që nuk e vazhdon edhe në familjen tonë? Unë tani kam ngelur në shtëpi vetëm me djalin e vogël 10 vjeç, pasi im shoq, Aleksandri, vdiq 40 ditë më parë. Vajza tjetër, Armela, edhe pse rri këtu në këto ditë zie, është e martuar dhe ka jetën e saj. Po përpiqem të mbroj këtë pjesë të familjes që më ka mbetur dhe kjo fillon që duke mbyllur dyert.
Kur e keni parë për herë të fundit Anisën?
Të hënën, në mëngjes, para se të shkonte në punë. Ajo punonte shitëse në një butik rrobash dhe kishte pak kohë aty, sepse më parë ka jetuar në Greqi. U nis atë mëngjes dhe më duket sikur akoma do të kthehet…
Nuk u shqetësuat që atë të hënë nuk po kthehej?
Anisa gjithnjë kthehej në orar, normal që u shqetësova, por duke ditur një problem personal të saj, mendova se ka marrë vendimin e jetës.
Çfarë problemi dhe vendimi?

Vajza m’u martua që 17 vjeçe dhe martesa e saj ka qenë me probleme nga fillimi deri në fund. Ajo u nda në muajin prill nga bashkëshorti, Sokoli, sepse ai e rrihte dhe i kërkonte ose 25 milionë lekë ose një dyqan që kemi ne këtu. Lekë nuk kishim, ndërsa dyqani nuk po shitej… Im shoq vdiq me këtë stres para 40 ditësh, ndërsa unë po kurohem me ilaçe antidepresion. Duke qenë se as Anisa vetë nuk ishte dakord me kërkesat e pasurisë të Sokolit, ata i dhanë fund martesës. Në përpjekje për t’u ribashkuar për shkak të fëmijëve që kishin bashkë, dy djem si yje, Sokoli i vuri kusht që “nëse do që të vazhdojmë martesën, nuk duhet të flasësh më kurrë me prindërit, as t’i takosh dhe as as t’u telefonosh”. Anisa na e tregoi këtë gjë dhe ne i thamë që të zgjidhte si t’i donte zemra. Ndaj, vonesën e së hënës unë e mora si vendim të saj për t’u bashkuar me Sokolin dhe të mos na fliste kurrë ne. Qoftë edhe në telefon.
Gjithsesi, nuk i ratë telefonit të saj?
Sigurisht, por telefoni dilte i fikur. Hapa sirtarin e dokumenteve të saj dhe pashë që mungonte pasaporta. Kështu që mendova se ajo ka shkuar te Sokoli, në Greqi. Atij nuk i dija numër telefoni, por gjithsesi nuk doja të ndërhyja në jetën e tyre. Anisa po digjej nga malli për dy djemtë dhe ia justifikova këtë veprim. “Nuk ka gjë, mua mos t’më flasin, vetëm të jenë mirë bashkë”, uroja me vete.
Fëmijët i mbante Sokoli në Greqi?
Jo, djemtë jetonin me prindërit e Sokolit, në një fshat që quhet Donofrosa, mes Fierit dhe Beratit.
Po pse nuk i mbante Anisa?

Rastisi ashtu, sepse kur u nda Anisa në prill, im shoq ishte me tumor në gradë të fundit dhe i duhej pak qetësi. Një muaj më vonë ai vdiq dhe shtëpia jonë ishte në zi, më hyrje e dalje të shumta. Vendosëm që, sa të mbarojë 40-ditëshi dhe kur fëmijët të kishin ditëlindjen në gusht, do t’i merrnim njëherë e mirë. Ndërkaq, edhe Anisa e kishte këtë periudhë si kohë për të vendosur nëse do të vazhdonte martesën, apo jo. Martesë i thënçin…
Pse i thënçin, nuk ishte e tillë?
Në gjendje civile ata nuk kanë qenë të martuar.
Për çfarë arsye?
Kur ishte në gjimnaz, Anisa ishte dëshmitare e Jehovait, ndërsa vetëm 3 ditë pas njohjes me Sokolin, kërkonte të fejohej me të. Unë dhe im shoq nuk dëshironim, sepse familja i jetonte në fshat. Anisa është lindur dhe rritur në qytet dhe na vinte keq për atë. Pas këtij kundërshtimi, brenda javës ai e rrëmbeu atë, ndërsa më vonë kemi bërë thjesht një ceremoni të vogël dasme, vetëm sa për të nxjerrë nuse nga shtëpia.
Pse nuk bënë celebrim më vonë?
Sepse nuk donte Sokoli. Ai kërkonte patjetër pasuri që të bënte celebrimin. E pati lutur shumë im shoq, por Sokoli nuk pranoi që nuk pranoi.
