
Asistenca e Bashkimit Europian për mjedisin në Shqipëri ka qenë shumë bujare. Madje e përkthyer në shifra, bujaria bëhet edhe më surprizuese, ndërsa problemet me mjedisin gjithnjë e më prezente. Nuk dihen ku kanë shkuar këto shuma marramendëse parash, të cilat në një hark kohor prej dy vitesh, nëse do ishin përdorur për projekte të rëndësishme do të kishin dhënë frytet për mjedisin në Shqipëri. Aktualisht, ndotja e tij është në nivele alarmante. Shifrën e bëri publike ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi. Ai deklaroi dje se për 2 vjet janë dhënë plot 105 milionë euro në fushën e mjedisit. “Më lini të theksoj se, nga viti 2008 deri në 2010, asistenca e BE-së ka qenë shumë bujare. BE ka asistuar Shqipërinë me 105 milionë euro në fushën e mjedisit. Angazhimi i Shqipërisë në standardet europiane në këtë fushë matet nga veprimet e saj në adaptimin e legjislacionit adekuat, planifikimim e burimeve natyrore dhe njerëzore dhe implementimin, të cilën do të doja ta theksoja”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Ambasadori i Bashkimit Europian nuk sqaroi se si, në cilat projekte janë përdorur këto para dhe çfarë efekti kane pasur në mjedisin shqiptar. Megjithatë ai premtoi se Europa do ta ndihmojë Shqipërinë, por e ardhmja për të përmirësuar situatën varet nga investimi si duhet i fondeve, nga autoritetet shqiptare. Por ai sqaroi se ndihma e BE-së shkon në 2 milionë euro, për të përafruar legjislacionin, por edhe për hartimin e politikave, me qëllim shmangien e tragjedive njerëzore, që mund të shkaktojnë substancat e rrezikshme. Këto deklarata ai i bëri gjatë prezantimit të projektligjit për kontrollin e rrezikut nga aksidentet madhore industriale. Ky draft u prezantua dje nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. I cili pranoi problemet me ndotjen. “Ka një ndotje masive. Ka kompani private që po punojnë shumë mirë, duke zbatuar plane dhe investime të rehabilitimit mjedisor, por ka edhe të tjera që duhet të përgjigjen me të njëjtën përgjegjësi”, tha ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Pavarësisht se aksidentet në punë nga substancat e rrezikshme në vendin tonë nuk janë të shumta, ato vazhdojnë të jenë shqetësuese për autoritetet e mjedisit. Propozimet më të fundit që kanë bërë këto autoritete, për shmangien e këtyre aksidenteve janë të përfshira në një draft, i cili do të diskutohet me të gjithë aktorët e interesit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, kërkoi ndërhyrje emergjente në të gjitha subjektet që përpunojnë çelikun, në veçanti në Elbasan, si dhe në ato të çimentos. “Duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për industrinë e çelikut, sidomos për Elbasanin, një ndërhyrje emergjente për të plotësuar të gjitha standardet nga ana e atyre që ushtrojnë këtë aktivitet, por edhe Ministria e Mjedisit për të ushtruar të gjithë kontrollin e nevojshëm për të mos lejuar ndotjen e mëtejshme të mjedisit. Duke vazhduar pastaj me industritë e reja të çimentos, që kanë për detyrë të monitorojnë dhe krijojnë të gjitha kushtet dhe standardet mjedisore”, u shpreh ai.











