
Ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të Hidrocentralit Ashta 1, e cila është bërë e ditur me një ceremoni speciale dje me rastin e arritjes së kuotës maksimale dhe stacionit eklektik të këtij hidrocentrali. Për herë të parë pas 35 vitesh, në Shqipëri ndërtohet një hidrocentral i këtyre përmasave, i cili do të prodhojë 240 milionë kwh energji. Në ceremoninë e zhvilluar merrnin pjesë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, dhe shumë të ftuar të tjerë. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vuri theksin në rëndësinë që paraqesin dy hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2 si nga investimi i bërë, ashtu edhe nga risia që përfaqësojnë. Të dyja hidrocentralet do të kenë të instaluar turbinat matriks që mundësojnë prodhimin e energjisë me përdorimin totalisht efiçent të ujit dhe pa sjellë ndotje në mjedis. “Kjo është një ditë e veçantë dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e shndërrimit të ëndrrës sonë në realit, Shqipëria – vend i zhvilluar, sepse në këtë hidrocentral përdoret për herë të parë teknologjia më e avancuar e prodhimit të energjisë ujore. Turbinat matriks të dimensioneve më të mëdha instalohen për herë të parë në botë në hidrocentralin e Ashtës. Unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë kompanive për përzgjedhjen e shkëlqyer”, tha Berisha.











