Feti Vogli, 31 vjeç, i vrare dje ne afganistan Kapiten Feti Vogli humb jetën në misionin e tretë jashtë vendit. Udhëhiqte autokolonën që ra pritë e 11 afganëve me uniformë policie.
Pritë me armë në një fshat të Kandaharit, vdes kapiten Feti Vogli, pa ndjenja Aleksandër Peci.
Një komando shqiptar u vra në krye të detyrës dje në Afganistan nga persona të veshur si policë vendas, në fshatin Robot 2. Viktima është Feti Vogli, me gradën “Kapiten”. Në të njëjtën ngjarje ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në koma, komandoja tjetër shqiptar, Aleksandër Peçi. Si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes është prekur nga plumbat dhe është plagosur edhe një ushtar amerikan. Në njoftimin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes thuhej se më datë 20 shkurt 2012, ora 15:05 lokale, në fshatin Robot 2, Kandahar, Grupi I Special, i drejtuar nga kapiten Feti Bedri Vogli, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID”, me mision kryerjen e një takimi për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policisë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (aut. mod. 56) dhe një mitraloz i lehtë”. Në informacionin e mëvonshëm u tha se personat që kishin qëlluar me armë ndaj kontingjentit paqeruajtës kishin qenë persona të maskuar si policë afganë. Nga burimet ushtarake njoftohet se të shtënat me armë kanë qenë krejt të papritura në sulmin e organizuar ndaj trupave të misionit që po shoqëronte personelin e USAID-it. Si pasojë e të shtënave, kapiten Feti Vogli ka marrë plagë të rënda dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Aleksandër Peçi është qëlluar me plumba në pjesën e qafës dhe në bel, duke pësuar gjendje kome. Hetimi
Vendi ku ndodhi ngjarja dje ne Kandahar te Afganistanit
Viktor Derdo, komandant i Forcës Tokësore, tha se “gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën rëndë tre ushtarakë. Një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të kontingjentit ‘Eagle 4’. Kapiteni Feti Vogli ndërroi jetë në Spitalin Rol 3 në Kandahar”. Nga Ministria e Mbrojtjes në Tiranë thuhet se pas të shtënave me armë në drejtim të kontingjentit ku bënin pjesë dy komandot shqiptarë, në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri. Gjatë të shtënave kanë marrë plumba tre ushtarakë, nga të cilët dy shqiptarë dhe një amerikan. Dy shqiptarët e prekur nga kjo ngjarje bënin pjesë në kontingjentin “Eagle-Shqiponja”. Pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Robot 2, ku ushtarakët po shoqëronin personelin civil të USAID-it, misioni paqeruajtës ndërkombëtar ka bërë arrestimin e 11 personave të veshur si policë afganë. Nga hetimet është arritur të mësohet se pesë prej tyre kanë qëlluar me armë në drejtim të trupave ndërkombëtare ku bënin pjesë edhe komandot shqiptarë. Pas arrestimit të autorëve të ngjarjes ka nisur edhe marrja e tyre në pyetje në lidhje me shkakun e sulmit të armatosur dhe motivet e ngjarjes. tr.so
Kapiten Feti Vogli, i dekoruar tri herë
Feti Vogli, 31 vjeç, i vrare dje ne afganistan
Kapiten Feti Vogli humbi jetën dje gjatë një sulmi të armatosur në Kandahar, Afganistan, në një mision paqeruajtës. Vogli ka lindur më 23.05.1981, në fshatin Balduksht të rrethit të Tiranës. Ai ishte i martuar me zonjën Alva Vogli dhe kishte një vajzën 3-vjeçare Egi Vogli. Kapiten Vogli ka mbaruar Akademinë Ushtarake, në specialitetin Artileri Tokësore dhe u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant toge në Brigadën e Stërvitjes të bazës “Bunavi”. “Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe, si rezultat i arritjeve në detyrë, është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007. Medalje për Shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010. Nga data 16.01.2012 është dërguar me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit”, thuhet në jetëshkrimin e tij.
Lajmi në mediat ndërkombëtare Dhjetëra media nga të gjitha vendet e botës, që nga Australia e deri në Shtetet e Bashkuara, kanë pasqyruar lajmin për vrasjen e një ushtari shqiptar dhe plagosjen e një tjetri, si dhe një ushtari me orgjinë të padeklaruar nga trupat ndërkombëtarë në Afganistan. Lajmi, i përhapur nëpër mediat prestigjioze të botës nga agjencia “Associated Press”, u referohej burimeve nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes. Në fillim u raportua për vdekjen e dy ushtarëve e më pas lajmi u korrigjua, me vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e një tjetri nga trupat komando, që ishin në mision gjashtëmujor në Afganistan, me skuadrën e vendosur atje në mes të janarit 2012. Mes raportimit për të humburin e parë nga trupat shqiptarë në misionin në Afganistan, ngrihej edhe shqetësimi i thellë për rritjen e sulmeve të policëve e ushtarëve afganë kundër forcave ndërkombëtare (deri tani 45 raste), të cilat veprojnë atje si aleatë në luftën kundër terrorizmit. Lajmi u pasqyrua mes të tjerash në “Washington Post”, “Chicago Tribune”, “Sydney Morning Herald”, “Miami Herald”, ABC news, CBS news, “The Voice of America”, “The Seattle Times” etj.
Flet vëllai: Ky ishte misioni i fundit për Fetiun
“Nuses nuk i kemi treguar ende për vrasjen”
Florenc Vogli: Tri ditë më parë fola me të, më tha që s‘kishte probleme
Festim Vogli, vëllai i Feti Voglit
“Ky ishte misioni i fundit. Pas tri periudhave të shërbimit dy herë radhazi në Irak dhe së fundi në Afganistan, Feti Vogli priste të përfundonte misionin e fundit e më pas të tërhiqej”.
Kështu thonë të afërmit e Feti Voglit, komandos shqiptar që gjeti vdekjen në Afganistan. Vëllai i kolonel Feti Voglit, i cili humbi jetën dje gjatë një sulmi në Afganistan, gjatë misionit me kontingjentin “Eagle 4”, tregoi dje se si e ka mësuar ngjarjen. Florenc Vogli është djali më i vogël i familjes që banon në fshatin Shpatë të Baldushkut. Ai tregoi se Komanda e Ushtrisë ka lajmëruar prindërit e tij, duke iu treguar se çfarë kishte ndodhur në Afganistan. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, Florenc Vogli tregon se lajmi ka shkaktuar shok për nënën e tij, së cilës i qëndron një mjek vazhdimisht te koka. Ndërsa nusen e Fetiut thotë se ende nuk e kanë lajmëruar, pasi ajo është në Vlorë te prindërit e saj, bashkë me vajzën e vogël, Egin. Ai shprehet se fliste vazhdimisht me të vëllain. Tri ditë para ngjarjes ata kishin folur për herë të fundit, por Feti Vogli thoshte se nuk kishte probleme. Si mësuat lajmin e vrasjes së vëllait tuaj në Afganistan?
Unë isha në punë. Më lajmëruan prindërit nga pasditja. Më thanë të shkoja në shtëpi, pasi ishte vrarë Fetiu. U nisa menjëherë në shtëpi. Po prindërit nëpërmjet televizionit e kishin marrë vesh, apo i kishte lajmëruar dikush?
Jo, jo. Ata i kishin marrë në telefon nga Komanda e Ushtrisë dhe i kishin lajmëruar se çfarë kishte ndodhur. Dhe ata më pas menjëherë më morën mua. Sa kohë kishte vëllai juaj që kishte ikur me mision në Afganistan?
Në Afganistan kishte rreth një muaj që kishte shkuar, më 16 janar të këtij viti. Dhe do të kthehej pas gjashtë muajsh. Më parë ka qenë edhe në disa misione të tilla. Në Afganistan e kishte për herë të parë. Dy herë të tjera, në dy misione të mëparshme, kishte qenë në Irak, në vitin 2007 dhe 2010. Kishte kohë që ishte angazhuar në ushtri?
Kishte rreth dhjetë vite. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe që prej asaj kohë ka qenë pjesë e ushtrisë. Ishte ushtar profesionit dhe tashmë kishte marrë edhe gradën kapiten. Ishte shumë i përgatitur dhe në të tri misionet ishte nisur me dëshirën e tij. Po ju komunikonit shpesh me të?
Po flisnim herë pas here. Flisnim në telefon, por edhe nëpërmjet rrjeteve në internet. Në “Skype” dhe në “Facebook”. Flisnim shumë me të, edhe prindërit. Pothuajse të gjithë.
Për herë të fundit kur keni folur me të?
Unë kisha disa ditë pa folur me të, duke qenë se edhe jam në punë. Por para tri ditësh kishte folur me të në skype djali i xhaxhait. (Ndërhyn kushëriri i tij): Ishte i qeshur si përherë. Më tha që gjithçka po shkonte mirë. Nuk më foli për ndonjë problem. Kur flisnit me të, ju tregonte për ndonjë vështirësi, apo ndonjë problem që mund të kishte?
Jo, jo, asnjëherë. Na thoshte se gjithçka ishte shumë mirë. Asnjë lloj problemi, asgjë. Edhe herë të tjera, kur kishte qenë në misionet e mëparshme, nuk ka pasur asnjë gjë të rrezikshme. As probleme, asgjë. Kujt ia merrte mendja. Aq më tepër tani që gjërat ishin qetësuar. Ishte i martuar Fetiu, apo jetonte këtu me ju?
Ishte martuar, ka rreth katër vite që është martuar. Ka edhe një vajzë të vogël, tre vjeçe, që quhet Egi. Jetonte në një apartament afër “Freskut”, te zona pranë teleferikut, me gruan Alvën dhe vajzën. Po me nusen kishte folur kohët e fundit?
Nuk e di çfarë t’iu them, sepse nusen e ka në Vlorë tek prindërit. Është prej disa ditësh atje dhe nuk kemi folur me të. E keni lajmëruar nusen për atë çfarë ka ndodhur?
Akoma nuk e kemi lajmëruar. Po edhe mund ta ketë marrë vesh. Po prindërit tuaj si po e përballojnë humbjen e djalit?
Si mund ta prisnin ndryshe…? Nëna është shumë keq, me mjekë te koka. Babai përpiqet ta mbajë veten, po edhe ai nuk e përballon dot këtë që ndodhi. Edhe motra po ashtu. Ju kanë lajmëruar se kur mund ta sjellin trupin e vëllait tuaj?
Ata kanë ato procedurat e veta. Ende nuk na kanë thënë gjë se kur mund ta sjellin. Ne tashmë kemi hapur mortin dhe po presim. Mbase nesër edhe mund të na japin ndonjë lajm se kur do e sjellin këtu.
Feti Vogli, misioni i papërfunduar në Afganistan
Prindërit hapin mortin në fshatin Shpatë, presin trupin të mërkurën
Kapiteni ra në detyrë pas dy misioneve paqeruajtëse në Irak TIRANE – Për kapitenin Feti Vogli, kontingjenti “Eagle 4” në Kandahar të Afganistait ishte misioni i tij i tretë jashtë vendit. Dy misionet e mëparshme i kishte kryer në Irak, ndërsa në Afganistan shkonte për herë të parë. Edhe gjashtë muaj, sa të përfundonte misioni, dhe ai kishte vendosur që t’i përkushtohej familjes së tij, bashkëshortes Alvës dhe vajzës 3-vjeçare, Egi. Ende nuk kishte mbushur një muaj nga dita kur u nis nga Aeroporti i Rinasit drejt Afganistanit, ndërsa po aty pritet që të kthehet të mërkurën, por tashmë vetëm trupi i tij. Misioni për të përfundoi para kohë, jo ashtu siç e kishte planifikuar. Në shtëpinë e tij, në fshatin Shpatë të Baldushkut në Tiranë janë hapur dyert e mortit, që prej orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Nëna e tij, Qanija, po kalon një gjendje shoku nga lajmi i kobshëm që i është përcjellë nëpërmjet telefonit. Na thanë se në dhomën e saj qëndron vazhdimisht një mjek, që kujdeset për shëndetin. Lajmin e humbjes së vëllait të madh nuk e ka përballuar as e motra e tij, Flogerta, e cila nuk di çfarë të bëjë më parë, të kujdeset për nënën, apo të vajtojë vëllain. E ndërsa në rrugën me baltë, para shtëpisë përdhese të familjes Vogli, pothuajse 45 minuta larg nga Tirana, qëndron një ambulancë. Ndërsa diku pranë ambulancës shquajmë në errësirë edhe një makinë të Ushtrisë, me të cilët me sa duket kanë ardhur kolegët e kapitenit 31-vjeçar. Ndërsa babai i tij, Bedriu dhe vëllai Florenci kanë gjetur forcë që të përballojnë humbjen dhe presin ngushëllimet e të afërmve të tyre. Florenci tashmë është i vetmi që do të kujdeset për familjen, edhe pse ka siguruar vetëm një punë si kamerier, diku pranë fshatit. Ndërsa nëna, babai dhe motra e tij janë aktualisht të papunë. KARRIERA NE USHTRI
Kapiten Feti Vogli, 31 vjeç, nga fshati Shpatë i Baldushkut të Tiranës, kishte kryer edhe 3 misione të mëparshme si pjesë e kontingjenteve paqeruajtëse, dy herë në Irak dhe së fundmi në Afganistan. Ai është martuar katër vjet më parë dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, nga Vlora, ka një vajzë 3 vjeçe me emrin Egi. Kapiten Vogli ka ndjekur studimet në Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Tokësore. Më pas u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant toge në Brigadën e Stërvitjes së Bazës Bunavi. Pasi përfundimit me sukses të kursit bazë të Forcave Speciale më datë 16 korrik të vitit 2005, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë komandant grupi. Nga data 1 qershor 2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore. Kapiten Feti Vogli njihen nga kolegët si një ushtarak karriere i nivelit më të lartë dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si: Medalja e Karrierës, në vitin 2007, nga komandanti i Forcës së Bashkuar, Medalja për Shërbime Ndërkombëtare, nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007 dhe Medalje për Shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010. Nga data 16 janar 2012 është nisur me misionin “Eagle 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit, ku u vra pasditen e djeshme.
