Ndryshimet, post ministri për PDIU

Jun 14, 2012 | 13:22

Pas rolit në zgjedhjen e Presidentit, pritet rritja e përfaqësimit të aleatëve në qeveri.

PD mban Ministrinë e Brendshme, vazhdojnë negociatat me PDIU.

Zgjedhja e Bujar Nishanit si President i Republikës dhe dorëheqja e tij nga posti i ministrit të Brendshëm pritet të shoqërohet me zëvendësimin e tij nga një deputet i PD. Burime pranë maxhorancës bëjnë të ditur se ndryshime në kabinetin qeverisës dhe veçanërisht plotësimi i vendit vakant të Bujar Nishanit do të mbahet në vijim nga një figurë e Partisë Demokratike, dhe jo nga aleatët në qeverisje. Mësohet se ndryshimet në kabinetin “Berisha” nuk do të jetë të thella dhe lëvizjet që do të realizohen nuk do të prekin shumë ministri. Ndryshimi i parë vjen i diktuar nga largimi i Nishanit për postin e kreut të shtetit, por një tjetër ministri prite t’u jepet aleatëve të koalicionit të së djathtës. Ende nuk është vendosur nga Kryeministri Berisha se kush do të jetë pasuesi i Bujar Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme, dhe vendimmarrja për këtë pritet të jetë në një afat të shkurtër kohor.
Aleatët
Një tjetër lëvizje në rikompozimin e Këshillit të Ministrave do të jetë dhe futja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet me një portofol ministror. Sipas burimeve nga maxhoranca, pritet që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet të hyjë me ministër në Qeveri, sidomos pas rolit që luajti kreu i kësaj partie, Idrizi në negociatat e fundit  për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Dy votat e PDIU-së, përkatësisht e kryetarit Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahirit, bënë të mundur që maxhoranca të zgjidhte e vetme dhe të shmangte një skenar të zgjedhjeve të parakohshme për shkak të moszgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Aktualisht PDIU-ja përfaqësohet në kabinetin “Berisha” në nivel zëvendësministrash, me Ardian Tanën në Ministrinë e Arsimit dhe Abaz Hadon në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Berisha
Kryeministri Sali Berisha, në deklaratat e tij mediatike, ka përjashtuar ndryshimet rrënjësore në kabinetin që ai e drejton prej dy mandatesh. I pyetur disa herë nga gazetarët për rikompozimin e kabinetit të tij, Berisha ka thënë se nuk do të këtë ndryshime për shkak të arritjes së një rezultati të kënaqshëm pas zgjedhjeve vendore, dhe për këtë arsye ndryshimet mund të jetën sipërfaqësore.

Meta
Pas dorëheqjes së Bujar Nishanit nga posti i ministrit të Brendshëm për postin e Presidentit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka mohuar një rikthim të mundshëm në kabinetin qeveritar. I pyetur nga gazetarët nëse Meta do të kthehej sërish për të marrë drejtimin e një portofoli ministror, ai ka thënë se rikthimi është vetëm spekulim mediatik dhe asgjë konkrete.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura