Misioni 100-minutësh për ndihmat nga ajri në fshatin Trebisht.
Banorët: Një javë pa drita. Mungojnë ushqimet e ilaçet.
Rreth 800 familje të bllokuara nga bora.
Të paktën dielli premtonte se udhëtimi nuk do të ishte aq i vështirë sa na e kishin përshkruar. Tri ditët e fundit, pjesa me e madhe e helikopterëve të dërguar në zonat e izoluara nga bora ishin kthyer mbrapsht, pa mundur të arrinin në destinacion. Me këtë frikë, për të mos e çuar rrugën dëm, arritëm në Farkë rreth orës 9:00. Helikopteri i parë me mision ishte në pistë. Kishin nisur të ngarkoheshin kutitë me ndihma. Destinacioni do të merrej vesh pas pak. Nëse do të mund të niseshim apo jo, këtë duhej të na e konfirmonte komandanti i Forcës Ajrore, kolonel Frederik Beloja. I sertë fillimisht, por i përgjegjshëm deri në detaje, na tha të prisnim pak. Mësuam se nga udhëtimi i një dite më parë, natën e kishte kaluar në spital. Këtë na e thanë kolegët. Ai vetë u mjaftua të na përgjigjej kur e pyetëm, se ishte nga Vlora. Ngarkesa e parë tashmë ishte thuajse gati. Rreth 15 kuti me ndihma të rezervave u hodhën në bord. Gjithsej 400 kg ushqime bazë (makarona, oriz, vaj, miell, sheqer e një kuti me detergjent). Ngarkesa standarde e planifikuar për t’u dërguar në një nga fshatrat e izoluar. “Nuk mund të niseni tani, por me të dytin po. Ka mundësi të fluturoj vetë në këtë rrugë”, na vuri në dijeni pa shumë hollësi koloneli, duke mbyllur udhëzimet e fluturimit të radhës. Helikopteri i parë u nis. Destinacioni: fshati Klenjë. Pistën menjëherë e zuri një tjetër helikopter ushtarak i tipit “AB205”. Ishte i yni. Do të shkonim në fshatin Trebisht. Ekzaktësisht nuk e dinte askush sa larg ishte. Një ditë më parë pilotët kishin tentuar të dërgonin atje ndihma, por për shkak të erës së fortë ishin detyruar të ktheheshin mbrapsht. “Për motin mos flisni përpara kohe, se Tirana gënjen. Andej nga do shkoni mund të jetë shumë erë. Dje u nisëm dhe nuk arritëm të kalonim qafën e Priskës. Sot është më e mirë koha, por s’i dihet”, na tha një nga pilotët e rinj. Fluturimi për në Trebisht
Helikopteri nuk nxinte më shumë se tetë veta. Veç komandantit të Forcës që do të drejtonte fluturimin, tre pilotë të
Banorët në pritje të ndihmave
tjerë plotësonin ekipin. Në orën 10:30 motori u ndez. Ngritja, fare e lehtë. Erë, shumë pak. Fillim i mbarë. Duke lënë pas qafën e Priskës, bora dendësohej. Për gati 30 minuta udhëtojmë mes maleve. Lëmë pas malin e Dajtit, Malin me Gropa e hyjmë në luginën e Bulqizës. Këtu nisin e shfaqen shtëpitë e para të mbuluara nga Bora. Fluturojmë jo shumë lart, çka na bën të dallojmë se trashësia e saj është të paktën një metër. Helikopteri ka vetëm disa tronditje të vogla. Deri tani udhëtimi është më se i qetë. Fshatrat fillimisht me banesa të përqendruara, nisin e marrin një tjetër shtrirje. Shtëpitë veçohen e madje në ndonjë shpat mali të zënë sytë një apo dy të tilla krejt të izoluara. Ky imazh na përsëritet vazhdimisht teksa helikopteri fiton lartësi. “Tani jemi mbi malin e Ostrenit. Janë të bllokuara edhe këto fshatra”, na sqaron një nga pilotët. Poshtë, të pakta gjurmët e jetës. Të vetmet shenja janë shtëpitë të mbuluara nga bora me distancë të madhe dhe disa mullarë bari po kaq larg tyre.
