
KORÇE- Policia po bashkëpunon me blutë e Tiranës, me qëllim identifikimin e klientëve që kanë kryer marrëdhënie pedofilie me fëmijën 9 vjeç nga qyteti i Korçës. Pas arrestimit të dajës së të miturit, 45-vjeçarit Arben Hajdinllari, hetimi është zgjeruar edhe në kryeqytet. Ekspertiza mjeko-ligjore ka vërtetuar se me të miturin është abuzuar. Sipas Policisë, babai i 7 fëmijëve, përdorte nipin e tij për ta prostituuar në zona të ndryshme të kryeqytetit, kundrejt shumës 4 mijë lekë. Pas arrestimit të 45-vjeçarit, dje reaguan familjarët e tij duke mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Bashkëshortja e tij, Etleva Hajdinllari, u shpreh se bashkë me 7 fëmijët e saj në të njëjtën çati jetonte pas divorcit me të shoqin motra e të arrestuarit me 5 fëmijët e saj (njëri prej të cilëve dyshohet se është abuzuar në Tiranë). “Burri im shpesh i drejtohej Tiranës për të lypur, pasi ishte e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura. Ai na sillte edhe ushqime që i siguronte nëpër fshatra duke lypur e madje mbante edhe motrën e tij të divorcuar e 5 fëmijët e saj. Arbeni gjithmonë është kujdesur për fëmijët, nuk ka lidhje me këto gjëra. Shkonte shpesh në Tiranë për të lypur. Ai asnjëherë nuk i merrte fëmijët e motrës me vete, edhe pse ata ndonjëherë kanë pasur qejf dhe kërkonin ta shoqëronin. Madje, kur shkonte në fshatrat këtu rrotull Korçës, merrte ndonjërin nga fëmijët tanë, por jo fëmijët e Donikës”, u shpreh mes lotëve gruaja e të arrestuarit. Sipas saj, Arbeni sapo u kthye nga një fshat ku kishte shkuar për të lypur si çdo ditë dhe kishte sjellë një thes me ushqime për fëmijët, kur erdhi policia dhe e mori. “Mua më thanë se kishte vjedhur kapakët e pusetave, ndërsa tani na del se…unë nuk e di por edhe nëse i ka pranuar akuzat, e ka bërë sepse e kanë rrahur dhe torturuar. Mua nuk më kanë lënë as ta takoj, por edhe pse nuk kam asnjë lek, do ta mbroj. Borxh do të marr dhe do zë një avokat, sepse pa të unë nuk mund të kujdesem më për fëmijët. As nuk mund t’i ushqej dot, se kam 7 fëmijë”, u shpreh më tej ajo. Donika Hajdinllari, nëna e fëmijës së abuzuar, dje ndodhej në polici për të dhënë dëshminë e saj në lidhje me denoncimin e kryer. Në vitin 2004, ajo ka denoncuar publikisht lindjen e saj në një klinikë greke dhe zhdukjen e fëmijës së saj. Ajo denoncoi rastin duke bërë publik edhe emrin e mjekut Fotis Andropulos. dh.d











