Raportimi financiar i bizneseve do të ndryshojë duke iu përshtatur standardeve të reja. Në një urdhër të ministrit të Financave Ridvan Bode, të nënshkruar vetëm tri ditë më parë, saktësohet edhe baza në të cilën njësitë ekonomike do të mbështeten për të përmbushur standardet e reja të raportimit. Sipas urdhrit të Financave, ky raportim ndryshe do të fillojë nga data 1 janar 2013 dhe çdo njësi ekonomike është e detyruar që në raportimin e saj të zbatojë standardet e reja. Në dijeni është vënë edhe Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, i cili është organizmi kyç rreth të cilit janë të mbledhur kontabilistët, që janë edhe të lidhur drejtpërdrejt me raportimin financuar të bizneseve si dhe zbatimin e standardeve të reja. Të gjitha ndryshimet e bëra gjatë vitit të kaluar nga institucione ndërkombëtare të standardeve të raportimit, nga viti i ardhshëm do të zbatohen edhe në vendin tonë.











