SHPENDI TOPOLLAJ/ Figurë nga më interesantet e letrave shqipe, Ndoc Gjetjes do t’i përshtateshin si pakkujt fjalët e J. L. Borgesit se “Le të mburren të tjerët me faqet që kanë shkruar, unë mburrem me ato që kam lexuar”.
Pikërisht këtë ka dashur të pohojë edhe miku i tij, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi gjithashtu mjaft interesant, Kujtim Dashi, në librin e tij “Të krijosh duke krishtëruar”.
I ardhur familjarisht qysh i vogël nga Shkodra ku kishte lindur, Lezha, me dashurinë e ngrohtësinë e saj, për Kujtimin u shndërrua në një farë Medine, ashtu sikurse qe kthyer edhe për vetë Ndocin i cili gjithashtu kishte ardhur nga Shkodra, pas lindjes në Bërdicë dhe shumë zhvendosjeve nga njëra kasolle në tjetrën. Tani që shkruaj këto radhë, nuk e di në jam i saktë, kur kujtoj se në pastë thënë Shopenhaueri se “ndrysh mendohet në pallate e ndrysh mendohet në kasolle”, në rastin e Ndocit nuk ka pasur fare të drejtë, pasi ai pikërisht në mes të mjerimit të tij ekonomik u ngrit në lartësitë jo vetëm të një krijuesi, por edhe të një mendimtari të mirëfilltë, aq sa e ka cilësuar mjaft bukur Preç Zogaj, kur e quan atë “… jo vetëm një poet, por dekani i shkollës poetike të Lezhës”.
Kuptohet, se emrat e atyre që i dhanë jetë kësaj shkolle dhe e mbajtën gjallë kanë qenë për autorin e këtij libri ata që e bënë aq të dashur këtë qytet, vlerave dhe virtyteve të të cilit ai i kushtoi thuajse të gjithë mundin dhe talentin e tij. Kjo dallon menjëherë, teksa lexon ndonjërin nga librat e tij të shumtë me tregime dhe novela, me studime e deri ato pafundësi historish gazmore. Por, libri kushtuar poetit që në autoportretin e vet deklaroi si pasuri: “Dritën e mendjes me të cilën fitoi varfërinë”, dhe iku pa u ndierë atje lart, duke mbetur “besnik i palëkundur i njerëzve” është përpjekja më domethënëse, më kuptimplotë e respektit dhe mirënjohjes për atë vend, atë histori, atë kulturë dhe ata njerëz të ndershëm.
Autori Kujtim Dashi jo vetëm për ta bërë sa më të larmishëm, jo vetëm për t’i dhënë sado pak ngjyra bardh e zisë së një jete mëse modeste e të trishtuar, më shumë ngjyra, dritë e optimizëm, por edhe për ta bërë sa më të reale ka alternuar atë që ka shkruar vetë, me ato të vetë protagonistit të librit dhe me gjykimet e vlerësimet e të tjerëve për të. Në këtë kontekst, ai pa u larguar nga synimi kryesor, na ka paraqitur jetën kulturore të Lezhës, tempullit madhështor të 1444-ës, poshtë asaj kalasë kokëlart, aty bri lumit të përjetshëm dhe varrit të heroit tonë kombëtar, të pashkëputura nga fijet e forta të miqësisë, solidaritetit dhe dëshirës për përparim, pa smirë e zilira, mes poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të vërtetë, nga ata që Tomas Mani thosh se qysh në fytyrë ua lexon ndjenjat që kanë si njerëz të veçantë. Dhe nxitja për ta shkruar këtë libër më shumë se monografik, sikurse shprehet vetë ky autor “Ka qenë një trysni e brendshme dhe obliguese, që buron nga dashuria e adhurimi që kam, për mikun dhe bashkudhëtarin tim të ‘kalvarit të përditshëm të idealizmës’, Ndoc Gjetjen”.
Ai e quan jetën e këtij poeti që kishte zgjedhur të jetonte pa u dukur, po aq tokësore sa dhe vepra e tij. Ndoci, në çdo fjalë a veprim, ishte personifikim i thjeshtësisë, pasi të tillë e kishte bërë vetë fati që e ndoqi qysh kur erdhi në këtë botë. Mjafton të shohësh portretin e tij që të kuptosh se nuk kish sesi të qe tjetërsoj ai burrë me atë vështrim të zgjuar e të përvuajtur, prej shenjtori. Jetëshkrimi i vetë atij, nga më të sinqertët që mund të kemi në historinë tonë të letërsisë, të trondit dhe më shumë se keqardhje, të mbush me dashuri për këtë njeri që edhe po nuk e pate takuar ndonjëherë, të duket aq i afërt. Kthejuni edhe një herë jetës së Robert Bërnsit dhe do të shihni e çfarë ngjashmërie ka midis tyre.
