Mesjava do të ketë një tjetër duel gjigantësh në “Uembli”, atë mes Anglisë së Kapelos dhe Holandës së Van Marvijk. Por, më shumë se sa një test që do t’i shërbejë “Tre luanëve” për dy ndeshjet kualifikuese të “Euro 2012” kundër Bullgarisë dhe Uellsit muajin tjetër, ajo sa ka shpërqendruar ishullorët. Tekniku italian ka shumë mungesa të rëndësishme për shkak dëmtimesh. Stiven Xherrard vazhdon të mbetet jashtë, ndërsa vetëm Runi është rikthyer pas pezullimit. Sulmuesi tjetër i “djajve”, Deni Uelbek, i cili ndihmoi Junajtid të fitonte Superkupën ndaj Sitit, është në dyshim pasi ka dhimbje në kavilje, ndërsa Xhek Uilsher u rikthye te Arsenali për një problem të ngjashëm. Dje, Kapelo ka marrë lajmin e keq se do të mungojë edhe Kerrik. “Me shumë mundësi do të kemi disa mungesa”, – tha trajneri i ishullorëve. “Trajnerët e klubeve ngrenë shqetësimin e tyre se përse duhet të aktivizohen këta futbollistë në një miqësore. Unë e di shumë mirë se po afron starti i sezonit. Por, nëse një lojtar vendos të luajë me Kombëtaren, atëherë ai nuk duhet ndaluar. Ky vendim u përket atyre”. Don Fabio u shpreh se nuk kishte mjaftueshëm informacion për një pjesë të mirë të 25 lojtarëve që ka thërritur. “Kam mungesa për shumë prej atyre që do të duhet të aktivizoj dhe nuk e di ku janë për momentin. Nuk kam informacion as për gjendjen fizike të holandezëve. Ata që vijnë nga Bundesliga janë në formë, sepse kampionati gjerman ka nisur”. Kapelo ka thërritur 11 lojtarë të Mançester Junajtid dhe 11 të rivalëve të tyre, Sitit. Ai tha se zemërimi i klubeve për datën e ndeshjes duhet t’i shkarkohej FIFA-s dhe jo atij. “Edhe unë jam me klubet. Mirëpo, datat nuk i vendosim ne, por FIFA”.
Holanda ka shansin te jete numri 1
Kombëtarja e Holandës ka për herë të parë në duart e veta në historinë e saj shansin për t’u ngjitur në krye të renditjes së FIFA-s. Nëse portokallinjtë fitojnë ndaj Anglisë dhe Spanja humbet me Italinë, atëherë skuadra e Van Marvijk do ngjitet në vendin e parë. Kampionët e Botës vazhdojnë të ruajnë pozitën e parë në këtë klasifikim me 1588 pikë. Më pas vijnë nënkampionët me 1542. Në 16 ndeshjet e fundit, “tulipanët” nuk e kanë ndier shijen e humbjes. Që kur në stolin e skuadrës është ulur Van Marvijk, Holanda ka humbur vetëm dy herë. E para ka ndodhur kundër Australisë në vitin 2008, 2-1, ndërsa e fundit ka qenë pikërisht në finalen e Botërorit kundër Spanjës në 2010-n, 1-0.
Grumbullohet edhe i riu Klerverlej
Ndeshja e shkëlqyer në Superkupë kundër Sitit dhe tërheqja e Uilsherit nga Kombëtarja kanë sjellë lajme të mira për futbollistin e “djajve”, Tom Kleverlej. Mesfushori 21-vjeçar është thirrur nga trajneri Fabio Kapelo për herë të parë që të veshë fanellën e “Tre luanëve”. I vlerësuar si pasuesi i Pol Skollsit në “Old Trafford”, Klerverlej do të zëvendësojë mesfushorin e Arsenalit, i cili u konfirmua se si pasojë e dëmtimit në kavilje nuk do të jetë i gatshëm të luajë ndaj Holandës. Uilsher është rikthyer në Londër për të nisur rikuperimin. 19-vjeçari do të luftojë me kohën për të qenë gati në ndeshjen e parë të sezonit kundër Njukasëllit.
© Panorama.al











