“Në qendër ku kalojnë ministra dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit”- Salianji para kullës në Tiranë: Rama dha lejen për 26 kate përballë institucioneve shtetërore

Sep 28, 2022 | 7:49
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI / Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, denoncoi dje një nga kullat në qendër të kryeqytetit që sipas tij ka ndërtuar kate pa leje nën hundën e institucioneve ligjzbatuese duke mos pësuar asgjë nga forca e ligjit.

Capture

Përpara Kullës, Salianji i drejtoi disa pyetje qeverisë për ndërtimet abuzive në kontrast me arrestimin e qindra qytetarëve të arrestuar për punime në shtëpitë e tyre. Deputeti i PD tha se qeveria ndjek penalisht çdo qytetar të pamundur në këtë vend, por nga ana tjetër përballë institucioneve më të rëndësishme, ku kalojnë ministra, drejtuesit e policisë së Shtetit, ndërtohet pa leje.

Sipas Salianjit, Rama përmes KKT i kishte dhënë leje për 26 kate, por sipas tij ajo ka arritur rreth 40 kate. Nga ana tjetër, deputeti i PD theksoi se ky është një nga shembujt me dy standardet e zbatimit të ligjit dhe trajtimin e shtetit sikur të jetë pronë private. “I jam drejtuar qeverisë për informacion se sa është numri i subjekteve të paligjshme që kanë shkelur lejen e ndërtimit.

Numri i rasteve të ndërtimeve të paligjshme, a janë marrë administrative apo a janë kallëzuar penalisht zyrtarë apo institucionet që kanë pasur për detyrë menaxhimin e territorit? Sot, pas më shumë se 2 javësh qeveria ende nuk e ka një përgjigje sepse është tërësisht e kapur dhe e pafuqishme dhe ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Qindra qytetarë janë arrestuar për ndërtime në shtëpitë e tyre. Qeveria ndjek penalisht çdo qytetar të pamundur në këtë vend, nga ana tjetër këtu shikojeni pak përballë institucioneve më të rëndësishme, ku kalojnë ministra, drejtuesit e policisë së Shtetit, kjo është leja e miratuar nga Rama, KKT 26 kate.

Ky ndërtim shikoni sa ka shkuar. A ka mundësi që ky ndërtim në mes të Tiranës, një gradaçelë të bëhet pa bekimin e qeverisë? Sot po e pyes zyrtarisht a e ka çuar dhe referuar në prokurori IKMT dhe policia e Shtetit këtë ndërtim? Do të jem bashkë me ju në ndërtesa të tjera në Tiranë, në përbindësha betoni që jo vetëm i kanë marrë hapësirat publike këtij qyteti dhe kanë marrë edhe shtetin në kontroll duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ku të duan, si të duan dhe në vende më të shtrenjta. Sot, ndërtime si ky duhet të kishin miliona euro gjobë.

Nga ana tjetër, ndërtuesi apo pronari i këtij duhet të ishte para përgjegjësisë penale dhe përballej me drejtësinë. Qeveria e ka mbyllur gojën, sepse nuk ka asnjë përgjigje. Jo se nuk e di, po se nuk ka çfarë thotë në lidhje me dy standardet e zbatimit të ligjit dhe trajtimin e shtetit sikur të jetë pronë private. Do vazhdojmë të denoncojmë në vende të tjera se ku qeveria e Edi Ramës favorizon duke vendosur dyfytyrësinë dhe jo barazinë para ligjit”, tha Salianji për mediat përpara godinës shumëkatëshe në qendër të Tiranës, e cila sipas tij ka disa kate të ndërtuara pa leje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura