Vështirësia në të cilën ndodhet sektori i ndërtimit prej vitesh, tashmë bëhet edhe më e madhe, nëse në konsideratë marrim rritjen e çmimeve për materialet që përdor ky sektor. Publikimi i fundit i INSTAT mbi indeksin e kushtimit në ndërtim gjatë tremujorit të dytë të këtij viti reflekton një rrije të kostos për kompanitë e ndërtimit. “Në tremujorin e dytë 2012, indeksi i kushtimit në ndërtim shënoi një rritje prej 0.3 për qind, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, indeksi ka shënuar një rritje me 0.8 për qind: thuhet në raportin e INSTAT. Sipas këtij të fundit, çmimet për grupin “Shpenzime materiale” janë rritur me 0.3 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm, ku nëngrupi materiale ndërtimi është rritur me 0.3 për qind, kurse nëngrupi materiale hidrosanitare 0.8 për qind. Rritje sipas INSTAT kanë reflektuar edhe shpenzimet për transportin dhe ato për blerjen e makinerive. “Indekset e grupeve ‘shpenzime transporti’ dhe ‘shpenzime makinerie’ u rritën respektivisht me 1.2 për qind dhe 0.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm”, vlerëson INSTAT. Në këto kushte duket se kompanive u është dashur të kursejnë duke ulur shpenzimet për paga. Instituti i Statistikave në publikimin e tij shprehet se, krahasuar me një tremujor më parë, gjatë periudhës prill-qershor indeksi i shpenzimeve për paga është ulur me 0.2 për qind.











