Partizani ka fituar 2-1 në Cërrik, duke iu afruar edhe më shumë ngjitjes në Kategorinë e Parë. Dueli mes cërrikasve mjaft të entuziazmuar dhe kryeqytetasve tejet të motivuar startoi plot ritëm, por që në minutën e 10-të vendësit rebelohen masivisht, pasi gjyqtari akordoi penallti për “Demat e Kuq”. Penalltia ekzekutohet me qetësi nga Batha, i cili kalon të kuqtë në avantazh. Turbina përpiqet të vendosë baraspeshën, por mbrojtja mike është e kujdesshme. Megjithatë, vetëm në minutën e 31-të Gentian Shkoza çon në delir të gjithë kampin cërrikas, duke barazuar. Në fundin e pjesës së parë, Partizani trondit sërish cërrikasit, duke kaluar në avantazh. Gjoka, pas një aksioni të gjatë, përfiton nga grushtimi i pasigurt i Dyrmyshit dhe arrin të çojë topin në rrjetë. Por, bukuria e këtij takimi do prishej në minutën e 71-të, kur anësori i krahut të djathtë lë fushën e lojës, pasi goditet me sende të forta në kokë. Ky episod detyron treshen e gjykimit të tërhiqet për rreth 10 minuta, duke ndërprerë lojën. Pas konsultimit me zyrtarët e federatës, forcat e rendit dhe drejtuesit e klubit, kryesori Hakrama, ka rifilluar ndeshjen.











