
Kryetari i Partisë Demo-kristiane, Nard Ndoka dhe Nikoll Lesi, kryetar i Lidhjes Demokristiane, do të bashkojnë dy partitë politike për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një forcë e vetme. Bashkimi i dy partive të spektrit të djathtë do të shoqërohet dhe me një lëvizje të zotit Ndoka drejt maxhorancës. I kontaktuar nga “Panorama”, Nard Ndoka ka konfirmuar taki-min me zv.ministrin e Kulturës, Nikoll Lesi dhe qëllimin për të bashkuar dy partitë. “Kryesorja për alternativën demokristiane është bashkimi në një front i të gjitha rrymave dhe fraksioneve që ne si demokristianë të përfaqësohemi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mënyrë dinjitoze dhe si një subjekt i vetëm”, theksoi Ndoka. Ndërkaq, në një deklaratë, kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi, theksoi se gjatë takimit me Ndokën është diskutuar dhe vendosja e koalicionit në të cilin do të pozicionohet PDK-ja. “Te dyja partitë bashkërisht kanë mbi 80 mijë vota kombëtare dhe, nisur nga ky fakt si dhe nga mospërfaqësimi dinjitoz i këtyre forcave politike në qeverisjen e vendit dhe në Parlament, kryetari i PDK dhe kryetari i LDK, si dy formacione të të njëjtit spektër, ndonëse për momentin në dy kampe të ndryshme politike, u takuan dhe biseduan për gjetjen e një formule bashkimi, si dhe përcaktimin e kampit politik ku do të qëndrojnë përfundimisht, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare demokristianët të përfaqësohen denjësisht në Parlament dhe mundësisht me një grup parlamentar”, thuhet në deklaratën e Lesit.
Kalimi djathtas
Kryetari i PDK-së shprehet se ka pasur oferta nga Kryeministri Berisha për t’u rikthyer në koalicionin e djathtë, por një vendim për këtë qasje të re do të vijë pas përfundimit të reformës zgjedhore. “Ka oferta të cilat nuk besoj që është momenti i duhur për t’i diskutuar apo për t’i marrë në konsideratë. Vëmendja kryesore jona është tek reforma zgjedhore dhe, së dyti, tek bashkimi i faktorit demo-kristian”, theksoi kreu i PDK-së. I pyetur nëse gjatë bashkëbisedimit është vendosur që të kalojë PDK djathtas apo Lesi do të bashkohet me opozitën, Ndoka tha se: “Ky po është një problem për të ardhmen tonë politike, por nuk është problem pengues për momentin, për faktin se faktori demokristian nuk është përfaqësues në maxharorancën aktuale, pra dhe vetë zoti Lesi nuk e sheh si një përfaqësim postin që mban; Pra, ka qenë më shumë një diversion nga PD-ja, sesa vetë zoti Berisha është munduar të përfaqësojë demokristianët në qeveri. Kryetari i PDK-së sheh si një mundësi bashkëpunimin me partinë e re që pritet të krijohet nga Presidenti Topi dhe me Aleancën Kuqezi. “Asnjë mun-dësi nuk përjashtohet. PDK nuk është një parti hermetike. Ne jemi parti e qendrës së djathtë që japim kontributin tonë në kampin e opozitës; Kjo nuk do të thotë që nuk ka negociata, apo nuk do të ketë me kampet e tjera politike. Në politikë nuk ka kurrë, kështu që çdo gjë do të jetë e hapur”, u shpreh Ndoka.











