TIRANE – Agustin Kolthi, 46-vjeçari që tentoi të trafikonte jashtë Shqipërisë 5 kilogramë lëndë narkotike, pranoi dje te Krimet e Rënda zotërimin e drogës. I paraqitur për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, Kolthi u shpreh se e kishte marrë drogën nga një person i panjohur dhe do ta trafikonte për arsye përfitimi. Ai pohoi në gjyq se ishte i sëmurë nga hipertensioni dhe nuk mund të punonte për të përballuar jetesën. “Drogën e kam blerë në Tiranë për 30 mijë euro, nga një person i panjohur prej meje. E kam marrë me qëllim përfitimi. Vuaj nga hipertensioni dhe nuk mund të punoj”, u shpreh Kolthi në seancë. Alibia e Kolthit dhe kërkesa e mbrojtësit të tij për një masë të butë sigurie nuk e bindën gjyqtarin Dritan Hallunaj, i cili vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Masa e arrestit ishte në pranim të kërkesës së paraqitur nga prokurori i çështjes. Sipas prokurorit, Agustin Kolthi ishte ndaluar rreth orës 05:30 të 2 gushtit, teksa po tentonte të kalonte drejt Malit të Zi sasinë e lëndës narkotike në pikëkalimin kufitar të Muriqanit. Kolthi ka kaluar paq kontrollin e autoriteteve shqiptare. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në kontrollin policor malazez. Prej tyre është vënë re lënda narkotike e fshehur në automjetin e shqiptarit Kolthi dhe e kanë kthyer atë pas, duke ua dorëzuar autoriteteve shqiptare të kufirit. Droga u gjet e fshehur në parakolpin e një makine “Wolksvagen” Passat me targa zvicerane ZH 198098. Ajo ishte e ndarë në 9 pako në formë kubikësh. Sipas një akt-ekspertimi, që u administrua dje nga Gjykata, rezultonte se 4.5 kilogramë e sasisë narkotike ishte e llojit heroinë, ndërsa 0.5 kilogramë e pakos së identifikuar me nr.9 në Prokurori, ishte e llojit kokainë. Nga hetimet dyshohet se destinacioni i lëndës narkotike ishte Zvicra. Kjo, sipas akuzës, është provuar edhe për shkak të thirrjeve të fundit të kryera nga aparati telefonik i Kolthit me numra që mbanin prefiksin e Zvicrës. Në lidhje me disa adresa të shkruara në disa copa letrash të gjetura në automjetin e Kolthit, 46-vjeçari mohoi që ato të kishin lidhje me lëndën narkotike. Sipas tij, ato kishin mbetur në automjet që prej kohës kur ai punonte në Itali.