Me gjithë këto kundërshtime të tij, mendoni se Sokoli ka gisht në vrasjen e vajzës suaj?
Jo, nuk e them dot këtë. Pavarësisht konflikteve që Sokoli ka pasur vazhdimisht me Anisën, nuk besoj se Sokoli mund të masakronte në atë mënyrë nënën e fëmijëve të tij.
Është përpjekur të komunikojë me ju, pas vdekjes së Anisës?
Po, madje sapo kishte marrë vesh lajmin, telefonoi në celularin tim dhe qante e vajtonte si fëmijë.
Ishte gjë në Shqipëri kur ndodhi vrasja?
Mua më doli numër grek në telefon. Po ashtu, kur folëm më tha që po nisem direkt për në Shqipëri. Ai erdhi të nesërmen në shtëpinë tonë dhe qau mbi trupin e Anisës. I binte kokës me grushte dhe murit me kokë… Dukej i lënduar, i prekur, i penduar, nuk besoj ta ketë bërë ai.
Në gjithë këtë makabritet, kë akuzoni ju për vrasjen e Anisës?
Unë nuk dyshoj tek asnjeri dhe nuk akuzoj dot asnjeri, sepse vërtet nuk e kam idenë se kush mund ta ketë bërë. Vetëm do të doja të theksoja këtë; Janë 20 thika që kanë masakruar vajzën time, po aq thika do të doja t’i ngulja dhe unë vrasësit. Kam frikë të mbyll sytë, sepse më shfaqet ime bijë që më kërkon ndihmë, ndërsa i çahet trupi thikë pas thike dhe ulërin. E unë nuk e ndihmoj dot… Shpresoj të paktën të na ndihmojë policia dhe të gjejë autorin. Një njeri monstër është diku aty jashtë dhe siç bëri me Anisën time, mund të bëjë dhe me femra të tjera. Kafshëria nuk njeh emra, vetëm instikte dhe ajo femra tjetër, nesër-pasnesër mund të jetë motra, vajza, gruaja e gjithsecilit… Po me dy djemtë e Anisës, çdo të bëhet? Të ishte Anisa gjallë, do të luftoja derisa t’i merrja, por tani ata janë të Sokolit. Mos më pyet më për ata, se më digjet shpirti.
NGA FIERI/ ELISABETA ILNICA/ MAJLINDA RAMA
Policia, hetim për vrasësin në 4 qytete

Asnjë i arrestuar për vrasjen e 25-vjeçares Anisa Opingari, nënë e dy fëmijëve, e cila u gjet e vdekur te “Rëra e hedhur” në plazhin e Shëngjinit, të rrethit të Lezhës.
Policia e Lezhës ka përqendruar intesivisht hetimet në Lushnjë, Berat dhe Fier, për shkak se familja, të afërmit dhe shoqëria e saj nuk kanë dyshime për ndonjë autor të mundshëm. Dy pistat kryesore që ishin deri tani, ajo e ish-bashkëshortit, Sokolit, dhe e një personi tjetër me identitet “Loke Sinaj” në “Facebook”, duket se janë përmbysur. I pari, sipas dëshmive të familjarëve, ka qenë në Greqi gjatë kohës kur ka ndodhur vrasja, por edhe zyrtarisht rezulton kështu. Janë kontrolluar të gjitha pikat doganore që lidhin vendin tonë me Greqinë, por deri tani nuk ka rezultuar që ish-bashkëshorti i Anisa Opingarit të jetë kthyer në Shqipëri. Nga ana tjetër, personi i dytë i dyshuar për vrasjen rezulton një profil i rremë i rrjetit social. “Loke Sinaj”, i përshkruar si një biznesmen nga Lushnja, 36 vjeç, beqar, nuk rezulton të jetë një person real. “Ekziston mundësia që Anisa Opingari, nëna e dy djemve, të ketë rënë pre e ndonjë të dashuri misterioz, i cili për të joshur 25- vjeçaren, ka përdorur si “karrem” “facebook”-un. Mund t’i ketë besuar këtij personi dhe ai ka çuar nëpërmjet mashtrimit deri në Shëngjin, ku edhe e ka masakruar me thika dhe e ka lënë të vdekur në vend”, bëjnë të ditur burime të Policisë së Lezhës. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se deri tani janë shoqëruar në polici dhe janë pyetur të paktën 50 persona, duke nisur nga pronarët e hotelerive në Shëngjin, të cilët ushtronin aktivitetin në afërsi të vendit ku u gjet trupi pa jetë, si dhe në Lushnjë, Berat dhe Fier. Grupi i hetimit është duke verifikuar paralelisht edhe thirrjet e fundit në telefonin e viktimës, si dhe SMS-të e shkëmbyera prej saj. Ndërkohë që priten edhe rezultati i ekspertizës së kriminalistikës, që po u bëhen materialeve dhe rrobave të gjetura të trupit të viktimës, për të parë nëse autori i krimit ka lënë gjurmë, apo jo gjatë momentit të ekzekutimit të Anisa Opingarit. Nëna e dy fëmijëve, e divorcuar katër muaj më parë, u gjet e masakruar dy ditë më parë, me 20 plagë thike në të gjithë trupin, madje edhe në fyt.
