SAMI HAXHAJA
Një varg faktorësh bëjnë që Toka të jetë një planet i veçantë, ku funksionon pa ndërprerje një sistem kompleks, në të cilin të gjitha fenomenet natyrore që ndodhin, në një mënyrë ose në një tjetër, lidhen ndërmjet tyre. Por, Toka është njëkohësisht dhe një “mekanizëm i ndjeshëm”, i cili reagon ndaj ndryshimeve jonatyrore apo shkeljeve që janë bërë apo po bëhen nga njerëzit. Reagim i natyrës janë dhe ndryshimet e klimës si pasojë e prishjes së raportit të parametrave të gazrave ndotëse në atmosferë dhe kryesisht të koncentrimit të dioksidit të karbonit mbi kufijtë e lejuar. Një tregues i parë i ndryshimit të klimës është ngrohja globale, që po shoqërohet me shtimin e fenomeneve ekstreme të kohës, si thatësira me periudha të tejzgjatura, valët ekstreme të të nxehtit, stuhi të fuqishme, reshje të mëdha me pasoja përmbytjeje etj. Duhet të kemi gjithashtu parasysh se çdo përmbytje, përveç pasojave katastrofike, i shkakton ekonomisë së një vendi një humbje prej 5-20% të prodhimit të brendshëm vjetor bruto.
Ndryshimi i klimës është rezultat direkt i djegies së pashembullt të burimeve djegëse dhe zhdukjes së kapaciteteve të biosferës, pasi është fakt që brenda 300 viteve të fundit janë djegur e po digjen të gjitha lëndët djegëse si qymyri, nafta, gazi, urani etj. (Kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike), kur për krijimin e këtyre rezervave në tokë, natyrës i janë dashur 300 milionë vjet. Natyra, gjatë këtyre miliona viteve, ka luajtur një rol kyç për largimin e dyoksidit të karbonit nga atmosfera, duke e vendosur atë thellë nën koren e tokës, duke e bërë kështu të padëmshëm. Në 300 vitet e fundit njerëzit e kanë kthyer në të kundërt këtë proces, duke çliruar sasi jashtëzakonisht të mëdha gazesh ndotëse, e në veçanti dyoksid karboni në atmosferë, pa llogaritur konsekuencat.
Njerëzimi po uzurpon gjithnjë e më shumë produktivitetin biologjik të tokës përmes përdorimit të burimeve jo të rinovueshme. Konkretisht, edhe në vendin tonë po kryhen shkelje kundër ligjeve të natyrës, si në sektorët e guroreve, marrjen pa kriter të inerteve në shtretërit e lumenjve, dëmtim të argjinaturave të lumenjve, mosfunksionimi normal i hidrovoreve, mosfunksionimi i kanaleve e pusetave të ujërave të zeza; ndërtime pa kriter e pa infrastrukturë të plotë e asgjësimi i pemëve dhe i gjelbërimit nëpër qytetet e mëdha, zënia e tokave pjellore me ndërtime dhe një sasi e konsiderueshme e tyre e lënë pa punuar, dëmtime të pyjeve deri në asimilimin apo pakësimin e disa llojeve të dëgjuara të pemëve etj., etj. Është e domosdoshme që në shekullin e 21-të të vendoset menjëherë një ekuilibër ndërmjet pushtetit të njerëzve, të cilët, për interesa personale, kryejnë shkelje kundër ligjeve të natyrës. Duhet të gjenden mundësi të reja që të frenohen këto aksese, veprime e ndikime negative të njerëzve, aksese këto që veprojnë kundër natyrës. Ne së bashku duhet të krijojmë një shoqëri të qëndrueshme, e cila të sillet me respekt ndaj natyrës, ndaj të drejtave të përgjithshme të qytetarëve, ndaj të drejtave ekonomike të tyre dhe të formojmë një kulturë paqësore te qytetarët.
