
Dështon 4 herë sprova për të marrë një të sëmurë.
Uturima e helikave “zgjon” banorët e izoluar në komunat e Tropojës, hidhen ndihma nga ajri.
Poshtë borës ka jetë. Më në fund, qetësimi i motit ka mundësuar fluturimin e parë me helikopter nga Kukësi në drejtim të fshatrave të thella të izoluara të Lekbibajve dhe Margegajve në Tropojë. Atje ku çdo ditë deklarohen njerëz të humbur, të cilët në të vërtetë janë izoluar pa asnjë lloj komunikimi në shtëpitë e tyre që mezi duken nga lartësia. Në fakt, helikopteri mbi të cilën ndodheshim dhe ne, e pati të pamundur të ulej në Curraj të Epërm dhe në Gegaj, për shkak se trashësia e dëborës ishte shumë e madhe dhe se terreni ishte shumë i papërshtatshëm, duke bërë që ndihmat ushqimore për banorët të hidheshin në dëborë. Po kështu, dhe tentativat e pilotëve për t’u ulur në fshatin Gegaj për të marrë një të sëmurë ishin të pamundura. Pritet që në ditët në vijim, me përmirësimin e motit dhe pushimin e reshjeve, të ketë më shumë operacione qoftë nga toka, qoftë nga ajri. Takimi me ekipin e pilotëve është pas tetë muajsh, qëkurse Regjimenti i Helikopterëve të Farkës zhvillonte stërvitjen për emergjencat në kohë dimri, në fakt pa e ditur se dimri i sivjetshëm do të ishte shumë i rrallë. Pas kolaudimit teknik, mbushjes së formularëve, ngarkesës me ushqime dhe padyshim përnjohjes me hartat dhe destinacionit, helikopteri i tipit AB 205, i drejtuar nga vetë komandanti i FA-së të Farkës kolonel Frederik Beltoja lë aeroportin e Kukësit në drejtim të Lekbibajve, zonës më të thellë dhe të izoluar në vend. Pas Kukësit dhe Gjallicës së mbushur me borë, befasia e parë është liqeni i Kukësit. Ai tashmë nuk është një liqen i ngrirë, por në shumicën e tij që shkon drejt digës së Fierzës është krejtësisht i mbuluar nga një trashësi gati një metër me borë sipër akullit. Mbi të ka rënë qetësia dhe sipërfaqja e tij është e njëjtë me gjithë terrenin e mbuluar nga “mbretëria e bardhë”, që ka mbuluar zonën prej gati një muaji. Ndryshe nga Fierza, vijimi i kaskadës së Drinit më Komanin nuk është e ngrirë. Deri në Lekbibaj është vështirë të shquash shtëpitë e vjetra të braktisura majë kodrave me çatitë e thepisura për t’i bërë ballë borës dhe dimrit. Zona e Lekbibajve është braktisur dhe shtëpitë e banuara janë me gishtat e dorës. Nga lartësia e helikopterit shquhen si pika të vogla njerëzit që dalin nga shtëpitë e tyre, thjesht nga uturima e helikopterit. Kanë ditë që kanë shkëputur çdo lidhje me pjesën tjetër të botës. Mungesë komunikimi, ushqimesh e ilaçesh. Në fakt, as ata nuk e dinë se dikush është kujtuar për ta. Akujt gjigandë që varen në shkëmbinj kanë marrë ngjyrë qielli.

Tentativa e parë për t’u ulur është në Curraj të Epërm. Në grykën e ngushtë helikopteri sillet si në rreth vicioz. Nga shtëpitë me çati të rënduara, si të shokuar dalin banorë të paktë, të cilët nuk prisnin që dikush në këtë kohë të vështirë t’u binte pas. Pilotët bëjnë manovrime të kujdesshme të mirëllogaritura, sepse një gabim i vogël, do të ishte fatalitet. Në një livadh buzë përroit, që duket si vijë e zezë nga lart, do të bëhet ulja e parë. Pilotët arrijnë sa të prekin me këmbët e helikopterit sipërfaqen e borës dhe Ervin Fusha, njëri prej rreshterëve, hap derën pa vënë as këmbën në dëborë dhe lëshon pakot me ushqime me mbishkrimin “Rezervat e Shtetit”. Ka vaj, sheqer, oriz, makarona e pak detergjentë. Banorët që nuk arrijnë në rrezen e helikave duken si të përhumbur në dëborën që ngre pa pushim helikopteri. Në një lartësi të madhe duken më qartë që në shenjë mirënjohjeje përshëndesin me dorë. Mësohet se ata i përkasin familjeve Prekbibaj dhe Ndrevataj.
