
Zbardhen “pazaret” e dy personave të dyshuar si sekserë falsë të pedagogëve të Fakultetit të Infermierisë.Një ryshfet i stimuluar dhe përgjimet ambientale gjatë hetimit kanë zbuluar gjithë skemën e dy të dyshuarve. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj të pandehurve Bujar Luga dhe Kreshnik Çami. Ata akuzohen se kanë marrë shuma parash nga studentë të ndryshëm të Infermierisë, duke u premtuar atyre ndërhyrje te pedagogët për të marrë nota kaluese. Referuar hetimeve, shumat e kërkuara prej tyre varionin nga 3 mijë lekë deri në 150 euro. Por, sipas prokurorisë, Luga dhe Çami i kanë mbajtur këto para për vete dhe në asnjë rast nuk ua kanë dhënë pedagogëve. Po sipas akuzës, Kreshnik Çami ishte kamerier në një lokal pranë Fakultetit të Infermierisë, ndërsa Bujar Luga ishte punonjës i administratës së Fakultetit. Referuar kërkesës për gjykim, duke qenë në këto pozicione ata kishin krijuar idenë te studentët se ata vërtet ishin në gjendje të ndikonin te pedagogët me qëllim marrjen e notave kaluese. Gjatë hetimeve, prokuroria ka marrë në pyetje edhe pedagogët e përmendur në bisedat mes të pandehurve, por të gjithë ata kanë mohuar të kenë marrë shuma parash prej tyre.
Dosja me të pandehur Bujar Lugën dhe Kreshnik Çamin është depozituar në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë. Ata akuzohen për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim.
PERGJIMET
Hetimi ndaj të pandehurve Bujar Luga dhe Kreshnik Çami ka nisur në fillim të muajit shkurt, pas kallëzimit të një studenti, i cili u kishte dhënë atyre disa herë shuma parash me qëllim ndërhyrjen te pedagogët e tij për nota kaluese në provime. Por, edhe pse kishte paguar “sekserët”, studenti ishte vlerësuar me notën 4. Në kërkesën për gjykim të prokurorisë citohet përmbajtja e bisedave të fiksuara në përgjimet ambientale të autorizuara gjatë hetimeve në gati 10 episode, ku të pandehurit përmendin emrat e pedagogëve ku do të ndërhynin dhe shumat e parave që pretendonin për gjithsecilin. Në vijim publikohen disa nga episodet, sipas kërkesës për gjykim. “Më datën 1 shkurt 2011, sikurse rezulton nga procesverbali i transkriptimit të bisedave ambientale të datës 1 shkurt 2011, si dhe raportet e grupit të vëzhgimit, kallëzuesi E. është takuar me personin nën hetim Kreshnik Çami. Nga biseda e tyre në lokalin ku punon Kreshniku, rezulton se kallëzuesi ka provim me pedagogen V.
Gjatë kësaj bisede, Kreshniku i thotë kallëzuesit se mjafton që ai të ketë lekët, ndërsa kallëzuesi i kërkon shifrën që duhet për një provim. Kreshniku i thotë se për të marrë një provim nevojiten nga 3 mijë leke deri në 50 euro. Me pas Kreshniku e adreson kallëzuesin E. te një punonjës i administratës së Fakultetit të Infermierisë dhe konkretisht te personi tjetër nën hetim, Bujar Luga. Pasi takon Bujarin, kallëzuesi E. i prezantohet dhe e pyet nëse e ka bërë muhabetin me V. Bujari është në dijeni të këtij fakti, merr përsipër ta takojë pedagogen.
Pas këtij momenti kallëzuesi kthehet te Kreshniku, i cili i thotë se i ka thënë edhe pedagoges E. dhe, sipas tij, E. nuk merr shuma parash, por Kreshniku merr përsipër që t’i japë një sasi prej 2 mijë lekësh edhe asaj. Në datën 2 shkurt 2011, rreth orës 10:00, sipas procesverbalit të transkriptimit të datës 3 shkurt 2011, rezulton se kallëzuesi është takuar me Kreshnikun dhe së bashku me ta në tavolinë kanë qenë dhe dy studentë të tjerë. Gjatë kësaj bisede Kreshniku i thotë kallëzuesit se një person tjetër, që duhet të jetë Bujari, e ka mbaruar muhabetin me V. dhe për provimet e V. dhe të Z. nevojiten një shumë prej 150 eurosh. Nga këto 100 duhen për Z. Gjatë bisedës Kreshniku i thotë E. se Z. dhe R. janë më të shtrenjtat, ndërsa E. i thotë se nuk ka me R.
Në datën 4 shkurt 2011, sipas procesverbalit të transkriptimit të bisedave ambientale të datës 6 shkurt 2011, kallëzuesi E. takohet me Kreshnikun dhe Bujarin rreth orës 11:00. Gjatë bisedës Bujari i thotë E. se i ka dhënë F. një shumë të hollash, ndërsa Z. i ka thënë Bujarit se përse ai nuk i ka thënë më para. V. i ka thënë Bujarit që thuaji E. të mësojë një çikë. Pas kësaj E. futet në provim dhe pasi del, takon përsëri Kreshnikun, i cili i thotë se ia ka dhënë A. emrin. Ndërkohë, kur ka dalë nga provimi, E. ka marrë notën e V., e cila i ka dhënë notat te klasa dhe shokët i kanë thënë që ai kishte marrë 4.
Në datën 15 shkurt 2011, rreth orës 11:00, E. takohet me Nikun. Niku i thotë se kanë biseduar për një shumë prej 10 mijë lekësh, por sipas tij, pedagogu nuk kishte pranuar pasi duhej një shumë prej 100 eurosh. E. i thotë Nikut se do t’i japë lekë shqiptare, një shumë prej 14 mijë lekësh, dhe kërkon që t’i japë edhe librezën me qëllim që pedagogu të hedhë notat në librezë. E. i thotë Nikut që kur t’i japë lekët, t’i japë dhe librezën. Nga biseda rezulton se E. i jep Nikut një shumë prej 14 mijë lekësh.
Nga transkriptimi i bisedave ambientale të datës 9 mars 2011 rezulton se në datën 2 mars 2011, rreth orës 11:00, E. është takuar me Bujarin dhe më pas me Nikun. Nga biseda që bën E. me Bujarin rezulton se Bujari nuk është takuar dot me pedagogun. E. këmbëngul dhe i thotë o bëhet o s’bëhet, duke i lënë Bujarit të kuptojë që në të kundërt duhet t’i kthehen lekët, ndërsa Bujari i thotë se nuk mund të kthehen lekët”.
Ndërsa nga një bisedë më 9 mars 2011 rezulton se E. ka biseduar me Nikun, i cili i ka thënë se për provimin me E. duhet edhe disa para të tjera. E. e pyet Bujarin se sa i ka ngelur E., ndërsa Bujari nuk e kupton dhe i kthen përgjigje se E. i ka marrë 100. Bujari i thotë E. se pasi ky i fundit i dha Nikut një shumë prej 10 mijë lekësh, Niku ia dha Bujarit dhe Bujari ia ka dhënë shumën e parave pedagoges E.”.
Të akuzuar
Kreshnik Çami
Bujar Luga
Akuza: Akuza: Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim
© Panorama.al











