Ardhja në jetë e një fëmije nga martesa e tyre dhe statusi “baba” i ka gëzuar pa masë, ashtu si çdo prind i ri.Kanë rendur për në maternitet për t’u qëndruar pranë bashkëshorteve të tyre. Por, më vonë, kur janë kthjelluar që nuk kanë qenë pranë bashkëshorteve në kohën e ngjizjes, kanë rendur tek analizat e ADN-së dhe më pas për në gjykatë. Padia që depozitonin ka pasur të njëjtin objekt: “padi çnjohjeje atësie”. Gjykata e Tiranës, gjatë shtatëmujorit të parë të këtij viti, ka përfunduar shqyrtimin e gjashtë kërkesë-padive me këtë objekt. Në pesë nga këto raste, paditës kanë qenë bashkëshortët dhe vetëm një herë në rolin e paditëses ka qenë nëna e fëmijës. Referuar të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, në katër shqyrtime të tilla, gjykata, në vendimin përfundimtar ka pranuar kërkesën për çnjohjen e atësisë së fëmijëve nga prindi mashkull. Ndërsa në dy çështje, gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit. Për dy gjykime të tjera të këtij lloji, gjykata është në shqyrtim e sipër dhe ende nuk ka mbërritur në verdiktin përfundimtar.
ARSYET
Duke parë përmbajtjen e vendimeve të zbardhura gjyqësore, të siguruara nga gazeta, vihet re se arsyeja kryesore e baballarëve që kërkojnë çnjohjen e atësisë te fëmijët e tyre kanë qenë mosqenia pranë bashkëshorteve në kohën e ngjizjes së fëmijës. Sipas vendimeve, në kohën që mendohej të ishte ngjizur fëmija i tyre, ata kishin qenë jashtë Shqipërisë. Në rastin më të mirë kanë qenë brenda vendit, por jashtë qytetit për një kohë të gjatë. Gjithçka është sqaruar më pas nga ana e gjykatës, nëpërmjet akt-ekspertimeve mjekësore, si edhe analizave gjenetike krahasuese të ADN-së së fëmijëve me baballarët. Por, në disa raste, “bashkëpunuese” janë treguar edhe nënat, të cilat, para gjykatës kanë pranuar se babai i fëmijës së lindur nuk ishte bashkëshorti, por një person tjetër.
RASTE
A. A. dhe A. C. janë martuar në vitin 2007 dhe pak vjet më vonë ata janë gëzuar me lindjen e një fëmije. “Që në ditët e para pas lindjes së fëmijës paditësi ka dyshuar se ai nuk ishte babai biologjik i fëmijës. Kjo për shkak të ngjashmërisë së pakët të fëmijës me paditësin. Njëkohësisht dhe për shkak se në periudhën e supozuar të fekondimit të së paditurës, paditësi nuk ka kryer marrëdhënie intime me të për shkak të qëndrimit larg banesës për arsye pune”, thuhej në arsyetimin e vendimi të gjykatës. Fillimisht babai i është drejtuar një klinike private për kryerjen e analizës së ADN-së. Sipas saj, ai nuk ishte babai biologjik i fëmijës. Pasi është përballur me rezultatet e analizave, edhe bashkëshortja ka pranuar faktin. Në vijim, zgjidhje ka mbetur vetëm dërgimi i çështjes në gjykatë. “Nëna e fëmijës, si përfaqësuese ligjore e fëmijës D., pohoi në seancë gjyqësore se paditësi A. A. nuk është babai biologjik i fëmijës, pasi gjatë kohës që fëmija është konceptuar, paditësi ka qenë jashtë shtetit për arsye pune dhe gjatë kësaj kohe ajo ka pasur një marrëdhënie intime rastësore jashtë martese me një person tjetër”, thuhej në vendim.
Në një tjetër rast babai ka kërkuar çnjohjen e atësisë së fëmijës së tij pasi kishte zgjidhur martesën e tij të realizuar në vitin 2008. Sipas gjykatës, paditësi jetonte si emigrant jashtë Shqipërisë dhe se edhe për divorcin, një nga arsyet kishte qenë dyshimi mbi atësinë e fëmijës së tij. Në vendimin e gjykatës citohej certifikata e lindjes së fëmijës së tij, sipas së cilës, fëmija, i seksit mashkull, ka ardhur në jetë pas një kohëzgjatjeje barre 36-37 javë. “Edhe ky fakt tregon rrjedhimisht se konceptimi i të miturit I. S. nuk rezulton të jetë realizuar as në tetor 2008, as në mars 2009, periudha gjatë të cilave paditësi ka qenë fizikisht pranë ish-bashkëshortes së tij”, thuhej në vendimin e gjykatës për këtë çështje.
