Prapaskenat, negociatat Berisha-Rama, si u rrëzua emri i Fullanit

Jun 6, 2012 | 12:42
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Ambasadori i SHBA negocioi kandidaturën e guvernatorit mes Berishës, Ramës e Blushit. PS e votoi kundër në 2011.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ishte të hënën për 12 orë kandidat për të qenë President konsesual i Shqipërisë. Megjithëse në Parlament u ezaurua edhe raundi i dytë i votimit, komuniteti ndërkombëtar në Tiranë ka vazhduar të punojë fort me krerët e PD e PS për të zgjedhur një President konsensual në raundin e tretë. Burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka takuar fillimisht deputetin e PS-së, Ben Blushi, të cilit i ka prezantuar idenë e propozimit të Ardian Fullanit për kryetar të ri të shtetit. Nuk bëhet e ditur se cili ka qenë qëndrimi i Blushit lidhur me këtë emër, por më pas ambasadori amerikan e ka çuar emrin e guvernatorit te Kryeministri Berisha. Mësohet se kreu i qeverisë ka pranuar propozimin e bërë nga ambasadori amerikan dhe është shprehur i gatshëm ta votojë atë në raundin e tretë. Pak kohë më parë, me votat e maxhorancës Fullani mori mandatin e dytë 7-vjeçar në krye të institucionit më të lartë financiar në vend. Pasi ka marrë miratimin e kreut të maxhorancës, Arvizu ia ka prezantuar emrin edhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën se lideri i opozitës ka pranuar fillimisht emrin e Fullanit për President, por është shprehur se fjalën e fundit do ta thotë pasi të konsultohet me deputetët. Pikërisht në takimet me anëtarët e Grupit Parlamentar u prish konsensusi i arritur gjatë atyre orëve, kur deputetët u shprehën kundër kësaj kandidature. Ata i kujtuan kryetarit të PS-së se votuan kundër më 17 nëntor 2011, kur emri i Fullanit u propozua për guvernator të Bankës së Shqipërisë dhe këtë herë nuk mund të votonin pro. Pasi ka hasur në kundërshtimin e deputetëve socialistë, Rama ka kthyer përgjigjen negative. Pas dështimit të këtyre negociatave, Kryeministri Berisha dhe lideri i pozitës kanë edhe 48 orë kohë për të biseduar sërish në distancë dhe me ndërmjetës me njëri-tjetrin për të gjetur një emër për raundin e tretë, ku do të jetë edhe tentativa e fundit për ta zgjedhur me 84 vota kreun e ri të shtetit. Në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë kontakt të rëndësishëm mes palëve, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë në pozitat e tyre që nga mbledhja e fundit e Parlamentit.

© Panorama.al

Te lidhura