Të dy të varfër sa s’ka deri në kufijtë e mjerimit, të dy duke u formuar si autodidaktë, të dy me përjetime eremiti, të dy pa menduar kurrë se do të bëheshin poetë, të dy me zjarrin e dashurive të para, të shuara në heshtjen e tyre, të dy të mirëpritur nga lexuesit, por edhe të keqkuptuar, të dy nisin të botojnë të nxitur nga miq e dashamirës, të dyve u shitet me shpejtësi libri i parë (respektivisht, “Vargje në dialektin skocez” dhe “Rrezatim”), të dy u gëzohen njësoj lavdërimeve të kritikës ndër gazeta, të dy shkruan tekste këngësh, të dy të pranuar në kryeqytet në rrethet mondane e intelektuale, të dy të kthyer sërish andej nga kishin ardhur, të dy e kishin të shtrenjtë familjen, të dy më në fund, pas shumë peripecish, u bënë me shtëpitë e tyre, të dy të ndershëm e guximtarë, të dy të lirë dhe aq të dashur me njerëzit, të dy shpesh të harruar, të dy të sëmurur rëndë, të dy të vdekur para kohe në muajin qershor, të dy të përcjellë me madhështi dhe me aq nderime dhe të dy meritonin si epitaf fjalët e vëna si titull poezie nga R. Bërnsi: “Varfëri e ndershme”.
Në të gjitha poezitë e Ndocit (për të cilat pyeste se “E cili lloj arti është më tepër se sa poezia materie shpirtërore, elizir i bukurisë?”), ndihet dëshira për të qenë dhe për të mbetur njeri. Ndoci, kishte besim se: do të lindim shumë fëmijë, / që do të rrojnë gjithmonë të lirë, / dhe në qoftë se s`bëhet ndonjëri gjeni, / do bëhen patjetër njerëz të mirë. Ja, këtë paraqet edhe Kujtim Dashi në librin e tij, gjë që duket edhe tek intervistat e shumta që Ndoci ka dhënë, kur këtë ia kanë kërkuar firmat e mirënjohura të letrave tona si Mark Simoni, Aleksandër Frangaj, dhe vetë autori i këtij libri.
Për ta shpënë deri në fund portretin e poetit që di t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit, Kujtim Dashi është kujdesur të pasqyrojë edhe kontributet e Ndoc Gjetjes në drejtimin e revistave prestigjioze letrare si “Skena dhe ekrani” e “Spektër” apo si kryeredaktor i gazetës “Dita informacion”, por edhe si kryetar i komisionit të letërsisë në kryesinë e LSHA, si krijues i “Klubit të letrarëve” në Lezhë, botues së bashku me K. Dashin, i revistës “Në fillim qe Fjala”, dhe më tej si kryetar i urtë i Këshillit të Rrethit në pluralizëm, ku me gjakftohtësi e zgjuarsi kaloi prova të vështira. Autori nuk lë pa përmendur përkrahjen që i bënë atij Dritëro Agolli, Anastas Kondo, Visar Zhiti, Moikom Zeqo e plot të tjerë dhe paraqet opinionet e shumë personaliteteve si Preç Zogaj, Rudolf Marku, Tonin Çobani, Agim Isaku, Kolec Traboini, Besa Myftiu, Roland Gjoza, Shpëtim Çuçka, Ymer Berbati etj., disa nga të cilët flasin me fjalë zemre për të nëpër poezi të ndjera.
“Po bëhet i paaftë për të qenë i vdekshëm! / Pse themi që u ringjall Krishti / në vend që të themi Krishti nuk di të vdesë?! (Erinda Marku). Se sido që e kishte hallin, ai pa frikë duhet renditur në krye të plejadës lezhjane të poetëve. Se ashtu si Pjer de Ronsari (i cili shkroi dhe atë poezinë lirike për Skënderbeun tonë), për tridhjetë vite në shekullin e XVI, bëri aq shumë për atë grupimin që pati aq ndikim në gjithë poezinë franceze, edhe Ndoci, së bashku me shokët e tij, tashmë të njohur i dha nder Lezhës dhe gjithë Shqipërisë. Por një nder shumë të madh i bën kulturës sonë edhe i miri dhe i talentuari Kujtim Dashi, i cili na e përshkruan aq bindshëm njeriun, poetin dhe intelektualin mendimtar Ndoc Gjetja, që kudo që e përplasi fati, qoftë edhe si kamerier në një klub, ku u shërbente ezmerëve, banorë të lagjes të quajtur paradoksalisht “Liria”, deklaronte se “Thelbi i dashurisë sime është Lezha”. Kam mendimin se edhe vetë Bajroni po të qe i përbuzur dhe i zhvleftësuar si ai, do të fliste tjetërsoj. Por ai pati bërë një si një betim që “Dhe kur të kridhem në gjirin e tokës nënë i mbështjellë me pelerinën e përjetshme të heshtjes, do doja që për mua bashkatdhetarët të thonë: – Ai na deshi me gjithë fuqinë e zemrës!” Ndoci, le të flejë i qetë, se po aq e duam edhe ne atë, sidomos tani që hyri në manastirin e tij të vetmisë, shkrimtari – mik besnik i tij Kujtim Dashi, i cili me këtë libër, jo vetëm theu heshtjen, por edhe i hodhi krahëve poetit një mantel lavdie.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al