BEQARI
Historinë e një mashkulli të ri në jetën e Anisës e dinte edhe nëna, Miranda. “Anisa ishte aq vajzë e sinqertë, saqë pak ditë para vrasjes më tha që po i pëlqente dikush dhe kishte dalë disa herë për kafe. Më shpjegoi që është 36 vjeç, beqar, nga Lushnja dhe i kishte thënë që e kishte seriozisht me të. Iu luta që të më tregonte emrin dhe çfarë familje ishte, por ajo më tha që është në fazë njohjeje dhe nëse do të avanconin gjërat më tej, atëherë do të ma tregonte”, rrëfen ajo. Sipas Mirandës, Anisa vinte fiks pas orarit të punës në shtëpi dhe shumë rrallë dilte për kafe pasditeve, gjë që nuk e ka bërë atë që të dyshonte për ndonjë lidhje serioze dhe intensive. “Zakonisht në këto gjëra është dhe ndonjë femër pas, po ec e gjeje cila…”, shton ajo.
FUNERALI
Përveçse ka marrë pjesë në të gjitha ritet mortore të para dhe pas varrosjes së Anisa Opingarit, ishbashkëshorti i saj ka kërkuar që të paguajë çdo shpenzim funerali, si dhe arkivolin. Sokol Kalemi ose ndryshe Sokol Gozhina ka bërë ngushëllimet e rastit në familjen e Anisës, ndërsa më pas ka këmbëngulur “për faturën”. “Nuk është më çështje pagese, se gjaku i sime bije nuk lahet me para. Nuk e akuzoj Sokolin, vetëm do të doja t’i thosha diçka: Nga rruga ma more time bijë dhe te rruga e nxore. Nuk e di se çfarë i ka ndodhur Anisës, por çfarëdo veprimi të ketë bërë, do të jetë mashtruar nga mërzia e një martese të dështuar dhe malli për dy djemtë e saj të vegjël, 3 dhe 5 vjeç”, thotë nëna e së ndjerës Anisa Opingarit, Miranda.
“Vrasësi ndodhet në telefonin e Anisës”
Pistën e parë për një lidhje të mundshme të Anisës dhe të dyshuarit për vrasje me identitetin “Loke Sinaj” përmes rrjetit social “Facebook”, e ka dhënë motra e viktimës, Armela. E martuar dhe me fëmijë, ajo nuk di të thotë se si është njohur Anisa me këtë person, por di të tregojë se pse i lindën këto dyshime. “Anisa nuk ishte tip që dilte shumë dhe me telefonata e miq në “Facebook” ishte shumë e kufizuar. Në listën e saj të miqve ishim gjithsej vetëm 15 persona dhe nga këta, 14 ishim kushërinj dhe vetëm ky person me identitetin “Loke Sinaj”, ishte krejt i panjohur dhe ndërkohë bënte edhe komente shpesh. Më ra në sy kjo gjë dhe javën e kaluar, po e shikoja më imtësisht. Tek të dhënat personale pashë që adresën e e-mailit e kishte me Lored Sinaj, ndërkohë si foto kishte një fëmijë. E pashë për kuriozitet edhe sot atë profil dhe vura re që në vend të atij fëmije, ishte një makinë…”, rrëfen Armela, ndërsa në një pyetje që i ka bërë më parë Anisës mbi këtë person, ajo ia ka kthyer shkurt që “është dikush me profil fals”. Megjithatë, Armela mendon se vrasësi nuk mund të gjendet pas “Fb”, por te telefoni i Anisës. “Celularin dhe pasaportën ia kanë marrë, pasi e kanë vrarë. Ajo ka përdorur numrin “Vodafon club” 0696210760 dhe jam e bindur që, po të zbardhen bisedat e saj, vrasësi shumë shpejt do të kishte emër”, thotë Armela, e cila ashtu si e ëma, i lutet policisë për të gjetur vrasësin e së motrës.
LEZHË/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











