
VLORE- Një sasi e konsideruesme solari është derdhur në zonën e plazhit e Zvërnecit duke shkatuar ndotje të bregdetit. Sasia e solarit që ka sjellë dhe ndotjen mendohet se është hedhur në det gjatë operacionit të ngarkimit të një anije në bregdetin e Vlorës.
Ende nuk ka të dhëna të sakta lidhur me mënyrën se si solari ka përfunduar në det, kjo e konfirmuar edhe nga kapiteni i Kapitenerisë së Portit Vlorë, Anastas Goga i cili shpjegon se “për momentin nuk dimë saktë nga ka dalë, nga sistemi apo pikat e lidhjes në anije. Jemi duke ndjekur situatën e duke hetuar shkakun nga ka ardhur.”
Goga tha se lidhur me sipërfaqen e ndotur, bëhet fjalë për një vijë bregdetare deri në 500 metër, duke shtuar se po punohet, pasi situata konsiderohet emergjente.
Si pasojë e situatës së krijuar në këtë vijë bregdetare, mësohet se shumë nga pushuesit që kishin nisur pushimet në këtë zonë i kanë ndërprerë në mes pushimet.
© Panorama.al











