
Qeveria do të ndërhyjë sërish në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një draft me disa ndryshime ligjore, të cilat do t’i paraqiten Parlamentit në muajin shtator. Sipas propozimeve të këtij drafti, të moshuarit që janë mbi 85 vjeç do ta marrin dëmshpërblimin e plotë që u ka ngelur brenda vitit 2012, ndërsa të tjerët që janë gjallë do të mund ta marrin në një afat më të shkurtër, jo 8 vite, siç e parashikon ligji aktualisht. Drejtori i Institutit për ish-të Përndjekurit Politikë, Simon Miraka, tha dje për gazetën “Panorama”, se ligji do të përmirësohet në funksion të zgjidhjes të disa problematikave të hasura në dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë. Ai tha se Kryeministri është shprehur dakord me ndryshimet, ndërsa drafti po përgatitet nga juristët e Ministrisë së Drejtësisë.
Kërkesat
Miraka shprehet se është kërkuar konkretisht që të moshuarit mbi 85 vjeç ta marrin dëmshpërblimin menjëherë brenda vitit 2012. “Pjesa më e madhe e tyre janë me probleme shëndetësore dhe nevoja për kurim është e domosdoshme. Ish-të burgosurit mbi moshën 85 vjeç deri në vitin 2012-n nuk do t’i marrin me këste, por e gjithë shuma që ka mbetur do të merret me një këst të vetëm”, tha Miraka. Është kërkuar që edhe të përndjekurit që janë gjallë të mos e marrin për 8 vite, me 8 këste, por ky afat të shkurtohet, mundësisht të ulet në 4 vite. “Në ligj e ka të përcaktuar që do të mbyllet për 8 vjet, por të gjitha përpjekjet tona, sigurisht edhe me dëshirën e mirë të qeverisë, besoj se ky cikël do të mbyllet në një afat kohor më shkurtër”, shtoi Miraka.
Ndryshimet në ligj
Por, ligji do të ndryshojë më tej duke shtuar listën e përfituesve. Konkretisht, do të njihen për dëmshpërblim ish-të dënuarit me nenin 64 apo 67 për terrorizëm. Këtu përfshihen familjet e të masakruarve nga kryengritja e Qafë-Barit më 20 maj 1984, shumë prej familjeve të të vrarëve pa gjyq, të njohurit si diversantë etj. Shumë ish-të përndjekur guximtarë që kanë reaguar edhe në burgjet e diktaturës, janë ridënuar si terroristë, por s’kanë mundur të dëmshpërblehen për këtë, pasi ligji nuk e njohu.
Njëkohësisht do të ndryshohet edhe afati për të pushkatuarit pa gjyq. Sot dëmshpërblehen vetëm ata që janë vrarë pas 30 nëntorit 1944, por me ndryshimet e reja, do të përcaktohet data 25 tetor 1944, duke bërë të mundur që shumë të tjerë të përfitojnë. Mes tyre janë shumë familje nga Tirana, të prekura nga ajo që njihet si masakra e Tiranës, të bërë nga grupe partizane komuniste.
Të internuarit
Ndryshimet në ligj do të bëjnë edhe njohjen e punës së komisionit trepalësh për dokumentacionin e plotësuar pas viteve 1990 dhe që nuk gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Kështu, do të përfitojnë ish-të dënuarit në kampe me telat me gjemba deri në vitin 1954, të cilët ende nuk kanë dokumentacionin gati dhe përfitojnë 1 mijë lekë për ditë qëndrimi. Nga ana tjetër, me një vendim të Këshillit të Ministrave, çdo familje që ka qenë në internim pas vitit 1965, do të ketë shtesë pensioni mbi atë që merr sot për vitet e punës.
Masat për dëmshpërblimin
Mësohet se Ministria e Drejtësisë ka nisur evidentimin e të gjithë ish-të përndjekurve që janë gjallë dhe përfitojnë dëmshpërblim. Njëkohësisht, me mbylljen e këstit të parë menjëherë do të bëhet kalimi për këstin e dytë të dëmshpërblimit, që duhet të nisë në fund të këtij viti.
3 mije
ish-të përndjekur politikë llogariten që janë ende gjallë, që marrin dëmshpërblim direkt. Sipas ligjit, ata marrin çdo vit nga një këst për 8 vite. Me ndryshime në ligj, kjo do të mund të ulet në më pak vite
1 milion leke
ka qenë masa maksimale e dhënë nga qeveria si këst i parë për ish-të përndjekurit politikë. Tashmë, për 7 vitet e mbetura, ata do të marrin një këst të pandryshueshëm dhe kësti të jepet me afat të përcaktuar
Problematikat e hasura
1- Shumë prej ish-të përndjekurve kanë marrë më pak nga sa u takonte, pasi një pjesë të dënimit e kanë pasur sipas nenit për terrorizëm, i cili nuk u njoh nga ligji për dëmshpërblimin. Këtu nuk përfitonin as të ridënuarit e Masakrës së Qafë-Barit në vitin 1984.
2- Shumë prej të pushkatuarve pa gjyq nuk kanë mundur të përfitojnë pasi kanë qenë jashtë afateve të përcaktuara me ligj, ose dokumentacioni ka munguar.
3- Familjet që kanë jetuar në kampet me gjemba deri në vitin 1954, nuk kanë mundur të marrin dëmshpërblimin prej 1 mijë lekësh, disa pasi kanë pasur probleme për dokumentacionin.
4- Të moshuarit, ish-të përpjekur politikë, kanë nevojë për dëmshpërblimin, pasi shumë prej tyre kanë nevojë për shërbime shëndetësore.
5- Përmirësimin e procedurës së marrjes së dëmshpërblimit në mënyrë që këstet të jepen në kohë të përcaktuar, jo më larg se një vit nga njëri-tjetri.
Ndryshimet në ligj
1- Dëmshpërblim total i shumës për të gjithë ish-të përndjekurit mbi 85 vjeç brenda vitit 2012.
2- Ulja e afatit nga 8 vite, mundësisht deri në 4 vite, të të gjithë ish-të përndjekurve që janë gjallë.
3- Vendosja e afatit nga 30 nëntori 1944 më 25 tetor 1944 për të pushkatuarit me gjyq, duke rritur numrin e përfituesve.
4- Njohjen e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve nga nenet 64 apo 67 për terrorizëm në kohën e diktaturës komuniste.
5- Njohja e punës së komisionit trepalësh për dokumentacionin e plotësuar pas viteve 1990 dhe që nuk gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme. (përfitojnë ish-të dënuarit në kampe me telat me gjemba deri në vitin 1954.)
Masat që do të merren për dëmshpërblim
• Evidentimi brenda muajit shtator të të gjithë ish-të përndjekurve që janë gjallë.
• Miratimi i një vendimi të Këshillit të Ministrave për shtim pensioni për personat që kanë qenë në internim nga viti 1954 deri në vitin 1991.