Ndalesa tjetër është në shpatin tjetër të malit, ku janë si të ngujuar banorët. Edhe këtu e njëjta procedurë. Më pas fluturimi tretet në anën tjetër, në Margegaj. Në Begaj është e pamundur afrimi me tokën dhe Fusha, si një ushtarak i zoti në situata të tilla, hap derën e helikopterit dhe hedh ushqimet nga një lartësi gati 80 metra. Edhe këtu përshëndetja me dorë gërshetohet nga rendja e një qeni që duket sikur noton në dëborën e madhe për të shkuar i pari e për të marrë “dhuratën” që i ra nga qielli. Pas një hedhjeje tjetër mësojmë se do të marrim me vete një të sëmurë në Gegaj. Këtu është dhe sprova më e vështirë, sepse katër tentativa për t’u ulur janë të pasuksesshme. Sqepi i malit ku ndodhen dy shtëpi, në njërën është një i paralizuar, nuk të lë asnjë shteg për t’u ulur. Edhe kuajt e kanë vështirë të mbajnë barrën në këtë vend. Pas një fluturimi në Bajram Currin e mbuluar me 2 metra dëborë, sërish në Gegaj, por më kot. Lugina e Valbonës dhe Margegaj janë tërësisht të bllokuara, Rexhë Biberaj, kryetar i komunës, përditë nëpërmjet telefonit tregon rastet dhe vështirësitë, ndërsa sot ndodhemi pikërisht mbi komunën e thellë. Pas komunikimit me komandantin e helikopterit dhe këmbënguljes së Biberajt, duke treguar rastet që në fakt nuk kanë dallim mes tyre, vjen urdhri për të ndërprerë operacionin. Në fakt ishte një triumf, sepse kjo grykë e mbështjellë me dëborë dhe akull u ça. Njerëzit panë se dikush po mendon për ta. Ne i pamë nga lart ata, i trazuam nga “gjumi letargjik” ku i ka vërvitur dimri dhe i lamë sërish në “fatin e tyre të bardhë”, natyrisht prej bardhësisë së dëborës.
2 javë kanë të izoluar totalisht dhe pa asnjë mjet komunikimi me të afërm të tyre apo pushtetarët vendorë dhjetëra banorë në zona të thella të qarkut të Kukësit. Disa prej tyre janë dhe në thellësitë e Tropojës, aty ku helikopteri arriti të
shkonte dje.
Ekipi i pilotëve shpëtimtarë
Ky grup fluturimi, ku bën pjesë dhe Altin Lama dhe Besnik Buzi, ka kryer të mërkurën një fluturim mjaft të vështirë, duke marrë në Arrën një nënë në prag lindjeje. “Ekipi do të jetë edhe disa ditë të tjera në bazën e improvizuar në shërbim të banorëve”, thotë komandanti Frederik Beltoja. Nga dita e djeshme ka mbetur peng pamundësia për të tërhequr të sëmurin nga Gegaj, për shkak të terrenit tejet të vështirë.
Aeroporti i Kukësit, baza e operacioneve
Pista e aeroportit të Kukësit është kthyer në një bazë furnizimi dhe operacionale për situatën e krijuar nga reshjet e mëdha të dëborës dhe temperaturat e ulëta. Në aeroport janë stacionuar makineritë e ushtrisë, autoambulancat, borëpastrueset dhe helikopteri, së bashku me një personel të përgatitur për dhënien e ndihmës së parë, qoftë në rast bllokimi, izolimi, ndihmën shëndetësore dhe shpërndarje të ushqimeve nga toka dhe ajri.
Nga i dërguari ynë, JONUZ HALLAÇI
Ndihma për familjen e ngujuar
Një organizatë që vepron në Shkodër është kujtuar për të ndihmuar në këto ditë të vështira edhe një familje të ngujuar në fshatin Mazrek, komuna Gur i Zi në Shkodër. Nëpërmjet organizatës “Maltezer ndihmon në Shqipëri”, i janë dërguar ushqime kësaj familjeje ditën e djeshme. Transporti i ushqimeve është bërë nga mjetet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Shkodër.
Librazhd, gjendet në Sopot familja e “zhdukur”
Një familje prej nëntë anëtarësh është izoluar në fshatin Gaferr të komunës Stravaj dhe prej njëmbëdhjetë ditësh nuk dihej asgjë për fatin e saj. Familja e Nazmi Jelinës jeton në malin e Sopotit, ku trashësia e dëborës është mbi 2 metra. Shtëpia e veçuar nga fshati nuk ka energji elektrike dhe pati humbur kontaktet me të afërmit nëpërmjet telefonit. Kryekomunari Ardian Zeneli tha se një grup pune u nis për në zonën e thellë, duke konfirmuar se familja është shëndoshë e mirë dhe sot pritet dërgimi i ndihmave nga ajri.