Padite per njohjen e atesise
Në Gjykatën e Tiranës nuk mbeten mbrapa as kërkesat për “njohje atësie”. Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës, gjatë shtatëmujorit të parë gjykata është shprehur shtatë herë me vendim në lidhje me kërkesë-paditë e këtij lloji. Po sipas të dhënave, në tri raste kërkesa për njohje atësie është pranuar dhe në pesë raste është pushuar.
Lidhja jashtë martese, ligjëron babanë biologjik pas 36 vjetësh
TIRANE – Ai ishte 18 vjeç kur e ëma i rrëfeu se kishte ardhur në këtë botë nga një lidhje jashtëmartesore dhe jo nga ai që njihte si babanë e tij. Por, ndonëse tashmë i ka kaluar të tridhjetegjashtat, R. V. (red) ka trokitur në dyert e gjykatës për të ligjëruar babanë e tij biologjik. Protagonisti është një kryeqytetas, i cili në janar të këtij viti ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë të dyfishtë: T’i njihej ligjërisht si baba, babai i tij biologjik dhe t’i çnjihej atësia e personit që e kishte rritur deri në moshën 8-vjeçare. Pas 10 seancash shqyrtimi gjyqësor, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat e tij pak ditë më parë. “Historia” në fjalë ka nisur me një martesë të vitit 1967. Me një vendim gjyqësor të Gjykatës së Tiranës të 19 viteve më vonë, kjo martesë është zgjidhur. Më herët nga kjo lidhje martesore kishin ardhur në jetë dy fëmijë. Sipas vendimit të divorcit, ata iu lanë për rritje nënës së tyre. Kur njëri prej tyre kishte mbërritur moshën 18 vjeç, nëna i kishte rrëfyer sekretin e atësisë së tij biologjike, i cili ishte një mik i familjes. Në janar të këtij viti, pasi prej vitesh kishte ndërprerë çdo komunikim me personin që njihte si babanë e tij, djali, tashmë 36 vjeç, ka kërkuar që në gjeneralitete t’i njihej atësia e babait të tij biologjik.
VENDIMI I GJYKATËS
“Paditësi deklaroi para gjykatës se ai është njëri nga dy fëmijët e ardhur në jetë gjatë bashkëjetesës ligjore të dy prindërve të tij të lidhur me martesë ligjore në qershor 1967. Gjykata e Rrethit Tiranë, me një vendim të qershorit 1986, e ka zgjidhur martesën e tyre duke vendosur, ndër të tjera, lënien e dy fëmijëve (atëherë) të mitur për rritje dhe edukim nënës së tyre. Paditësi deklaroi se me mbushjen e tij 18 vjeç është vënë në dijeni nga nëna, e ndjera A. N., se ai është fryt i lidhjes së saj jashtëmartesore me të paditurin R. S., një mik i vjetër i familjes së tyre. Nëna e paditësit, shtetasja A. N., rezulton të ketë ndërruar jetë në vitin 1995, ndërkohe që me babanë e tij paditësi deklaron se prej kohësh ka ndërprerë çdo komunikim. Të njëjtat fakte u konfirmuan gjatë gjykimit edhe nga i padituri R. S. Gjykata, për shkak të mospjesëmarrjes në gjykim të të paditurit V. V., e pati objektivisht të pamundur që, në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes, të realizonte gjyqësisht analizën e ADN-së së tij. Por, kësaj analize iu nënshtrua gjatë gjykimit i padituri R. S. Në përfundim të aktit të ekspertimit të kryer nga Drejtoria e Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, me kampionet e pështymës së paditësit R. V. dhe të paditurit R. S., është konkluduar se: “Nga krahasimi i mëtejshëm i këtyre dy profileve gjenetike të përftuara nga objekti dhe modeli i këtij ekspertimi, arrihet në përfundimin e bazuar në ligjet e trashëgimisë, se profilet paraqesin lidhjen gjenetike babë-bir. Përfundimisht, bazuar në sa më sipër, gjykata çmon se kërkesëpadia duhet pranuar”, thuhej në vendimin e gjykatës. Me pranimin e kësaj kërkesë-padie, Gjykata e Tiranës vendosi ndryshimin e rubrikës “atësia” dhe “mbiemri” në aktin e lindjes së paditësit R. V. ar.ba
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











