Ndryshojnë 40 nene, miratohet ligji i arsimit parauniversitar

Jun 19, 2012 | 13:47

Pas më shumë se 2 muajsh debatesh dhe ndryshimit të mbi 40 neneve, miratohet ligji i arsimit parauniversitar. Dje ishte mbledhja e fundit ku iu dha dora e fundit 72 neneve të ligjit të ri. Në seancën e djeshme debatet u fokusuan në institucionet arsimore fetare. Opozita dhe maxhoranca ranë dakord që ngritja e këtyre institucioneve të bëhet vetëm me propozimin e bashkësive fetare që njeh Kushtetuta e Shqipërisë. “Nuk mund të lejojmë hapjen e institucioneve të tilla arsimore, nëse propozimi nuk vjen nga bashkësitë fetare. Madje, nga ky sanksion nuk duhet të përjashtojmë as sistemin parashkollor, pasi mund të ketë abuzime”, tha zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata. Aktualisht numërohen 40 institucione arsimore fetare. Ligji i miratuar në komision pritet t’i kalojë shumë shpejt Parlamentit. Duke e cilësuar një punë kolosale, kryetarja e këtij komisioni, Valentina Leskaj, tha se ai ka gjetur mirëkuptimin e deputetëve në komision. “Unë besoj se kjo punë e madhe, ku janë përmirësuar dhe ndryshuar rreth 40 nene nga 72 nene që ka ligji na ka sjellë në një produkt më cilësor. Ky është një ligj për fëmijët shqiptarë dhe nuk është një ligj as për partitë politike dhe as për ne që jemi këtu. Unë mendoj që komisioni ia ka arritur qëllimit”, tha Leskaj. Të njëjtin pohim bëri edhe zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata. “Diskutimi, debati dhe miratimi në seancën plenare të jetë i ngjashëm me këtë që u demonstrua pozitivisht në komision”, tha ai.

Ndryshimet
Më shumë se gjysma e neneve të ligjit të arsimit parauniversitar kanë pësuar ndryshime, nga drafti fillestar i propozuar nga MASH. Mënyra e zgjedhjes së drejtuesve të shkollave, financimi i arsimit parauniversitar, apo kurrikulat kanë qenë nenet me të debatuara. Nuk kanë munguar akuzat e shumta nga opozita dhe debatet e forta përgjatë gjithë kohës së diskutimeve në komision.

© Panorama.al

Te lidhura