Ndryshimet në Kushtetutë, PS cakton emrat e ekspertëve

Jul 27, 2011 | 10:39

Kreu socialist, Edi Rama, ka nisur konsultimet me ekspertë të njohur të jurisprudencës për ndryshimet kushtetuese. Në listën e ekspertëve që janë
programuar nga kreu i selisë rozë, bien në sy personalitete të kësaj fushe, ish-drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Fehmi Abdiu, Theodhori Sollaku, Thimio Kondi, Sokol Sadushi, Kristaq Traja, Luan Omari, Njazi Jaho janë disa nga emrat me të cilët kryesocialisti do të konsultohet
dhe do të thithë mendimin e tyre lidhur me nevojat që ka Kushtetuta për t’u përmirësuar. Mësohet se pas kontakteve të para telefonike me juristët e njohur, Rama ka nisur takime me secilin prej tyre, ku po njihet me opinionet
individuale të tyre rreth një reforme më të gjerë që duhet të përfshijë
Kushtetutën, përveç çështjes së Presidentit. Omari, Jaho, Abdiu më parë janë shprehur kundër ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës
në 2008, si produkt i një konsensusi të madh parlamentar. Veçanërisht kritikat e tyre janë lidhur me balancat e prishura mes pushteteve të përcaktuara qartë në Kushtetutë, të cilat me ndryshimet e vitit 2008 vunë në diskutim sipas tyre pavarësinë e institucioneve të tilla si Presidenti i
Republikës. Muaji gusht do të ketë takime të kreut socialist me
kostitucionalistët e njohur, ndërsa në shtator pritet të mbahen dhe disa tryeza të hapura në përfundim të të cilave do të përgatitet dhe një draft që do t’i paraqiten forumeve drejtuese të PS. Pak ditë më parë, kreu socialist
u shpreh se me ndryshimet kushtetuese të 2008 ishte bërë gabim, ndërsa u shpreh i gatshëm për të rregulluar gabimin e atëhershëm. “Të pendohesh do të thotë të kesh bërë një mëkat, të reflektosh do të thotë se ke bërë një gabim.
Nuk është përgjigje e lehtë, por mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes së zgjedhjeve të 2009, aq më shumë
mund të pranoj përfundimin se në ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do duhej bërë, duke konsideruar se sa larg është pala tjetër, për shkak të Saliut në radhë të parë, nga çdo parim dhe nga çdo vlerë
etike dhe kësisoj sa larg jemi dhe ne të gjithë si shtet, si vend nga aftësia për t’u vetëkontrolluar në raport me balancat mes pushteteve”, u shpreh Rama gjatë një interviste televizive. Paketa e ndryshimeve kushtetuese do të
jetë pjesë e diskutimeve të Asamblesë Kombëtare, por edhe e Kongresit të nëntorit që Partia Socialiste do të mbledhë për të zgjedhur forumet e saj drejtuese. Pritet që propozimet të diskutohen dhe në komisionet e Asamblesë
Kombëtare, ku specialistët e tyre do të japin sugjerimet e tyre. Por gjithashtu ato nuk do të kalojnë pa marrë dhe pëlqimin e aleatëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë shfaqur mendime të qarta rreth të ardhmes së Kushtetutës
dhe reforma që pritet të ndërmerren në vjeshtë.

Abdiu: Të rregullohen balancat mes pushteteve
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shprehet se ndryshimet
kushtetuese, të cilat kërkojnë një konsensus të plotë parlamentar,
duhet të rregullojnë balancat e prishura mes pushteteve. “Nëse
do të ndërhyhet në Kushtetutë, duhen rregulluar pikësëpari balancat
mes pushteteve, të cilat u cenuan në ndryshimet e vitit 2008”, u
shpreh Abdiu. Por, ish-kryetari i Kushtetueses kërkon edhe hartimin
e ligjeve organike për Kuvendin dhe Presidentin e Republikës. “Kuvendi
duhet të ketë ligjin e tij organik të funksionimit, si një organ i
rëndësishëm kushtetues në vend, ligj ky që për t’u ndryshuar kërkon
3/5-tat e deputetëve të Kuvendit, pra një shumicë të cilësuar. Ligji
organik është një domosdoshmëri që do t’i ndërpriste rrugën ndryshimit
të shpejtë dhe për interesa të ditës të rregullores së Kuvendit,
ashtu siç po ndodh aktualisht”, u shpreh Abdiu. Ligji organik për
funksionimin e Presidentit të Republikës ka ardhur si një kërkesë edhe
nga ish-presidentët e vendit, si Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.
Rëndësia e këtij ligji është përmendur shpesh gjatë kohës kur ky institucion
kishte probleme me Kuvendin e Shqipërisë për sa i përket dekreteve
të Kreut të Shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj
Kushtetuese. Nga ana tjetër, ligji organik për Kuvendin e Shqipërisë
ka qenë një nismë e cila nuk është diskutuar ende gjerësisht dhe tashmë
ka ardhur në qendër të debatit për shkak edhe të ndryshimeve të
herëpashershme që ka pasuar rregullorja e Parlamentit, ndryshime
ndaj të cilëve nuk kanë munguar as kritikat.

KOSTITUCIONALISTËT

Luan Omari
Njazi Jaho
Kristaq Traja
Krenar Loloçi
Ilir Panda
Theodhori Sollaku
Fehmi Abdiu
Sokol Sadushi
Thimio Kondi

BERISHA

Kreu i maxhorancës, Sali Berisha, hodhi poshtë propozimin e Ramës për
ndryshimin e Kushtetutës. “Ky proces, liritë tuaja, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht
është: të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë Kushtetutën sa herë u lëviz karrigia, atyre do t’u them këtu sot se ky vend ka
nevojë të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës, duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon”, u shpreh Berisha.

RAMA KËRKON NDËRHYRJE NË KUSHTETUTË

Kryesocialisti e cilësoi ftesën për nisjen e reformës zgjedhore si arnim, dhe jo
reformë të plotë. “Nuk bëhet fjalë për arna dhe nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu e një ligj atje, por bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz, i denjë për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të rënë të së drejtës”, u shpreh Rama pak ditë më parë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura