
Burg 19-vjeçarit i cili kreu marrëdhënie pedofilie me një të mitur.Gjykata e Korçës rivlerësoi dje masën e arrestit për shtetasin Eduard Bufi, i cili akuzohet për përdhunimin e 12- vjeçarit me inicialet XH.P., nga fshati Bitinckë i Devollit, duke e lënë atë nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Në seancën e radhës është marrë edhe një herë në shqyrtim ekspertiza mjeko-ligjore për vërtetimin e përdhunimit të të miturit, ku Prokuroria ka përcjellë aktin në të cilin vërtetohej abuzimi seksual me 12- vjeçarin, si dhe keqtrajtimi fizik i tij. Gjatë paraqitjes së ekspertizës janë parashtruar konstatimet e mjekut ekspert në trupin e djalit, i cili ka rezultuar i dhunuar seksualisht, por edhe me shenja goditjesh dhe gërvishtjesh në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas të dhënave nga ekspertiza, djali ka pasur shenja gërvishtjesh në krah dhe në këmbë, si edhe njolla të nxira të shkaktuara si pasojë e goditjeve. Ndërsa në përfundim, mjeku ekspert ka theksuar edhe kryerjen e përdhunimit. Seanca e parë është zhvilluar 10 ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por togat e zeza kërkuan paraqitjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ku të vërtetohej përdhunimi. Pikërisht, mungesa e këtij akti për të vërtetuar akuzat e ngritura ndaj të riut, ka çuar në shtyrjen e seancës gjyqësore të zhvilluar për dhënien e masës së sigurisë ndaj 19-vjeçarit Bufi. Ashtu si edhe në seancën e mëparshme, Bufi përmes avokatit të tij mbrojtës ka refuzuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ai ka deklaruar pafajësinë për veprat penale për të cilat akuzohet, duke e përjashtuar veten nga kryerja e një akti të tillë.
AKUZAT
Eduard Bufi dhe 16-vjeçari R.Mullai u akuzuan për “kryerjen e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur”, pasi u identifikuan nga vetë i mituri si përdhunuesit e tij. Gjykata vendosi ndaj të dyve masën e “arrestit me burg” pa afat, pasi është vërtetuar nga ekspertiza se dy të rinjtë kanë abuzuar me të miturin. Protagonistët e kësaj ngjarjeje e kanë mohuar akuzën, por ka qenë raporti mjeko-ligjor i të miturit që vërtetoi edhe dyshimin.
I MITURI
I mituri me inicialet Xh.P, nga fshati Bitinkë i Devollit, ka vënë në dijeni nënën e tij për abuzimin e dy të rinjve. Sipas deklaratës së tij dhënë në polici, dy bashkëfshatarët e tij e kishin marrë atë teksa luante me shokët dhe, pasi e kishin çuar në një zonë të largët nga fshati, e kishin përdhunuar. I mituri ka deklaruar gjithashtu se brenda pak muajve ai ishte përdhunuar katër herë. 12-vjeçari kishte mbetur prej vitesh jetim, pas vdekjes së të atit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











