Negociatat me BE-në, drafti i IBAR-it i kalon për miratim Ambasadorëve të vendeve anëtare (COREPER)

May 21, 2026 | 13:44

Grupi i punës i Këshillit të Bashkimit Europian për zgjerimin, COELA, ka diskutuar draftin e të ashtuquajturit “Qëndrim i Përbashkët i Përkohshëm i BE-së” (EUCP) për Grupin 1 të negociatave me Shqipërinë.

shqiperi-be

Sipas zyrës së KE, baza e diskutimit ishte raporti IBAR, dokumenti që vlerëson progresin e vendit në fushat kyçe të sundimit të ligjit dhe reformave themelore.

Mësohet se COELA ka arritur një marrëveshje mbi draftin e BE-së dhe tashmë dosja do t’u kalojë për miratim ambasadorëve të vendeve anëtare në COREPER, në mbledhjen e parashikuar pasditen e së premtes.

Nëse procesi vijon pa pengesa dhe ambasadorët japin dritën jeshile, konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mund të mbahet të martën e ardhshme, më 26 maj. Megjithatë, konfirmimi zyrtar pritet vetëm pas mbledhjes së COREPER-it.

Grupi 1, i njohur edhe si grupi i “Themeloreve”, konsiderohet më i rëndësishmi në negociatat e anëtarësimit.

“COELA diskutoi të ashtuquajturin “draft të Qëndrimit të Përbashkët të Përkohshëm të BE-së” (EUCP) mbi Grupin 1. IBAR sapo formoi bazën e këtij diskutimi. Më herët këtë mëngjes, COELA arriti një marrëveshje mbi EUCP-në/IBAR dhe dosja do t’i shkojë nesër pasdite Ambasadorëve të BE-së (COREPER) për miratim. Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo datë mund të jetë e marta e ardhshme 26 Maj, por konfirmimi zyrtar do të jepet vetëm pas takimit të COREPER-it të nesërm.”, thuhet në sqarimin dhënë për News24 nga zëdhënësja në zyrën e shtypit pranë Këshillit Europian.

© Panorama.al

Te lidhura