Kënga e cila ishte menduar të realizohet për Çamërinë dhe të vinte si bashkëpunim mes Hekuran Krasniqit, reperit Gold Ag dhe këngëtares Afërdita Dreshaj, në fund ka ndryshuar formatin. Treshja e famshme ka ndryshuar, pasi Afërdita është përjashtuar nga ky projekt, edhe pse në fillim shihej si e përshtatshme në këtë trio, që mendohej se do të ishte një nga projektet më të suksesshme dhe më patriotike të të gjitha kohërave. Në vend të këngëtares nga Mali i Zi, vjen këngëtarja labe Poni, si e përzgjedhura e reperit Gold Ag. Ne kontaktuam me reperin, i cili na tregoi më shumë rreth kësaj përzgjedhjeje. ‘’Në fillim ishte si ide për shkak se ishte nga Mali i Zi dhe bëhej kombinimi Kosovë, Preshevë, Malësi që t’i këndojmë Çamërisë. Por, kënga nuk i përshtatej këndimit të Afërditës dhe këtë e arriti për mrekulli Poni, që e falënderoj shumë dhe shpresoj që do të jetë një hit i pavdekshëm’’, thekson reperi i njohur, Gold Ag. Ky projekt do të jetë një tjetër vazhdim i suksesit të këngës ‘’Kuq e Zi’’, që para disa javësh është lançuar nga Meda, Sinani dhe Seldi, këngë kjo e cila flet po ashtu për bashkimin e trojeve shqiptare. Këtë radhë, Çamërisë i këndojnë Lugina, Shqipëria e Kosova.











