Ndrea Prendi: Qëllova më 21 janar

Sep 13, 2012 | 13:22

Ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, dje në Gjykatë

Flet në gjyq: SHISH s’na ka sjellë asnjë të dhënë, informacionin e morëm nga Policia dhe Ambasada e SHBA.

Ish-kreu i Gardës: U informuam se do sulmohej Kryeministri e Kuvendi.

Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës së Republikës, i pandehur në dosjen “21 janari”, tha dje se pak ditë para demonstratës së dhunshme kishte informacione se një person me rrezikshmëri po përgatiste një akt kriminal ndaj Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Sipas Prendit, për realizimin e këtij akti priteshin snajperë nga Gjermania. Deklarata e Prendit u dëgjua në seancën e radhës gjyqësore ndaj tij dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Agim Llupo dhe Margarit Kume, të akuzuar për vrasjet e ndodhura në demonstratën e 21 janarit 2011. Prendi rrëfeu edhe për informacionin mbi planifikimin e një sulmi kundër eskortës së Kryeministrit Berisha pasditen e 21 janarit, si dhe informacionin për sulme me lëndë kimike kundër Presidentit dhe Parlamentit në disa vende kryesore të Europës, mes të cilave edhe Shqipërisë. Më herët, Prendi tha se nga SHISH-i Gardës nuk i ishte servirur asnjë informacion në lidhje me demonstratën. Para treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha, Prendi pranoi se gjatë orëve të demonstratës kishte hapur zjarr në ajër me armën e tij pistoletë. Gjatë deklaratës së tij, Prendi tha se në zbatim të ligjit, Garda e Republikës kishte kërkuar informacion nga Shërbimi Informativ në lidhje me demonstratën, mjetet që do përdoreshin dhe qëllimet e saj. Sipas Prendit SHISH nuk ka dërguar asnjë informacion ndërsa policia ka paralajmëruar për akte të dhunshme dhe për sulme të planifikuara ndaj kryeministrit, godinës së këshillit të ministrave dhe Kuvendit.

(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura