AGRON LOCI
Edhe kjo fundverë nuk kish sesi t’i shpëtonte fenomenit të përvitshëm të deklaratave të disa prej të ashtuquajturve gazetarë investigativë, analistë, opinionistë, ish-politikanë, gjyqtarë apo prokurorë që flasin për “vjeshtën e nxehtë” që pritet të “djegë” e “të çojë prapa hekurave” disa prej politikanëve më të lartë në vend. Që ky fenomen ka disa vite që është kthyer në një “trendy veror”, kjo nuk është e vështirë të konstatohet, pasi mjafton të kërkosh në internet dhe menjëherë të dalin të listuara deklaratat për “vjeshtën e nxehtë”, për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, të atyre që deri para pak kohësh konsideroheshin si të paprekshëm. Për arrestimin e atyre që deri dje ishin krijuesit e “zotërit” e drejtësisë, por që “me vullnetin e tyre” miratuan një drejtësi tjetër, e cila do të merrej vetëm me ta.
Kështu, dikush flet me siguri për arrestimin e Berishës në vjeshtë, dikush tjetër për dosjet e ish-presidentit që pritet të përballet me një numër akuzash po në këtë stinë, ndërkohë që një tjetër duke dashur të ruajë “sekretin hetimor” nuk flet me emra, por për një aksion të koordinuar të drejtësisë së re për “arrestimin e peshqve të mëdhenj majtas e djathtas në vjeshtë”. Madje, këta “konspiracionistë” shkojnë edhe më tej teksa deklarojnë se këto aksione “do të zhvillohen në bashkëpunim me agjencitë më prestigjioze të hetimit të vendeve partnere” dhe për këtë janë të sigurt, por nuk duan të flasin më shumë në detaje. Ajo që bie në sy në këto deklarata është se shumë prej tyre garancinë për veprimin e drejtësisë në këtë vjeshtë e mbështesin tek “burimet e sigurta” nga të cilat është marrë informacioni.
Megjithatë, pavarësisht këtyre deklaratave dhe “sigurisë” që ata premtojnë, koha ka treguar që këto paralajmërime verore kanë rezultuar thjeshtë fluska sapuni, pasi vjeshtat kanë rezultuar relativisht të qeta pa lajme të bujshme apo arrestimesh të nivelit VIP. Përpos pritshmërive që një pjesë e mirë e shtetasve shqiptarë kanë tek drejtësia e re, për ndëshkimin e politikanëve që kanë abuzuar e abuzojnë me pushtetin për interesa personale, korruptive, duhet pranuar se drejtësia nuk mund të funksionojë me regji siç dëgjojmë çdo vit për hapat që do të ndërmarrë në vjeshtë. Sepse, në fund të fundit pyetja më e thjeshtë që mund të bëhet në këtë rast është se përse pikërisht në vjeshtë? Ndërkohë që drejtësinë si një tërësi institucionesh që presupozohet të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe që vendimmarrjen e mbështet në fakte dhe prova ligjore askush nuk e detyron që të mos japë drejtësi në çdo stinë të vitit dhe nuk ka arsye që ajo të presë vjeshtën për të bërë goditjet “big”. Për më tepër ka disa afate ligjore për hetimin e çështjeve, të cilat duhen respektuar dhe logjika e thjeshtë të çon të mendosh se jo të gjitha këta afate mund të përfundojnë në vjeshtë.
Po ashtu, garancia që japin opinionistët e analistët se informacioni është marrë nga burime të sigurta, të bën të mendosh që nëse është e vërtetë që zyrtarë brenda organit të akuzës u ofrojnë individëve të caktuar detaje që lidhen me sekretin hetimor, atëherë kjo përbën vepër penale pasi ajo jo vetëm që dëmton procesin hetimor, por gjithashtu cenon të drejtën që gëzon me ligj për të qenë i mbrojtur gjatë periudhës hetimore individi që dyshohet si subjekt i drejtësisë për të mos u kthyer në një subjekt të “gjykimit apo drejtësisë popullore”, kryesisht nëpër studiot televizive apo rrjetet sociale. Ka ardhur koha që individëve që bëjnë deklarata të tilla “të sigurta” t’u vihet fre. Jo t’u mohohet e drejta e fjalës, por t’u kërkohet të mos abuzohet me këtë të drejtë sa kohë që deklarohet mbi bazë supozimesh dhe jo faktesh. Dhe një mënyrë efikase për ta shmangur këtë dukuri është që vetë institucioni i akuzës të informojë në mënyrë periodike konform ligjit publikun për çështje me interes për të dhe jo t’ua lerë këtë hapësirë individëve të cilët jo në pak raste kanë abuzuar.
Pasi kjo që ndodh rëndom çdo verë me deklarata për arrestime e veprime të bujshme të drejtësisë, rrit pritshmëritë e publikut e bashkë me të, në rast mospërmbushje çon në humbjen e besimit dhe zhgënjimin e tij tek drejtësia e re. Të vetmit që përfitojnë janë ata që bënë deklaratat, të cilat në fund të fundit u shërbejnë interesit të tyre për audiencë dhe që pavarësisht se ato rezultojnë si jo të vërteta, ata nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë e premtojnë. Dhe nuk e kanë problem që këto deklarata t’i bëjnë edhe në vitin pasardhës. Aktualisht prej disa ditësh kemi hyrë në stinën e vjeshtës. Edhe pse kemi lënë pas një verë tepër të nxehtë, për nga temperaturat, por edhe marrëzia e piromanisë që na ka mbërthyer si komb, edhe pse “paralajmëruesit” e kataklizmave me arrestime VIP do të vazhdojnë të shfaqen ekraneve përnatë për të na garantuar se drejtësia do të veprojë, duket se vendi po i kthehet normalitetit.
Berisha vazhdon ritualin e tij të përnatshëm me atë grup mbështetësish besnikë poshtë dritares, duke sfiduar herë pas here drejtësinë, Meta do të vazhdojë të promovojë krahinat e vendit sa në mal, fushë e det, Rama bashkë me ministrat e tij do të vazhdojnë të paguajnë për PPP e koncesionet e dalaboje si afera të pastra korruptive, ndërkohë që njerëzia do të merret fillimisht me fillimin e vitit të ri shkollor, e pastaj do të vazhdojë normalitetin siç ka ndodhur rëndom përgjatë gjithë këtyre viteve në pritje të vjeshtës së radhës me shpresën që të mos përfundojnë, ashtu siç shkruante Beketi tek vepra e tij “Duke pritur Godonë” në një pritje të diçkaje që nuk ka ndonjë dobi./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al