Ndotja në plazhe e pishina, 20 fëmijë në ditë në spital

Aug 25, 2011 | 13:14

Fluks pacientësh me infeksionet e veshit. Prej më shumë se dy javësh, në Shërbimin e Otorinolaringolo-gjisë (ORL) në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, paraqiten mesatarisht 15-20 pacientë në ditë me këto probleme.Pjesa më e madhe janë fëmijë. “Infeksionet e veshit të jashtëm kanë të bëjnë direkt me ujin e detit dhe të pishinave. Në klinikën tonë kemi një fluks të shtuar të këtyre pacientëve, që sa vjen e rritet. Janë infeksione që shoqërohen me dhimbje të forta të veshit, temperaturë të lartë dhe kanë nevojë për një terapi disaditore dhe një mjekim lokal. Vitet e fundit është vënë re që pacientët janë ata persona që kanë kontakte të vazhdueshme me ajrin e kondicionuar, rrjedhimisht, ulet qëndrueshmëria e trupit dhe pacientët preken nga infeksionet e grykëve, që në periudhën e verës janë dhe më të ashpra”, sqarojnë mjekët. Sidomos për personat që kanë probleme me veshët, ata sugjerojnë përdorimin e tapave për veshët gjatë zhytjeve në ujë, si dhe të kurohen në kohë, pasi ata mund të kthehen në të prekur kronikë. “Këta persona, para se t’u drejtohen plazheve dhe pishinave, të vizitohen te mjeku i veshëve për të parë gjendjen e veshit. Ata që kanë këto probleme duhet t’i ruajnë veshët nga uji dhe kjo realizohet nëpërmjet disa tapave që gjenden në farmaci”, sqarojnë mjekët specialistë. Ndërkaq, nuk mungojnë në Spitalin Francez edhe të sëmurë që paraqiten me infeksion të syve. “Gjatë fillimjavës kemi edhe rastet më të shumta të pacientëve; kjo për shkak se kanë frekuentuar plazhin gjatë ditëve të shtuna dhe të diela, dhe për shkak të ujit të ndotur apo me sasi të lartë klori, shfaqin probleme në sy”, kanë pohuar mjekët okulistë. Kështu, mjekët e ORL-së, në këshillat më të domosdoshme japin ruajtjen nga lagështira e tepërt për ata që kanë probleme me aparatin e dëgjimit dhe larje të shpeshtë të fytyrës me ujë të pastër për të mbrojtur sytë.

Simptomat

• Infeksionet e veshëve shkaktohen nga lagështira
• Faktor është temperatura e lartë dhe mungesa e higjienës
• Simptomat kryesore janë: dhimbje të veshit, pacientët kanë rrjedhje dhe acarim të veshit

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura