Në kufijtë e legjendës

Jun 23, 2011 | 10:37
Nga muzikali “Rituali i jetës”

Me citimin “Në kufijtë e legjendës” jemi mësuar të përmendim një film artistik shqiptar të realizuar këtu e shumë vite të shkuara, por sot ky film u shndërrua në imazhin tingullor nga më të thellët që kanë ardhur në skenat tona përfaqësuese. Kjo risi, që në fakt duhet të kish nxituar të shfaqej, erdhi duke zbuluar fshehuri të çuditshme ritesh, duke na kujtuar përmes stimulimit tingullor dhe lëvizjeve korin dhe korifeun, apo duke improvizuar artistikisht dasmën dhe vdekjen, lindjen dhe ninullën, natyrën dhe kapriçot e saj të paimitueshme. Por, si duket, kjo risi e vonë futet në atë koleksion gurësh të çmuar që ndoshta rastësisht janë zbuluar. Nuk dua t’i jap elokuencës sime kuptim arkeologjik, por gjithmonë ndodh që thesaret të nxirren vonë nga harresa. Pavarësisht kësaj, madhështia shqiptare e jetës, edhe pse në kushte mbijetese, u shpërfaq me tërë dimensionin e vet që jo rrallëherë e kalon edhe legjendën, mbërrin në kufij të tjerë, deri edhe të papërcaktuar jashtë saj. Kjo shpjegohet me faktin se gjithçka jetësore e popullit tonë mban brenda një frymë poetike, gjithçka nga ndodhitë e përcaktuara të jetës vishet me nga një këngë a poezi, madje edhe me melodi pa fjalë, edhe me lëvizje pa muzikë, e shumë cilësime estetike të tjera. Kështu, shumë prej këtyre ngjyrimeve emocionale të ritualit unik të jetës njerëzore janë pikasur me një mençuri dhe profesionalizëm nga kompozitori dhe etnomuzikologu Klodian Qafoku, i cili vendosi të rendisë një sërë ritesh jetësore të veshura me emocionin e mjeshtrit popull dhe t’i bëjë ato pjesë të skenës aristokratike. Duhet thënë se këto rite u detyruan nën trysninë e profesionalizmit t’i përshtaten luksit të skenës operistike, por sidoqoftë, ky impuls jetësor që vjen prej shpirtit të popullit është fillesa e vetë operës dhe gjinive analoge me të. Kompozitori, bashkë me disa artistë të sprovuar në shfaqje komplekse, realizuan një film me tinguj, duke na mundësuar si në një ekran të njohim jetën e thjeshtë pa ndërlikimet e kohës, të kuptojmë se sa dhe si e adhuron shpirti shqiptar mrekullinë e jetës, si i dhemb për vdekjen dhe si gëzohet për lindjen apo dasmën. Vihet re se vepra e tërë ishte një valle liriko-elegjiake si për të na kujtuar optimizmin e madh të vendasve. Kjo shfaqje e arriti qëllimin të sillte në skenë gjithë Shqipërinë etnologjike, aq të përmendur nga organizatat mbrojtëse të trashëgimive antike; erdhi në skenë gjithë vlera e vërtetë e identitetit tonë kombëtar, ashtu, thjesht, pa ngjyra politike dhe pa ndikimin e modës publicitare.
Jo rastësisht të binte në sy dhe të nguliteshin mbresa të tëra nga ceremoniali mortor, si thelbi i tragjedisë, si një ndodhi e pashmangur gjer tani nga njerëzit dhe si të mbeten në vesh duke depërtuar edhe në shpirt jehona që riti i vdekjes i bën në fakt jetës, që ajo të çmohet deri në fund. U gërshetuan dhe u ruajtën me kujdes profesional motive nga më të njohurat, si ato të lindjes, ashtu edhe të frymëzimit të dashurisë, deri në finalizimin e saj te dasma, duke e dhënë të plotë imazhin e nuses, të dhëndrit, krushqve e duke kulmuar me lindjen e fëmijës së parë, ninulla etj. Gjithçka e kuruar në detaj e ka ndihmuar kompozitorin Qafoku të futet në radhën e atyre krijuesve që e kanë profesionin e tyre një zgjedhje të kuptimtë dhe duke e veshur profesionin me dritën e misionit, për të realizuar vepra që t’i rezistojnë kohës, por edhe t’i ushqejnë shijuesit e tyre me vlera estetike dhe origjinale. Këngët dhe vallet e përfshira në shfaqje u bënë pjesë e saj, të paprekura, ashtu siç edhe janë njohur gjerësisht me gjithë vitalitetin dhe pastërtinë e motiveve, të pandikuar nga asnjë dyndje e jashtme, gjë që na ndodh rëndom në ditët e sotme. Por, profesionisti që përpiqet të shndërrohet në misionar, e di mirë se ç’do të thotë të rrezikosh, duke mos përmbushur veprën me të gjitha kërkesat që ajo ka. Pavarësisht se në realizimin e kësaj vepre teknika dixhitale u fut në ndihmë të plotësimit të saj, nuk pati asnjë erozion, as të tipit intonativ dhe as të ndonjë lloji tjetër. Mendoj se kjo shfaqje duhet të ndjekë një udhë të gjatë për t’u dhënë edhe në hapësira të tjera shqiptare, po sidomos europiane. Për një ton të domosdoshëm kritik, ndoshta mund të përfshihej brenda shfaqjes edhe jeta baritore për t’i dhënë asaj ngjyra pastorale të natyrës sonë, gjithashtu edhe në ceremonialin e vdekjes mungonin ligjërimet dramatike të Jugut. Por, ndoshta, autori i saj, me largpamësi, mund t’i ketë ruajtur këto frymëzime për një seri të dytë, thellësisht shqiptare. Besojmë se në shfaqen tjetër do të përshkruhen po me aq emocion praktika të tjera rituale të jetës dramatike shqiptare. Gjithashtu besoj se do të kapërcehet kufiri i legjendës së parë muzikore me kufijtë e një legjende tjetër.

 

BLERINA SHALARI

© Panorama.al

Te lidhura