Ndreca: Policia gënjen, te “Skënderbeu” isha esëll

Jul 11, 2012 | 15:22
Gjergj Ndreca, mbrëmë gjatë protestës te monumenti i Skënderbeut

Ish-i përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, i cili protestoi mbrëmjen e së hënës duke qëndruar më shumë se një orë e gjysmë mbi monumentin e Skënderbeut në qendër të Tiranës, paralajmëron protesta dhe grevë urie ditët në vazhdim. Ndryshe nga çfarë deklaruan burimet e Policisë, se Gjergj Ndreca ishte në gjendje të alkoolizuar gjatë kohës që qëndronte mbi monument, vetë i përndjekuri i mohon thëniet e Policisë duke u shprehur se nuk kishte konsumuar pije alkoolike mbrëmjen e së hënës. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Ndreca shpjegoi arsyet që e çuan atë të kryente një protestë të tillë në qendër të Tiranës dhe u shpreh se edhe në vazhdim do të ketë protesta të ngjashme nga ai dhe miqtë e tij, ish-të përndjekur politikë. “Fillimisht dua të hedh poshtë ato që ka thënë Policia për mua, që isha i pirë. Unë aty po pija ujë, jo alkool. Policia po sillet si Sigurimi i Shtetit, po na trajton njësoj si ata. Unë mbrëmë (të hënën) kam qenë më esëll se asnjëherë tjetër”, deklaroi Ndreca. Ndërsa u shpreh se ai dhe miqtë e tij do të vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit publik, të diplomatëve të huaj dhe të Policisë në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet nga qeveritarët dhe t’u jepet një zgjidhje kërkesave të të përndjekurve. “Ajo që ndodhi mbrëmë ishte vetëm fillimi. Unë dhe të tjerët do të vazhdojmë protestat për të marrë atë që na kërkon, për të fituar të drejtat tona dhe për të kërkuar drejtësi për incidentet e vazhdueshme që kemi pasur me Policinë dhe deputetë të ndryshëm. Nuk do t’i ndërpresim protestat, madje edhe grevën e urisë, derisa të vendoset një zgjidhje në favorin tonë”, deklaroi Gjergj Ndreca. Ndërsa shpjegon se ngjarja e së hënës është kuptuar gabim nga ana e Policisë, pasi ai nuk po kërcënonte me vetëvrasje, por thjesht po protestonte. Për rreth një orë e gjysmë, nga ora 21:30 deri në orën 23:00 të së hënës, ish-i përndjekuri politik Gjergj Ndreca mbajti më këmbë forca të shumta të Policisë së Tiranës dhe asaj Bashkiake, duke qëndruar i ulur mbi monumentin e Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër. Miqtë e tij, edhe ata të përndjekur, mes të cilëve edhe Lirak Bejko, bashkë me të cilin Ndreca ka një proces gjyqësor të hapur për goditjen e deputetit Ilir Rusmali, si dhe avokatit Agim Tirana, kanë qëndruar pranë tij duke e mbështetur. Në disa raste Lirak Bejko hipte mbi monument duke biseduar me Ndrecën dhe më pas zbriste. Ndërsa policia negocionte në distancë me Ndrecën në mënyrë që ta bindnin për të zbritur.

KERKESAT
Gjergj Ndreca, mbrëmjen e së hënës i drejtohej Ambasadës Amerikane që të ndërmjetësonte për zgjidhjen e problemit të dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë, por edhe që të vendosej drejtësi në çështjen gjyqësore që ai bashkë me Lirak Bejkon kanë të hapur një proces në Gjykatën e Tiranës. Ndreca ka kërkuar marrjen fund të ndalimit të të përndjekurve nga Policisë së Tiranës, pasi ata po kërkojnë të drejtat e tyre.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura