A do të ketë një ndryshim substancial të ligjit zgjedhor? Apo do të ketë thjesht një kozmetikë formale të tij? Këto pyetje tingëllojnë bujshëm dhe mediatikisht si një çështje hamletiane! Debati retorik është një shpërdorim i mjerueshëm kohe dhe nervash. Më tepër se një çështje e thellë (intelektualisht e thellë), kemi të bëjmë me një mediokritet tejet të kushtueshëm që duhet zhbërë nga të gjithë aktorët politikë, që të mund të jenë, në fund të fundit, aktorë politikë seriozë. Por kjo duket e pamundur! Ndryshimet primitive (të mbrapshta) kushtetuese në 2008- n, ideuar nga Rama dhe Berisha, treguan më tepër një ngjashmëri të tyre, sesa një kundërshti konceptuale. Nuk është thjesht një flirt, është një koncept i përbashkët, komplementar. Për të flakur tej “bezdinë” e partive të vogla për të shpallur “vdekjen e bardhë” të tyre, për të instaluar, fuqizuar, groteskizuar vetëm dy parti kryesore të alternimit të pushtetit, pra bipartitizmin e monopolizuar për 20 vjet rresht. Kështu, spektri politik, dikur shumë më i hapur, u bë më i mbyllur. Po ajo më e tmerrshmja është paraqitja e listave të kandidatëve për deputetë si ekskluzivitet i kryetarëve të partive të mëdha. Ky është shqetësimi më i madh. Të dyja këto parti, në raportin e personaliteteve të vërteta me personalitetet virtuale, rastësore, të klonuara, tribale, kanë anuar ndaj këtyre të fundit, si më të parapëlqyer e në dukje më komodë. Por, në këtë rast kemi të bëjmë me një zhgënjim optik. Partitë bëhen të mëdha nga personalitetet e vërteta. Në të kundërtën, përfaqësimi adekuat politik është thjesht një lojë, një truk spektakolar pa substancë. Në vend të një Parlamenti të përgjegjshëm, sa më të ditur dhe kompetent, shkohet drejt një Parlamenti klanesh, ku dituritë sipërfaqësore, servilizmi, mediokriteti do të bëjnë kërdinë. Kështu, klasa politike shqiptare modelon manekinë pa kredencialet e mendimit dhe vizionit të vërtetë politik. Dhe të mendosh se nga një kretenizëm parlamentar të përcaktohen kushtetutshmërisht institucionet kryesore të shtetit shqiptar! Një analizë gjakftohtë heq perden për të parë kokën e Meduzës! Ideja e Rusoit dhe Monteskjesë për sovranin (popullin), si posedues ekskluziv i të drejtës së votimit dhe pushtetit demokratik befas tjetërsohet, formalizohet kuptimi i votimit, mjafton paraqitja e listave të deputetëve, në fakt, të emëruar paraprakisht vijon nga faqja 1 nga kryetarët autoritarë të partive dhe sovrani katandiset në një koncept abstrakt të një metafizike politike pa liri dhe arsyetim, përzgjedhje, ose jo, pa dinjitet dhe perspektivë të ripërtëritjes dhe të ndryshimeve të pareshtura progresive. Në vend të popullit që gjykon dhe vendos, kemi kryetarët e pazëvendësueshëm! Ç’ironi historike dhe bizare! Ky është thelbi i thelbeve! Të mos harrojmë që është thelbi i thelbeve të kushtetushmërisë! A do të kemi një ndërhyrje kirurgjikale (konceptuale) për t’u ikur ndryshimeve aksidentale të vitit 2008? Pikërisht këtë gjë nuk e dimë, nuk jemi të sigurt që do ta dimë tani për tani. Ka njëfarë debati shterp, duket sikur po punohet për ligjin e ri zgjedhor, por me sa shihet, flitet për ndryshime kozmetike të ligjit zgjedhor të vitit 2008. Në këtë pikë përgjegjësia e opozitës është kolosale. Artikulimi i një mea culpa të opozitës vetëm për Berishën është një alibi e turbullt dhe pa asnjë rrugëzgjidhje reale dhe konkrete. Mea culpa është detyrimisht e të dyve, ndoshta më shumë e Ramës, i cili nuk mund t’i shpëtojë arsyetimit logjik kriticist vetëm me paradigmën justifikuese se “ia hodhën”. Pikërisht ndryshimi i ligjit zgjedhor të vitit 2008 do të ishte një nga idetë më kryesore të opozitës së sotme, pra një risi përmbajtësore, mbushamendëse e politikës së saj, për të ngjallur shpresë dhe për të hapur vizionin, ose për të gjetur vizionin, që kaq shpesh i ka munguar. Po a do të ndodhë kështu? Nuk e dimë! E nëse gjithçka do të përfundojë në ndryshime kozmetike dhe formale të ligjit zgjedhor, përsëri zgjedhjet politike më 2013-n do të jenë problematike. Dihet se institucioni i zgjedhjeve të lira në Shqipëri është defektoz në një stërzgjatje sfilitëse dhe absurde. Për 20 vjet rresht nuk janë realizuar siç duhet zgjedhje politike të standardeve të larta, pa manipulime, pa vjedhje apo trafikim mafioz votash. Në këtë aspekt, klasa politike shqiptare ka treguar një primitivitet dhe një prapambetje të rëndë. Kjo përbën një peng faji ndaj historisë moderne të Shqipërisë. Kjo është edhe prova më e madhe dhe më e pashmangshme e qytetërimit demokratik të politikës shqiptare, e emancipimit ose e virtualizmit jashtë kohës, e virtualizmit paradoksal që i ka sfilitur që të gjithë padrejtësisht dhe tmerrësisht gjatë. Nëse aktorët kryesorë të politikës sot janë këta që janë, a do të kemi një klasë të re politike më të përparuar dhe më të denjë, më të ditur, më të përgjegjshme? A do të kemi personalitete të vërteta të politikës? Po a mund të ketë të tillë nga listat paraprake? A nuk janë kthyer të dyja partitë e mëdha në klube të mbyllura shoush dhe miqsh, në klube klienteliste, ku figurat e spikatura intelektuale dhe me integritet moral dhe profesional mungojnë dëshpërimisht? Atëherë pse është politika një shërbim i kualifikuar publik? Apo është thjesht tagri i kryetarëve të partive që arrijnë fitore elektorale numerike, por jo fitore konceptuale? Atëherë pse populli do t’i votojë në mënyrë rutinore përherë? Dalim kështu në hullinë e politikës qytetare, e ndryshimeve progresive nga poshtë, të krijimit të partive të reja më adekuate ndaj elektorateve, që mund të thyejnë monopolin e tradicionalitetit të dy partive të mëdha, që partitë e reja të bëhen vetë të mëdha. Demokracia e ka këtë potencë krijuese në vetvete. Politika ka karakter dinamik dhe plot zhvillime, nganjëherë edhe të papritura, por detyrimisht drejt progresit dhe modernitetit pozitiv dhe ndryshues.
© Panorama.al












