Ndizet “EURO 2012”, Europa nis spektaklin

Jun 8, 2012 | 14:59

Europa mban frymën. Sot starton kompeticioni më i rëndësishëm futbollistik i kontinentit, i cili do zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë, dhe më 1 korrik kurorëzon “mbretin” e ri. Edicioni i 14-të i tij ka grumbulluar 16 ekipe kombëtare, të cilat do kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre, nga kalimi i fazës në grupe dhe deri te triumfi. Sot startojnë emocionet dhe drithërimat e turneut, ku nuk mungon thuajse asnjë prej “gjigantëve” të futbollit e ku të gjithë pretendentët janë pompuar me idenë se do zënë “fronin” e Europës dhe të nënvlerësuarit zotohen për të surprizuar. Polonia dhe Ukraina fituan të drejtën e organizimit të kompeticionit kundër kandidaturave të tjera, si Italia apo Kroaci/Hungari. Në fakt, përzgjedhja e tyre është shoqëruar me shumë polemika, pasi asnjë prej vendeve nuk garantonte një infrastrukturë moderne. Dy vendet organizatore kanë shpenzuar shifra marramendëse për plotësimin e të gjitha kritereve të UEFA-s. Rreth 2.2 miliardë euro kanë kushtuar rikonstruksionet e stadiumeve, por investimet për infrastrukturën kanë qenë shumë herë më të larta, ku përfshihen rrugë, aeroporte, hotele apo parqe pushimi. Polonia, e cila kishte edhe më shumë probleme në infrastrukturë, ka bërë të ditur se ka shpenzuar plot 18 miliardë euro. Varshava, Poznani, Vroklava dhe Gdansku janë qytetet polake që do “pushtohen” nga tifozët e shumë shteteve, pasi janë edhe epiqendrat e futbollit me stadiumet e tyre. Ndërkohë, qytetet ukrainase që po përgatiten për një mbipopullim janë Kievi, Lvivi, Donetsku dhe Kharkivi. Për sa u përket stadiumeve, janë tetë impiante që do mirëpresin ndeshjet e Europianit, katër në Poloni dhe katër në Ukrainë, ku të gjithë i janë nënshtruar një rikonstruksioni për të plotësuar kushtet optimale, të detyruara edhe nga UEFA. Slogani i kompeticionit është “Ta bëjmë historinë së bashku”. Ai reflekton faktin se Polonia dhe Ukraina ishin të bashkuara në të kaluarën si një vend i vetëm, ndërkohë që tani përfaqësojnë ambiciet e dy vendeve lindore që synojnë të bëjnë performancën më të mirë në historinë e kampionateve europiane. Topi zyrtar i ndeshjeve të “Euro 2012’ quhet “Adidas Tango 12”, që është i dizajnuar që të jetë më i lehtë në të dribluar dhe kontrolluar, në raport me të paparashikueshmin “Adidas Jabulani”, i përdorur në Botërorin 2010. Ndërsa maskoti Slavek & Slavko janë emrat e dy binjakëve të maskotit zyrtar të “Euro 2012’. Ata përfaqësojnë futbollistët polakë dhe ukrainas të veshur me ngjyrat e uniformave të dy vendeve. Këngëtarja gjermane, Oseana, do këndojë këngën zyrtare të kompeticionit, e cila titullohet “Verë pa fund”. Melodia është kompozuar nga Rolo Armstrong. Për sa i përket trofeut, ai që do t’i jepet ekipit kampion është i gjatë 60 centimetra, peshon 8 kilogramë dhe ka një vlerë prej 20 mijë eurosh, pasi është argjend i pastër. Biletat janë shitur nga UEFA dhe sipas informacioneve janë plot 1.6 milionë të tilla, ndërkohë që kishte 12 milionë kërkesa, 17% më shumë se Evropiani i katër viteve më parë. Çmimet variojnë nga 30 euro deri në 600 euro. Gjithsesi, është vënë re një rrezik i madh për shitjen në tregun e zi, me vlera të shumëfishuara të biletave, të cilat kanë arritur deri në 5 mijë euro për ndeshje të rëndësishme. Ndërsa kush ka hotel në Poloni dhe Ukrainë, duhet të ndihet fatlum. Pronarët e tyre kanë rritur disa herë çmimin për një dhomë, aq sa edhe presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i cilësoi si “gjakpirës”.

FAVORITET
Duke iu referuar formës, ecurisë së futbollistëve, paraqitjes së treguar në fazën përgatitore dhe “urisë” për të triumfuar në Europian, kompanitë e basteve kanë kuotuar edhe shanset e ekipeve për të ngritur trofeun. Si rrjedhojë, skuadra favorite për t’u shpallur kampione e Europës është ajo e Gjermanisë, me një diferencë shumë të ngushtë me kampionët në fuqi, Spanjën. Në vendin e tretë është renditur Holanda e Van Marvijk. Ndërkohë, respektivisht në vendin e katërt, të pestë e të gjashtë janë Anglia, Franca e Italia, me një diferencë të konsiderueshme koeficienti përkundrejt tri vendeve të para.

FATION SHEHU

© Panorama.al

Te lidhura