Ndërtuesi kapet me 1.2 kg drogë

Aug 25, 2011 | 13:26

Një biznesmen ndërtimi u arrestua dje nga Policia e Tiranës me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, pasi në makinën e tij u gjetën 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar si heroinë.Policia tha se Lorenc Taranai, me aktivitet në fushën e ndërtimit, u ndalua në flagrancë bashkë me mikun e tij, Besnik Mitrovica. Arrestimi i tyre ka ndodhur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Ata po udhëtonin në drejtim të kryeqytetit me një mjet tip “Golf” me targa të huaja, kur u është bërë thirrje për të ndaluar nga grupi operacional i Antidrogës. Burime zyrtare nga Policia thanë se gjatë kontrollit të mjetit u gjet e fshehur poshtë sediljes së pasagjerit, sasia prej 1 kilogram e 200 gramë lëndë narkotike, e dyshuar e llojit heroinë. Gjithashtu, në kruskotin e mjetit u gjetën edhe 19 mijë euro, para që sipas Policisë, janë përfituar nga trafiku i drogës. Ndaj dy personave që ndodheshin në makinë u mor masa e arrestit në flagrancë, me akuzën “trafik i lëndëve narkotike”. Policia tha se edhe dy persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Mësohet se dy personat që u shpallën në kërkim udhëtonin me një tjetër makinë, pas dy të ndaluarve, dhe në momentin kur policia ka ndaluar makinën e parë, ata kanë devijuar rrugë.
OPERACIONI
Rreth dy muaj më parë, oficerët e Antidrogës së Tiranës kanë nisur një hetim për të zbuluar linjën e shpërndarjes me shumicë dhe trafikimin drejt Tiranës të lëndëve narkotike të llojit heroinë. Burime nga Policia thanë se kishin arritur të siguronin informacione të sigurta për vendin ku blihej droga jashtë Shqipërisë, gjithashtu kishin piketuar edhe zonat se ku shpërndahej lënda narkotike. Sipas burimeve, lënda narkotike dyshohet se është blerë dhe trafikuar nga Maqedonia dhe destinacioni ishte tregu i kryeqytetit, por edhe qytetet e tjera përreth. Gjatë ecurisë së hetimit mbi personat e dyshuar, oficerët e Antidrogës u informuan se lënda narkotike vinte në Tiranë me synim shpërndarjen e saj në zonën e Fushës së Aviacionit, Stacionit të Trenit, Laprakës, Kamzës, si dhe në zonën e ish-Bllokut. Për shitjen e drogës ngarkoheshin persona të tjerë, kryesisht të rinj, disa prej të cilëve tashmë janë arrestuar dhe ndodhen në qelitë e paraburgimit. Pasi kishin siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për vendin dhe orën se ku do të kalonte ngarkesa e trafikuar nga Maqedonia, grupi operacional është pozicionuar përreth mbikalimit të Rinasit, duke pritur momentin e përshtatshëm për të ndërhyrë. Operacioni për arrestimin e dy trafikantëve, ndërtuesit dhe mikut të tij, u kodua “Braka”, duke qenë se kjo zonë ishte pika fillestare ku do të vinte lënda narkotike, që më pas shpërndahej pothuajse në të gjithë Tiranën. Burimet thanë se dy të dyshuarit nuk bënë rezistencë ndaj policisë në momentin e arrestimit, por njëkohësisht nuk pranuan të japin shpjegime rreth ngarkesës që u gjet në makinë. Ata u arrestuan me akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike”.

TE ARRESTUAR

Lorenc Agim Taranai,
32 vjeç, ndërtues

Besnik Hasan Mitrovica,
27 vjeç

2 persona të tjerë
u shpallën në kërkim

SEKUESTRUAR

– 1 kilogram e 200 gramë heroinë

-19 mijë euro

– Automjeti tip “Golf” me  targa të huaja

Hetime për rrjetin e trafikut të heroinës

Ndonëse ngarkesa me lëndë narkotike e cila u bllokua dje në autostradën Tiranë-Durrës dyshohet se ka prejardhje në Shqipëri nga Maqedonia, ende nuk është e qartë se nga cila pikë kufitare ajo ka hyrë në Shqipëri. Dy personat e arrestuar me lëndën narkotike po vinin në drejtim të Tiranës ndërsa policia ka mbajtur sekret zonën ku është marrë ngarkesa me drogë. Sipas policisë bazuar në hetimin që u finalizua me kapjen e dy personave të dyshuar për 1.2 kilogramë heroinë, ka të dhëna se persona të tjerë janë përfshirë në këtë aktivitet trafiku. Për këtë shkak nëse vepra penale klasifikohet si trafikim ndërkombëtar droge, dosja penale mund ti kalojë për kompetencë hetimi edhe prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej vitesh ka pasur rritje të rasteve të zbulimit të ngarkesave të drogës në kufi mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura