Mosha e pensionit në vendin tonë do të shkojë gradualisht drejt mesatares europiane, që është 65 vjeç për gratë dhe 67 vjeç për burrat.
Drafti i ri për reformën e pensioneve parashikon që duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm, mosha për gratë të rritet me 2 muaj për çdo vit kalendarik deri në vitin 2032. Rritja do të prekë edhe gratë që aktualisht janë në prag pensioni. Pra, një grua që sipas ligjit aktual e plotëson moshën e daljes në pension në muajin janar 2015, sipas ligjit të ri, asaj do t’i duhet të presë edhe dy muaj për ta ligjëruar të drejtën e pagesës së pleqërisë në mars. Në draftin e ri për reformën e pensioneve është parashikuar që mosha për gratë të shtohet në mënyrë graduale me 2 muaj në vit deri në vitin 2032, kohë kur do të arrihet edhe efekti maksimal i rritjes së moshës me 3 vite. Për rrjedhojë, që nga viti 2032 e në vazhdim, mosha e pensionit për gratë në vendin tonë do të jetë 63 vjeç.
BURRAT
Bazuar edhe në rekomandimet e bëra nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat i sugjeruan qeverisë shqiptare që të rriste me 3 vite moshën e pensionit për gratë dhe me 2 vite për burrat, edhe për këta të fundit parashikohet një rritje graduale e moshës. Hartues të draftit të ri të pensioneve bëjnë të ditur se për burrat rritja e moshës me një muaj për çdo vit do të fillojë pas vitit 2025. Sipas kësaj skeme, rritja e moshës do të vijojë deri në vitin 2052, kur burrat të kapin moshën 67 vjeç për të dalë në pension. Sipas hartuesve të draftit, rritja reale e moshës së pensionit me 3 vite për femrat dhe 2 për meshkujt do të jetë e plotë për fashën e popullsisë që sot është rreth 40 vjeç. Rritja e moshës së pensionit për të dyja gjinitë është bërë duke u bazuar edhe në të dhënat për rritjen e jetëgjatësisë. Sipas projeksioneve të bëra, në vitin 2045, rreth 30 për qind e popullsisë do të jetë në moshë pensioni.
REFORMA
Reforma e pensioneve, që tashmë është gati dhe pritet të diskutohet publikisht me grupet e interesit dhe me publikun, parashikon që ndryshime të moshës të ketë edhe për disa kategori të tjera punonjësish, siç janë ata të profesioneve të vështira, ku bëjnë pjesë edhe minatorët, si dhe funksionarët e lartë të shtetit. Për punët e kategorisë së parë, ku futen profesionet e vështira, propozohet që mosha e pensionit të ulet me 5 vite, pra nga 60 vjeç që është aktualisht të shkojë në 55 vjeç. Ndërsa për rreth 7000 funksionarë të lartë të shtetit, si: deputetë, gjyqtarë, prokurorë etj., të cilët aktualisht dalin në pension kur mbushin 55 vjeç, propozohet një rritje e konsiderueshme e moshës. Për këto kategori parashikohet që mosha e pensionit të jetë e barabartë me pjesën tjetër të popullsisë, si dhe të mos përftojnë më prej skemës së pagesave suplementare.
NDRYSHIMET
Hartues të draftit të reformës së pensioneve pohojnë se krahas moshës do ndryshohen rreth 50 parametra të skemës aktuale, si: bujqësia, pensionet suplementare, formula e llogaritjes së përfitimeve, heqja e tavanit të kontributeve etj. Ndryshe nga sa është vepruar deri më sot, kur banorët e zonave rurale kanë blerë vitet e punës për të plotësuar vitet e pensionit, sipas skemës së re, për këtë kategori do të hiqet pjesa e subvencionimit të shtetit. Thënë ndryshe, kush do të ketë mundësi të derdhë kontribute vullnetarisht për pension nuk do të përfitojë më zbritje të pagesave, por do të sigurohet për aq sa ai mund të paguajë. Kurse për ata që nuk do të kenë asnjë mundësi të paguajnë kontribute për të plotësuar vitet e pensionit, do të ofrohet një pension social, masa e të cilit do të jetë e njëjtë me atë të ndihmës ekonomike, që sot është rreth 9 mijë lekë në muaj. Reforma e pensioneve pritet të miratohet brenda vitit aktual, për të hyrë në fuqi nga muaji janar i vitit 2015. Pas diskutimit të draftit me grupet e interesit, ai do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Parashikohet që procedura e miratimit të realizohet brenda muajit qershor, në mënyrë që gjatë vjeshtës drafti t’i kalohet për shqyrtim Kuvendit dhe më pas të miratohet në Parlament.
PROPOZIMET PËR MOSHËN
FEMRAT
Propozohet rritja e moshës së pensionit me 3 vite
Rritja e moshës me 2 muaj në vit nis në janar 2015
Rritja e moshës do të përfundojë në vitin 2032
Në vitin 2032 mosha e pensionit do jetë 63 vjeç
MESHKUJT
Propozohet rritja e moshës së pensionit me 2 vite
Rritja e moshës me 1 muaj në vit do nisë në vitin 2025
Rritja e moshës për burrat do të përfundojë në vitin 2052
Në vitin 2052 mosha e pensionit për burrat do jetë 67 vjeç
PROFESIONET E VËSHTIRA
Parashikohet ulja e moshës së pensionit me 5 vite
FUNKSIONARËT E LARTË
Mosha e pensionit të jetë sa pjesa tjetër e popullsisë
JONIDA TASHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al