Duhet t’u kushtohet një vëmendje më e madhe ligjeve të natyrës, sesa tregjeve. Ne nuk mund të veprojmë tepër gjatë me shkelje kundër këtyre ligjeve. Natyra, vërtet duket në pamje të parë si e dobët, por, nga pikëpamja e shikimit të largët, ajo është më e fortë, duhet llogaritur se reaksionet e saj janë të paimagjinueshme. Ekziston një mendim i gabuar se ajo mund të sundohet, mirëpo ndodh e kundërta, natyra na sundon ne. Ajo duket se është tolerante ndaj shkeljeve, por papritmas fillon me fenomenin e katastrofave të na kundërgodasë, prandaj njerëzit duhet të ndihmojnë e të sillen në mënyrë inteligjente, të kualifikuar e shkencore me natyrën, ashtu siç sillet edhe vetë natyra me ne.
Është e rëndësishme të ritheksohet se të gjitha shkeljet dhe gabimet e mësipërme sjellin dhe ndryshime lokale të klimës, të cilat kanë pasur ndikimin e tyre negativ edhe në përmbytjet e shkaktuara gjatë vitit 2010, në veçanti në qytetin dhe rajonin e Shkodrës.
Për parandalimin e përmbytjeve për të ardhmen, mendoj si më poshtë:
1. Përmirësimi i informacionit për parashikimin e kohës, që është një faktor parandalues për përmbytjet, pasi ndërtimi i hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Drin ka dy funksione; së pari, atë të prodhimit të energjisë elektrike dhe, së dyti, uljen e shkallës së përmbytjeve nëpërmjet përpunimit të ujërave të rezervuarëve të hidrocentraleve.
2. Me prioritet të studiohen, planifikohen, projektohen e ndërtohen ato objekte hidroenergjetike, të cilat ndikojnë në parandalimin e përmbytjeve.
3. Nëpërmjet një analize profesionale e shkencore, të nxirren me saktësi shkaqet që ndikuan në përmbytjen e qytetit të Shkodrës dhe të merren masa konkrete parandaluese për të ardhmen.
4. Sipas një studimi në terren, të përmirësohen e riparohen argjinaturat e pritat apo sipas nevojës, të ngrihen të reja gjatë shtretërve të lumenjve, si dhe marrja e inerteve të bëhet sipas kritereve teknike.
5. Nisur nga fakti që pyjet janë pompa gjigande, të pazëvendësueshme dhe pjesë thelbësore e sistemit të qarkullimit të ajrit, mendoj se është i rëndësishëm aplikimi i rregullave e i masave të studiuara, të cilat prevenojnë dëmtimin e mëtejshëm të tyre.
6. Është e domosdoshme që KESH-i, si i vetmi “koncern” i vendit me fitime të konsiderueshme, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, të investojë në objektet e reja hidroenergjetike. Konkretisht, mendoj të investoj për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, që është jo vetëm një kapacitet i madh i prodhimit të energjisë elektrike, por dhe objekt vendimtar për parandalimin e përmbytjeve në rajonin e Shkodrës.
7. Për të rritur sigurinë dhe gatishmërinë teknike të të gjitha pajisjeve e elementeve funksionale të hidrocentraleve, e në veçanti atyre mbi kaskadën e lumit Drin, mendoj të rritet shkalla e kontrollit dhe e remonteve të kualifikuara për të eliminuar çdo të metë, si në pajisjet e qarqeve primare, ashtu edhe atyre sekondare. Njëkohësisht, vëmendje t’i kushtohet përgatitjes profesionale-teknike së personelit të këtyre objekteve të rëndësisë së veçantë, për të qenë të saktë e të përgjegjshëm për çdo situatë emergjente që mund të shfaqet.
Së fundi, përveç sensibilizimit të problemit të sotëm kryesor, të mbrojtjes së klimës në mënyrë që edhe qytetari ynë të bëhet aktiv në këtë drejtim, mendoj se është i nevojshëm organizimi i një debati të gjerë të koordinuar nga disa ministri, ku të ftohen dhe ekspertë, specialistë e studiues me përvojë e eksperiencë nga disa fusha, me temë qendrore parandalimin e përmbytjeve për të ardhmen. Masterplani i nxjerrë nga ky debat për parandalimin e përmbytjeve duhet të zbatohet në praktikë brenda tre-katër muajve të ardhshëm.