Dy ndalesa për të gjetur fshatin
Pas 15 minutash të tjera helikopteri prek tokën. Mendojmë se kemi arritur, por nuk marrim asnjë përgjigje. Rreth 20 metra larg shohim vetëm një person që po kalon një lumë të ngrirë. Na kishte shpëtuar nga lart. Jemi diku pranë fshatit Ostren i Madh. Kaq mundëm të mësojmë. Ndërkohë që një tis fare i lehtë nervozizmi ndjehet në kabinë. Komunikimi i pilotëve me kufje është më intensiv. Dera hapet dhe njëri prej tyre vrapon jashtë në drejtim të personit pranë lumit. Mes shkulmit të erës që shkakton helika, kthehet pas pak minutash. Helikopteri ngrihet sërish. Poshtë e gjithë zona
Gjatë dorëzimit të ndihmave
është e banuar. Mes bardhësisë gati verbuese arrijmë të shquajmë njerëz. Sërish në fluturim edhe për 10 minuta të tjera. Na kishin thënë se udhëtimi do të ishte i shkurtër. Por ora po shënonte 11:25 dhe ende nuk kishim mbërritur në destinacion. “Ja, për pak do të arrijmë, jemi afër”, na thonë pilotët. Duket se fshatin Ostren i Madh jemi duke e kaluar. Arrijmë të shohim një grumbull fëmijësh e pak më tutje dhjetë a pesëmbëdhjetë burra që nxitonin të bashkoheshin e të na përshëndesnin me dorë. Helikopteri u kalon sipër, por nuk duket asnjë shenjë se do të ulemi. Kthehet djathtas sërish e nis disa rrotullime. “Nuk po gjejmë vend për t’u ulur, duhet të pyesim edhe njëherë. Janë telat aty poshtë. Nuk ka terren”. Mes zhurmës së helikave arrijmë të shkëpusim këto fjalë nga pilotët. Fluturimi vazhdon. Humbasim lartësi dhe duket se kemi arritur. Poshtë ka hapësirë të mjaftueshme për t’u ulur. Ndalojmë sërish dhe njëri nga pilotët drejtohet për të turma e burrave. Bëjmë të dalim edhe ne, por na ndalohet kategorikisht. Me habi s’na mbetet veçse të zbatojmë urdhrin. Është shumë zhurmë për të kërkuar detaje. Arrijmë ta kuptojmë vetëm kur shohim pilotin të kthehet. Dyert mbyllen e fluturimi rinis. Do të na duheshin edhe 10 minuta të tjera për të arritur në Trebisht. Tashmë pilotët ishin të qartë për rrugën. “Me zor e gjetëm sepse është fshat shumë i thellë. Ja, për shumë pak do të shkarkojmë ndihmat”. Të paktën piloti i ri, rreth të 29-tave, nuk ngurron të buzëqeshë e të na japë ndonjë informacion, ndonëse zhurma e fortë pengon çdo lloj bisede.
(majtas) Dorëzimi i ndihmave për banorët e fshatit, (djathtas) Ndalesa e parë e helikopterit për të gjetur rrugën për në fshatin Trebisht
Të izoluara 800 familje
Që në nisje banorët e Trebishtit ishin udhëzuar të ndiznin një zjarr, në mënyrë që pilotët të shquanin tymin. Këtë e dëgjuam nga komunikimi me telefon i pilotëve. Por, poshtë, më shumë sesa zjarri modest gati i fikur, dukeshin ndërtesat dhe banorët e fshatit të grumbulluar në qendër. Me t’u afruar helikopteri nisën të vraponin lart për në kodër. U ulëm në fshat. Ora shënon 11:40. Pas një ore e dhjetë minutash kishim mbërritur në destinacion. “Jemi rreth 4000 këmbë, ose 1300 metra lartësi. Arritëm. Mund të dilni, po nuk do qëndrojmë më shumë se pesë minuta, sa të shkarkohen kutitë”, na thanë pilotët. Banorët e fshatit afrohen me vrap dhe me po të njëjtën frekuencë u drejtohemi atyre. Jemi vetëm pesë metra larg helikopterit dhe era e helikës na e vështirëson komunikimin. “Kemi rreth një muaj të izoluar. Por sidomos javën e fundit rruga është bllokuar komplet. Nuk kemi më rezerva ushqimesh. As drita. Janë prishur kabllot ka dhjetë ditë”, thotë Bedriu, njëri nga banorët të cilit i lotojnë sytë nga era e fortë. Pranë tij vijnë një grup fëmijësh rreth 14 vjeç. “Shkollë nuk kemi bërë që për vit të ri. Me zor dalim nga shtëpitë dhe bora poshtë është më shumë se një metër”, thonë ata. Banorët e tjerë na tregojnë se si këtë dimër nuk ka parë të paktën pesë vitet e fundit. “Deri në dhjetor e janar jemi përgatitur gjithmonë që do ketë borë. Por nuk kemi qenë kaq