Gjirokastër, bllokohen disa komuna
GJIROKASTER – Moti i keq ka ribllokuar zonat më të thella në qarkun e Gjirokastrës, duke sjellë një situatë alarmante. Reshjet e dëborës mëngjesin e djeshëm kanë sjellë izolimin e përkohshëm të komunave Kurvelesh e Buz në rrethin e Tepelenës, Frashër në Përmet dhe komunat e Zagorisë dhe të Pogonit në rrethin e Gjirokastrës. Për disa orë ka pasur probleme në akset nacionale Tepelenë-Mallakastër dhe Gjirokastër-Delvinë për shkak të dëborës, por ndërhyrja me kripë e skorje solli dhe normalizimin e qarkullimit.
Korçë, gati 1 mijë pako me ndihma
Reshjet e fundit të borës kanë thelluar edhe më tepër vështirësitë në fshatrat e qarkut të Korçës. Problematike mbetet Komuna e Lekasit në të cilën trashësia e borës ka arritur deri në 3 metra. Shtabi i Emergjencave Civile në Korçë ka fati 1 mijë pako me ndihma, por burime të tij thonë se ende nuk ka sinjalizime të kryekomunarëve apo kryepleqve të fshatrave të ndryshme për mbarim të rezervave ushqimore.
Emergjencat në Dibër
Helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë vijojnë lëvizjet mbi qytetin e Bulqizës. Njëri pas tjetrit ngjiten në Ostren, Selishtë e Lurë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të sëmurë. Mësojmë se një telefonatë e kryetarit të Ostrenit, Razi Rama, ka bërë që helikopteri të mbërrijë në këtë zonë dhe të transportojë një grua shtatzënë dhe një 35-vjeçar që kishte temperaturë të lartë. Po ashtu, me ndërhyrjen e drejtorit të Policisë rajonale, Shemsi Prençi, dy helikopterë kanë fluturuar drejt Lurës, për të transportuar një fëmijë 6-vjeçar në gjendje të rëndë dhe një tjetër ka transportuar një shtatzënë nga Selishta. Dje, në orët e para të mëngjesit, Mit’hat Muça nga Ostreni i Vogël ka kërkuar ndihmë, pasi tre fëmijët e tij kanë pasur probleme shëndetësore.
Sipas kryetarit të komunës, në orët e mesditës ata janë transportuar me vështirësi nga fshati i largët drejt spitalit rajonal të Peshkopisë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Helikopterët zëvendësojnë mjekët në zonat e thella
SHKODER – Përmirësimi i kushteve të motit mesditën e djeshme është shfrytëzuar për dërgimin e helikopterëve me personel mjekësor, ilaçe dhe evakuimin e disa personave që kanë pasur emergjenca shëndetësore. Gjithashtu janë nisur me anë të kamionëve të ushtrisë ushqime për banorët e zonave të izoluara. Një helikopter i forcave të armatosura ka transportuar dje nga Shkodra në zonat e thella malore mjekë, infermierë dhe ilaçet e domosdoshme për pacientët në këto zona. Fillimisht fluturimet janë bërë në zonën e Kelmendit, pikërisht në Vermosh, prej nga është transportuar një i sëmurë me probleme kardiake. Më tej, fluturimet kanë vazhduar në Dukagjin, konkretisht në komunën e Pultit, ku fillimisht është dërguar personeli mjekësor, për të zëvendësuar stafin tjetër, i cili kishte 2 javë që shërbente në atë zonë dhe e ka pasur të pamundur që të ndërrohej, pasi rruga e vetme për të udhëtuar ka qenë nga ajri. Prej andej janë marrë dy persona të sëmurë për në spital: një 65-vjeçar dhe një fëmijë 3 vjeç. Njëkohësisht ndihmat kanë vijuar edhe në rrugë tokësore, pasi përmirësimi i motit ka sjellë edhe lëvizjen e mjeteve të larta të ushtrisë, duke dërguar ushqime në disa zona të rrethit Shkodër. Ndërsa në rrethin e Pukës, helikopterët kanë bërë dy fluturime në drejtim të komunave Fierzë dhe Blerim të këtij rrethi, ku në një rast ka transportuar dhe një grua shtatzënë për në spitalin e qytetit të Pukës. Po dje, në spitalin e Pukës ka mbërritur në rrugë tokësore një tjetër grua shtatzënë, e cila me mjetet e ushtrisë ishte nisur nga fshati Rrape. r.d
Bulqizë, dy javë nën rrethimin e borës
“Qyteti i varfër kërkon ndihmë. Dëbora ka mbuluar dhe stoqet e kromit ku punonin njerëzit”

Miftar Dani: Flemë me ankth se mos na shemben shtëpitë
Banorët e qytetit të Bulqizës nuk e kanë ndjerë veten më ngushtë se këto kohë. Prej dy javësh janë të rrethuar nga të katër anët prej borës, e cila si pasojë e ndërprerjes së djeshme të reshjeve, zbriti në 1 metër. Një prej këtyre banorëve është Miftar Dani, pensionist. Ai lëviz me vështirësi drejt apartamentit të tij. Është fjalëpak dhe thotë se ky dimër ishte i rëndë, sidomos për zonat e thella të Bulqizës e Dibrës.