Topi, ngushëllime familjes Vogli
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ngushëlluar dje familjen e kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën dje gjatë një sulmi në Kandahar, Afganistan. Topi ka zhvilluar dhe një bisedë telefonike me komandantin e njësisë speciale “EAGLE 4” në Kandahar, nënkolonel Behar Marën, duke u interesuar me hollësi rreth gjendjes shëndetësore të paqeruajtësit të plagosur, nënoficerit Aleksandër Peci, të cilit i uroi shërim të shpejtë.
Berisha: Shpirti i tij, në altarin e lirisë
Kryeministri Sali Berisha i uron shërim të shpejtë nëntetarit Aleksandër Peci, i cili u plagos në krye të detyrës në Kandahar dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën. Me një mesazh, Kryeministri Berisha ka ngushëlluar familjarët për humbjen e kapitenit Feti Vogli. “Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij”, u shpreh Berisha.
Rama: Shërbim patriotik vendit
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ngushëlloi dje në emër të të gjithë opozitës shqiptare familjet e të dy ushtarëve, që mbeten pre të një sulmi të armatosur në misionin “EAGLE 4” në Afganistan. “Në të njëjtën kohë u shpreh familjarëve, të afërmve e miqve të dy djemve edhe mirënjohjen më të patregueshme të të gjithëve ne, për shërbimin e lartë patriotik që i bënë vendit tonë, duke shkuar bashkë me të tjerë të rinj shqiptarë në atë front lufte”, theksoi Edi Rama.
“Eagle 4”, kontingjenti në vijën e parë të rrezikut në Kandahar
Grupi me 220 trupa u nis më 16 janar 2012 në Afganistan Kontingjenti ushtarak i komandove shqiptarë “Eagle 4” është i atashuar pranë Komandës së Forcave Speciale Amerikane. Ai është nisur për në Afganistan më 16 janar 2012, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë shqiptarë dhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Kontingjenti drejtohet nga nënkolonel Behar Mara. Ky grup efektivësh përbëhet nga 220 trupa efektivë të Batalionit të Këmbësorisë Malore, në Vaun e Dejës, të Batalionit të Transportueshëm nga ajri në Poshnje Berat dhe përfaqësues nga shtabi i Forcave Tokësore. Ky kontingjent zëvendësoi kontingjentin e 9-të paqeruajtës që kryen aktualisht detyra të ndryshme për të garantuar paqen dhe sigurinë në Herat të Afganistanit. Trupat paqeruajtëse kanë shkuar në Afganistan pas një përgatitjeje profesionale serioze, të mirëtrajnuar dhe stërvitur intensivisht si brenda, dhe jashtë vendit, duke pasur asistencën e vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kontingjentit të dhjetë që u nis në janar të këtij viti në Afganistan, iu bashkuan edhe pesë efektiva të Policisë së Shtetit, që do të merrnin pjesë në trajnimin e kolegëve afganë. Sipas burimeve zyrtare, detyra e kontingjentit shqiptar në Afganistan është patrullimi i qytetit Herat për ruajtjen e sigurisë për 6 muaj me radhë. Kontingjenti “Eagle 4”, pjesë e të cilëve ishin dhe Vogli me Peçin, me 45 ushtarakë të forcave taksore, janë caktuar në vijën e parë të luftimeve në Kandahar. Për rrjedhojë, edhe ditën e djeshme ata kanë qenë duke shërbyer në ruajtjen dhe sigurimin e personelit të USAID-it në hapjen e dy shkollave në zonë, në kohën kur janë sulmuar me armë.