të izoluar. Me sa mbaj mend, u bënë nja pesë vjet. Pjesa më e madhe e fëmijëve është me grip. Nuk kemi ilaçe. Kërkojmë të na ndihmojnë. Këto ndihma që erdhën tani nuk mjaftojnë”, tha një tjetër banor. Na tregon se në fshatin Trebisht jetojnë 800 familje. “Jemi rreth 3400 banorë. Është fshat i madh dhe po jetojmë në kushte shumë të vështira. Ky dimër është i papërballueshëm. Deri tani nuk kemi pasur të sëmurë rëndë, por probleme me fëmijët shumë”, thotë ai. Ngarkesa me ndihma është shkarkuar. Duam të bëjmë edhe disa pyetje, por të parët që nxitojnë për te helikopteri janë pilotët. Na bëjnë me shenjë se duhet të kthehemi urgjent. Koha kishte mbaruar. Ndoshta ishte intervista me e shkurtër që mund të kishim bërë ndonjëherë. Megjithatë, në fytyrat fshatarëve të Trebishtit flisnin qartë për izolimin dhe shpresat për ndihmë. Nën ethet e bisedës që duhet të përfundonim nuk kishim ndjerë të ftohtë. Kthimi në Farkë
Sapo sistemohemi në kabinë, ndiejmë se na kanë ngrirë të gjithë gjymtyrët. Këmbët kallkan dhe duart të nxira sterrë. Na duhen nja 10 minuta të mira për të marrë veten. “Nuk je mësuar se nuk ishte shumë -15 gradë”, na qesëndis një nga pilotët. Teksa na sheh që shqyejmë sytë, siç duket të mësuar me ngricat e Tiranës që na duken therëse edhe kur temperatura është vetëm 2 gradë nën zero, na jep kufjet për t’i folur pak komandantit. Edhe ai, tani që misioni i dorëzimit të ndihmave ka përfunduar, është më i shtendosur. “Kthimi është goxha me i shkurtër. Ishte udhëtim i vështirë, pasi kemi fluturuar në pjesën më të madhe të kohës në 270 gradë. Shumë ulët nëpër lugina. Por ishit me fat, nuk krahasohet kjo ditë me dje që nga era humbnim lartësi gjatë gjithë kohës. Uroj ta keni shijuar”, thotë ai dhe më në fund lëshon një buzëqeshje. Në hartë pilotët e ekipit na tregojnë rrugën që kemi përshkuar. Është një trekëndësh që nis me Tiranën, kulmon në luginën e Bulqizës më pas në malin e Ostrenit. Këndi zbret derisa dallojmë emrin e fshatit Trebisht, fare pranë kufirit me Maqedoninë. Me zhvendosjen e gishtit në hartë nuk arrijmë të dimensionojmë kohën me distancat. Udhëtimi nuk kishte qenë fare i gjatë, po të mendosh sa larg kishim shkuar. Kthimi nuk zgjat më shumë se 20 minuta. Pas pak mesdite, me uljen në Farkë mbyllim misionin e ndihmave nga ajri. Vetëm ne, sepse ekipi i pilotëve do të nisej sërish për atje. Ngarkesa prej 400 kg ushqime ishte e pamjaftueshme. Duheshin bërë të paktën dhe dy apo tri rrugë të tjera. “Deri pasdite në orën 4 kemi kohë të mjaftueshme. Pastaj kushtet e motit vështirësohen, pasi nis mjegulla e era shtohet”, thotë komandanti. Tani jemi të gjithë në tokë. Tirana është e gjitha me diell. Do na duhet pak të mbledhim veten pas prekjes nga afër të atij realiteti ngrirës.
Energjia elektrike
Sikur të mos mjaftonin reshjet e dëborës, temperaturat e ulëta, pamundësia për t’u furnizuar me ushqime etj., banorët e fshatit Trebisht në komunën Klenjë të Bulqizës, prej një jave vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike. Për shkak të dëborës janë dëmtuar kabllot e shtyllave që përçojnë rrymën elektrike në fshat dhe në disa raste edhe janë këputur. Riparimi i defekteve në shtyllat e tensionit të lartë është i pamundur për sa kohë fshatrat vazhdojnë të bllokuar.
Temperaturat e ulëta
Paraditen e djeshme në fshatin Trebisht të Bulqizës, termometri shënonte minus 12 gradë celsius, por sipas banorëve, temperaturat kanë qenë edhe më të ulëta se kaq. Disa prej familjeve të fshatit kanë qenë të pajisur me dru për të siguruar ngrohjen. Ndërsa disa familje të tjera nuk e kanë pasur këtë fat për shkak se reshjet e dendura të dëborës i kanë gjetur të papërgatitur dhe trashësia e dëborës ka mbuluar edhe atë pjesë të vogël të lëndës drusore që ata e ruanin për ngrohje.
