
Rregullorja e re e Prokurimeve për ankesat në koncesione e blerje.
Vargut të institucioneve nën varësinë e Kryeministrit tani i shtohet zyrtarisht edhe përmes ndryshimit të rregullores së funksionimit, Komisioni i Prokurimit Publik. Në vendimin e miratuar dje, qeveria reflekton në rregullore ndryshimet e bëra më herët në fillim të këtij viti, duke përcaktuar se ky komision nuk është më në varësinë e Këshillit të Ministrave. Edhe kompetencat për emërimin e kryetarit dhe nënkryetarit të Komisionit i kalojnë gjithashtu Kryeministrit. Në thelb, rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, i janë bërë një sërë ndryshimesh që lidhen si me mënyrën e organizmit të funksioneve brenda Komisionit, ashtu dhe lidhur me shqyrtimin e procedurave të ankimimit, që vijnë për tenderat si për blerje, dhe për koncesione. Lidhur me mënyrën e funksionimit dhe detyrimeve të anëtarëve të Komisionit, ndryshimet e miratuara nga qeveria sanksionojnë që nga orari i paraqitjes në zyrë e deri te hartimi i projektvendimeve dhe paraqitja e tyre para Komisionit në rendin e ditës së punimeve. Kurse ndryshimet për animimet përcaktojnë detyrimet e anëtarëve të përzgjedhur për të dhënë mendim mbi këtë ankimim. Tashmë për anëtarët që marrin pjesë në shqyrtimin e një ankimimi për koncesionet do të vendoset raport i drejtë lidhur me çështjet që marrin në ngarkim, por përzgjedhja bëhet përmes shortit. “Për çdo çështje të ankimuar, kryetari apo, në mungesë të tij, zëvendëskryetari, cakton me short si relator tre nga anëtarët, duke siguruar shpërndarjen e barabartë të çështjeve ndërmjet tyre. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, në rast se ka mendime të ndryshme ndërmjet relatorëve, projektvendimi hartohet sipas mendimit të shumicës së tyre”, thuhet në vendimin e tyre. Por, nëse ndonjëri prej anëtarëve që kanë marrë në shqyrtim këtë ankimim ka një mendim të kundërt nga shumica, ai ka të drejtën e hartimit të një relacioni ku argumenton këtë qëndrim dhe pikërisht ky relacion i bashkëlidhet vendimit. Lidhur me ankimimet për ofrim shërbimi ndiqet gjithashtu e njëjta procedurë. “Për çështje të ankimuar me vlerë fillestare më të lartë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë kryetari apo, në mungesë të tij, zëvendëskryetari, cakton me short si relator tre nga anëtarët, duke siguruar shpërndarjen e barabartë të çështjeve ndërmjet tyre. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, në rast se ka mendime të ndryshme ndërmjet relatorëve, projektvendimi hartohet sipas mendimit të shumicës së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë. Edhe në këtë rast, në rast se ndonjëri nga relatorët ka rezerva lidhur me vendimin e marrë dhe ka mendim të kundërt, mund të argumentojë këtë në një relacion që i bashkëlidhet vonimit.
10 milionë lekë
Për çështje të ankimuara me vlerë fillestare më të lartë sesa kjo, kryetari apo, në mungesë të tij, zëvendëskryetari i Komisionit të Prokurimit Publik cakton me short si relator tre nga anëtarët për zgjidhjen e tij.
“Monopoli institucional”
INSTAT, Agjencia e Prokurimit Publik, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit janë disa nga institucionet që varësinë direkte tashmë nuk e kanë më nga Këshilli i Ministrave, por nga vetë Kryeministri. Kjo nismë u kritikua ashpër nga opozita.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