Që kur jeni të izoluar?
Qysh në fillim të këtij muaji, mijëra banorë të qytetit tonë janë të izoluar totalisht. Bashkia ka hapur rrugën kryesore, ndërkohë që rrugët mes lagjeve dhe pallateve mezi kalohen. Lartësia e borës ka qenë më shumë se 1.5 metra, ndërsa aktualisht është të paktën 1 metër.
Si nis dita për ju?
Më mirë do të më pyesnit çfarë përjetojmë gjatë natës. Deri në orët e vona, hapim sytë në televizione dhe shohim e dëgjojmë çfarë ndodh në rrethet e Veriut të vendit. Edhe lajmet për qytetin tonë apo komunat e thella i marrim nga televizionet. Ne që banojmë në katet e fundit të pallateve flemë gjithë frikë se çatia mund të shembet e jeta e pjesëtarëve të familjes vihet në rrezik. Zgjohemi pa gdhirë dhe nga dritaret shohim sa është bora e re që ka rënë. Hapim një rrugë të ngushtë për të vajtur deri në rrugën kryesore, për të shkuar në farmaci, dyqan apo diku tjetër.
A keni pasur ujë të pijshëm dhe ushqime?
Uji i pijshëm në qytetin e Bulqizës këtë dimër ka qenë shumë problem, pasi ujësjellësi ka pësuar defekte të rënda për shkak të borës e ngricave. Janë të shumta familjet, ashtu si familja ime, që shkrijnë borën për të gatuar apo për të larë teshat e enët e kuzhinës. Ditë më të vështira nuk kemi përjetuar prej dekadash. Edhe ushqimet janë të pakta. Minatorët nuk kanë lekë rezervë, sepse gjatë muajve të verës ata nuk u paguan. Ndërkohë tani rrojnë si mos më keq. Listat tona në dyqane janë tashmë të gjata, një Zot e di kur do ta fshijmë emrin nga fletoret e tregtarëve të qytetit.
Me se ngroheni?
Jo vetëm unë, por më shumë se 99 për qind e bulqizakëve ngrohen me dru zjarri. I sigurojmë që në verë dhe i mbajmë pranë shtëpisë, kryesisht në kapanone apo i mbulojmë me plastmasë. Ku kemi takat ne të ngrohemi me korrent. Ai kushton shumë dhe nuk mund ta paguajmë.
A keni marrë ndihma ushqimore?
As unë dhe askush tjetër në qytetin e Bulqizës nuk kanë marrë ndihma ushqimore. Kërkesat janë të shumta, por gjykoj se më në rrezik sesa ne janë banorët e Trebishtit, Ostrenit e Martaneshit. Jo se unë nuk dua ndihma, por fillimisht duhet të shkojnë atje, tek ata njerëz që janë në rrezik për jetën.
Cili mendoni se është shqetësimi kryesor për fqinjët e tu apo qytetarët e Bulqizës?
Të gjithë kemi halle, siç i përmenda më lart, por unë them se duhet bërë kujdes i veçantë për familjet e varfra, pasi janë të shumta në numër e janë në krizë të madhe. Pjesëtarët e këtyre familjeve tani nuk kanë mundësi të grumbullojnë krom nga stoqet, pasi ato kanë afro dy metra borë. Por, shqetësim mbi shqetësimet është mungesa e kujdesit për të sëmurët kronikë. Për këtë kategori duhet menduar me urgje-ncë, ndryshe jeta e tyre është në rrezik.
PS ndihma në Bulqizë
Partia Socialiste ka shpërndarë dje 60 tonë ushqime për banorët e komunave Fushë Bulqizë, Gjoricë e Martanesh. Në këtë zonë ka qenë dje dhe kreu socialist, Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiakët e Kavajës, Durrësit, Vlorës dhe Lushnjës e Laçir. Për shkak të borës, kamionët kanë mbetur të bllokuar në borë në Fushë-Bulqizë dhe vetë banorët janë angazhuar për t’i shtyrë. “Kjo është ajo që ne mundëm të bëjmë për momentin, një shprehje solidariteti njerëzor. Sepse strukturat e detyrimet ligjore dhe shtetërore i ka qeveria. Ne kemi vetëm zemrën dhe mendjen të përqendruar që të bëjmë gjithçka është e mundur që të lehtësohet sadopak kjo krizë e bllokimit edhe e mungesës së ushqimeve e të ilaçeve, aty ku mundemi, aq sa mundemi”, deklaroi Rama.
Nga Bulqiza, HASAN PASHA
© Panorama.al