Pakot me ushqime nga Rezervat e Shtetit
Pakoja me produktet ushqimore të Rezervave të Shtetit që u shpërndanë dje me helikopter në fshatrat e bllokuara nga dëbora, përbëhej nga 15 artikuj kryesorë. Në faturën përkatëse që plotësohej për çdo ngarkesë me ndihma, të cilat ngarkoheshin në helikopterët e Forcave Ajrore, shënohej produkti dhe sasia. Banorëve të izoluar nga dëbora u dorëzohej nga pilotët një pako që përmban, miell, oriz, vaj, sheqer, kripë, fasule, makarona, konserva me mish, si dhe detergjent e sapun. Të paktën 400 kilogramë produkte të tilla u transportuan dje gjatë dy rrugëve në fshatin Trebisht.
Mungesa e ilaçeve
Temperaturat e ulëta, që dje arrinin deri në minus 12 gradë celsius, izolimi nga qendra e komunës për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, ka sjellë gjendje gripale për pjesën më të madhe të banorëve të fshatit Trebisht. Ata treguan dje se në fshat ndodhet një qendër shëndetësore, ku në shërbim të banorëve është vetëm një infermiere dhe mungesa e ilaçeve e bën edhe më të vështirë punën e saj për të përballuar fluksin e pacientëve që paraqiten me viroza.
Shpërndahen ndihma në Shkodër
Ndërkohë, burime nga Shtabi i Emergjencave kanë bërë të ditur së në zonat e thella malore të Shkodrës dhe Pukës janë shpërndarë rreth 400 pako me ndihma ushqimore, pasi në bazë të informacioneve që kanë mbërritur në këtë shtab, rezervat ushqimore në këto zona kanë kohë që kanë përfunduar. I ftohti i madh që ka mbizotëruar gjatë gjithë kësaj periudhe, temperaturat nën 0 disa gradë, ku në rrethin e Pukës ato kanë shkuar deri në -16, kanë shfaqur probleme të mëdha. Prej ditësh, ndonëse u tentua të ngrihej disa herë, për shkak të stuhisë së erës helikopteri nuk mundi të fluturonte mbi zonat e izoluara nga bora. Një helikopter i forcave RENEA ndodhet i instaluar në Shkodër, për të qenë më afër urgjencave të këtij qarku. r.d
Helikopteri i Shëndetësisë shpëton shtatzënën
Merret në fshatin e thellë të Dibrës
Meleqe Demneri dje në maternitetin “Koço Glozheni”
DIBER – Ndërhyrja e një helikopteri të Ministrisë së Shëndetësisë i ka shpëtuar jetën dje në mëngjes një gruaje shtatzënë nga Dibra. Mësohet se alarmi i dhënë nga mamia e fshatit, Lirie Kaca dhe më pastaj ndërhyrja e autoriteteve vendore, sidomos prefektit të Dibrës, Genci Sharku, kanë bërë që dikasteri i Shëndetësisë të dërgojë drejt Zallë Dardhës një mjet fluturues, pasi Meleqe Demiri, 22 vjeçe, kishte kaluar një natë mjaft të keqe. Sipas mamisë së fshatit, ajo kishte dështuar dy herë të tjera dhe tani familjarët dhe të afërmit ishin shqetësuar shumë pasi shtatzëna rrezikonte jetën për shkak të problemeve të krijuara në muajin e nëntë të shtatzënisë. Zallë Dardha ndodhet 30 kilometra larg Peshkopisë, në aksin rrugor Peshkopi-Muhur-Arras-Zallë Dardhë-Zallë Reç-Kukës. E gjithë zona është e izoluar prej ditësh për shkak të trashësisë së borës dhe akullit në rrugës. Ka qenë totalisht e pamundur që e sëmura të transportohej me makinë apo me krah në Zallë Dardha drejt qytetit të Peshkopisë. Lartësia e dëborës është afro 1.2 metra. Lirie Kaca tha për mediat se situata në komunën e Zallë Dardhës është kritike. Sipas saj, po sosen ndihmat ushqimore dhe medikamentet, ndërkohë mungesa e transportit rrugor po krijon probleme serioze për jetën dhe shëndetin e banorëve të kësaj zone. “Izolimi i fshatrave të Zallë Dardhës, bllokimi i rrugëve, pakësimi i ushqimeve dhe ilaçeve, varfëria dhe kujdesi i pakët i strukturave shtetërore e kanë vështirësuar jetën në këto zona ku mbretëron vetëm dimri”, tha mamia e Zallë Dardhës, Lirie Kaca. Sipas saj, nëse helikopteri nuk do të kishte mbërritur shpejt në Tiranë me gruan e sëmurë, ajo nuk do të ishte më në jetë. Pas mbërritjes në Tiranë, shtatzëna është transportuar me urgjencë drejt maternitetit “Koço Gliozheni”, ku mjekët thonë se fëmija është mirë dhe pritet që lindja të kryhet normalisht pas disa ditësh. h.p